KOSTT thotë se ka marrë nën kontroll nënstacionin elektrik të Vallaqit – ende nuk nis puna plotësisht

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri një ditë më parë njoftoi që kanë kryer mirëmbajtje për herë të parë në nënstacionin në Vallaq në veri por sot (e mërkurë) kur atë e ka vizituar ekipa e RTVD nuk kishte asnjë punëtor pos atyre të sigurimit.

Ndërmarrja nuk është përgjigjur për ndaljen e punës e zyrtarë të këtij nënstacioni që ishin sot prezent aty, thanë se ekipet e KOSTT-it është planifikuar të vijnë të enjten.

Ishte presidenti serb, Aleksadar Vuçiq, që në vitin 2021 ngriti dyshime se Kosova do të provojë të marrë në kontroll me forcë nënstacionin e Vallaqit.

Reklama e sponzorizuar

Ky nënstacion është një prej pikave që furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe hidrocentralin e Ujmanit.

Por, pa asnjë incident, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, Evetar Zeqiri një ditë më parë me anë të një njoftimi në Facebook, tregoi se ndërmarrja që ai drejton për herë të parë ka kryer remonte në këtë nënstacion.

Dukagjini ishte këtë të mërkure në këtë nënstacion.

Pasi mori leje nga zyrtarët e nënstacionit, që i takonin komunitetit serb, dhe identifikimit si gazetar, u pa që remonte nuk po kryheshin gjatë asaj kohe aty.

Zyrtarët e nënstacionit që ishin sot prezent aty thanë që ekipet e KOSTT-it, kanë qenë një ditë më herët, kurse pritet të vijnë edhe të enjten për remonte, kurse gjatë të mërkurës nuk ishte planifikuar diçka.

Në mëngjes televizioni kishte kërkuar nga KOSTT leje dhe intervistë për punët që po kryhen aty por ajo u refuzua pasdite me arsyetimin e vëllimit të madh të punës.

“Duke ju falënderuar për interesimin tuaj për promovim të punës së KOSTT, ju njoftojmë që për shkak të intensitetit të lartë të punimeve që po realizohen në NS Vallaç nga ekipet e ndryshme të KOSTT dhe për të mos penguar procesin e punës, kërkesa juaj mbetet të realizohet në një të ardhme të afërt për të cilën do ju njoftojmë me kohë”.

KOSTT është pyetur nëse janë në dijeni që nuk u kryen punime gjatë të mërkurës, dhe se kur pritet të fillojnë.

Deri në publikimin e kronikës, KOSTT nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, përfaqësuesit e qytetarëve në veri, thonë se ky lajm i gëzoi.

“Është një lajm i mirë për qytetarët, flas prej prizmit qytetarë të komunave veriore, dhe ne si qytetarë na ka mbetë vetëm të i kryejmë obligimet, të paguajmë rrymë, tatim, dhe të kërkojmë nga institucionet relevante të e përmirësojnë jetën tonë”, ka deklaruar Skënder Sadiku, asamblist në Mitrovicën Veriore.

Zyrtarët e KOSTT, vazhdimisht kanë deklaruar se ky nënstacion është i vjetër, dhe ka nevojë për remonte dhe investime.