Telekomi i Kosovës ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për tre punëtorë të kësaj kompanie.
Në media dje u raportua se punëtorëve që u është ndërprerë kontrata e punës janë Merita Krasniqi, Kushtrim Vrajolli dhe Arif Musa.
Madje u tha se Krasniqi është mbesa e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Lidhur me këtë, nga Telekomi i Kosovës në një përgjigje për Telegrafin, kanë thënë se marrëdhënia e punës u është ndërprerë sipas ligjit të punës dhe akteve të brendshme të kompanisë.
“Telekomi i Kosovës Sh. A., nuk i ka shkarkuar të tre punëtorët në fjalë. Të njëjtëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës sipas ligjit të punës dhe akteve të brendshme të kompanisë, të cilat qartësisht janë arsyetuar në vendimet përkatëse të secilit prej tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje Telekomi ka theksuar është duke kaluar nëpër një proces të ristrukturimit.
“Në kuadër të këtij procesi këtyre të punësuarve u është ofruar pozitë pune ekuivalente me përgatitjen profesionale dhe në harmoni me strukturën e re organizative, për më tutje këta të punësuar janë inkurajuar dhe ftuar për të aplikuar në të gjitha pozitat e hapura dhe të njëjtit nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.
Meqenëse pozitat të cilat i mbanin janë shuar, apo janë plotësuar përmes konkurseve të hapura, të njëjtëve nga punëdhënësi u është ofruar kontratë e re e punës, duke u kujdesur në tërësi që të respektohen të gjitha dispozitat e aplikueshme ligjore”, kanë deklaruar nga Telekomi i Kosovës për Telegrafin.
Telekomi ka sqaruar se tre të apostrofuarit i kanë bojkotuar proceset e konkurrimit në konkurset publike, dhe si rrjedhojë e kësaj është marrë vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
“Pasi procesi i konkurrimit në konkurset publike është bojkotuar nga ana e tyre dhe nuk i kanë pranuar kontratat e ofruara, TK ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së tyre të punës, duke u kujdesur për afatet e njoftimit dhe duke u kujdesur që vendimet të jenë në harmoni me ligjin e punës”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.