Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për ndarjen e mbi 21 milionë eurove për kompaninë “ContourGlobal”, pas humbjes së rastit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Për këtë humbje milionëshe, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë fajësuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Kurti fajësoi pak edhe Qeverinë Hoti, raporton Express.
Republika e Kosovës do t’i paguajë mbi 21 milionë euro kompanisë “ContourGlobal”, me të cilën kishte lidhur marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Pavarësisht dëmeve, Kryeministri Albin Kurti tha se është më mirë që ky projekt nuk është realizuar.
“Siç kemi thënë vite më parë, ashtu edhe rezultoi, Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet e as s’ka qenë përmbajtje, e i dobishëm për vendin tonë. Për fat të keq, ndërprerja e Qeverisjes tonë në pranverën e vitit 2020, dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëtirë për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar që Kosova të mos kishte pasoja të tilla. Kështu siç kanë shkuar ngjarjet, krijohet bindja se asnjëherë ky projekt nuk e ka pasur në plan ta gjejë financimin e duhur por është mjaftuar me idenë e një Arbitrazhi të mundshëm që t’ia merr paratë Kosovës. Megjithë pasojat, është shumë më mirë që i njëjti nuk është realizuar sepse një mbrapështi e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, deklaroi Kurti.
Shuma e saktë e mjeteve që u ndanë është 21 milionë e 70 mijë e 583 euro e 27 centë.
Ministri Hekuran Murati tha se një nënshkrim “i papërgjegjshëm” i ish-kryeministrit Haradinaj, tani po i kushton vendit mbi 21 milionë. Ai tha se vendime të tilla po vazhdojnë t’i ndjekin edhe pas shtatë viteve.
“Një nënshkrim i tillë i papërgjegjshëm, tani i kushton Republikës së Kosovës mbi 21 milionë euro dhe edhe shtatë vite pas po vazhdojnë të na ndjekin vendime të tilla të papërgjegjshme dhe nënshkrime që I sjellin dëm buxhetit të Kosovës”, deklaroi Murati.
Sipas Muratit, me klauzolë parashihej që në rast Arbitrazhi, në rast se dëmi do të duhej t’i paguhej Kosovës vlera kufizohej në 8 milionë euro, e në rast se kompanisë mbi 19 milionë.
“Nuk është se të gjitha mund të fitohen, aq më pak në raste të tilla kur një marrëveshje e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017, përmbante vetë nënshkrimin e kryeministrit. Dmth Qeveria Haradinaj, kryeministri Haradinaj kishte nënshkruar marrëveshje përkundër të të gjithë paralajmërimeve nga opozita, nga shoqëria civile, nga ekspertët e fushës, që një kontratë e tillë nuk duhej të nënshkruhej sepse që në fillim edhe nëse shohim klauzolën që në rast të Arbitrazhit dhe në rast të procesi gjyqësor, sa shpërblehet njëra palë e sa tjetra, aty mund ta shohim pabarëzinë dhe asimetërinë e asaj kontrate. Në rast se dëmi duhej t’i paguhej Republikës së Kosovës, kostoja kufizohej në tetë milionë euro, kurse në rast së dëmi do të duhej t’i paguhej Contour Global, kostoja ishte 19.7 milionë. Dyfish e gjysmë më shumë për kompaninë sesa për shtetin”, deklaroi Murati.
Kurti më pas e quajti këtë kontratë si “kapitulluese”, duke thënë se me rastet tjera që i ka fituar Avokatura Shtetërore, shuma është përafërsisht shtatëfishi i shumës që duhet t’i paguajnë kësaj kompanie.
“Gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë, Avokatura jonë Shtetërore ka qenë shumë e suksesshme. Ajo cfarë kemi fituar është përafërsisht shtatëfishi i kësaj shumës që duhet të paguhet për shkak të humbjes në Tribunal për shkak të një kontrate kapitulluese e një qeverie të mëhershme me Contour Global. Çfarë të bëjmë, jemi ndodhur në një kësi situate ku duke pas parasysh atë kontratë, megjithatë kjo është e keqja më e vogël”, tha Kurti.
Në diskutim u përfshi edhe zëvendëskryeministrja dhe Kryediplomatja Donika Gërvallla, e cila pyeti nëse ka indikacione se dikush do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë marrëveshje.
“A kemi indikacione që dikush do të mbajë përgjegjësi ligjore për lidhjen e një kontrate të tillë e cila ka shkaktuar një dëm për 21 milionë euro apo nuk kemi indikacione të tilla që institucionet e drejtësisë kanë tendencë të merren me çështje të tilla”, ishte pyetja e Gërvallës drejtuar Ministrit Murati.
Ai u përgjigj se nuk ka ndonjë informacion, duke shtuar se institucionet të vihen ë lëvizje për të vënë përgjegjësit para drejtësisë.
“Deri më tani, me njohuritë që kam, nuk kam ndonjë informatë që ka diçka të tillë por shpresoj që tani edhe me materializimin e këtij dëmi pra do të duhej të lëvizje aparati ligjzbatues për të vënë përgjegjësit para drejtësisë”, tha Murati.
Republika e Kosovës e kishte humbur betejën me kompaninë “ContourGlobal”, në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në tetor të vitit të kaluar.
Sipas vendimit, Kosova obligohej t’i paguajë mbi 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë në fjalë.
Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në dhjetor të vitit 2017. Në atë kohë, kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
Në mars të vitit 2020, kompania ishte tërhequr nga ndërtimi i termocentralit dhe e kishte dërguar Kosovën në Arbitrazh për mosrespektim të kontratës.
Kompania kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër marrëveshjes me ContourGlobal, duke thënë se ky projekt nuk do të realizohet pasi, kompania në fjalë mund ta rrisë çmimin e energjisë së faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike. Lidhja Demokratike të Kosovës ishte shprehur se do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.
“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit termocentrali ‘Kosova e Re’. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global. Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, kishte njoftuar atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.