Mundësi të jashtëzakonshme për investim me shitjet e fundit të AKP-së në lokacionet kryesore të Kosovës

Agjencia Kosovare e Privatizimit-AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) fton investitorët dhe sipërmarrësit ambiciozë të shfrytëzojnë mundësinë e blerjes së pronave të shkëlqyeshme në lokacione të ndryshme dinamike në mbarë Kosovën.

Me valën e fundit të shitjes së aseteve, e cila është shpallur me 11 korrik dhe do të jetë e hapur deri me datë 31 korrik, janë tenderuar 36 prona që ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për blerje dhe zhvillim të biznesit tuaj.

Vala e 67-të e shitjes së aseteve (ShAL 67) paraqet një portofol të larmishëm pronash të shpërndara në rajonet kryesore të Kosovës. Rajoni i Prishtinës përfshinë 11 asete, përfshirë toka bujqësore në zonat atraktive të Podujevës, Graçanicës dhe Prishtinës, si dhe hapësira afariste në qendër të Prishtinës, që paraqesin mundësi të shkëlqyera investive. Në rajonin e Pejës janë tenderuar për shitje 14 asete, përfshirë toka bujqësore të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme dhe tokë komerciale/ndërtimore për zhvillimin e biznesit në fshatrat e Gjakovës, Klinës dhe Istogut. Gjithashtu, ofrohen për shitje pjesë të linjës për prodhimin dhe mbushjen e lëngjeve.

Reklama e sponzorizuar

Në rajonin e Prizrenit ofrohen 5 asete në shitje, përfshirë lokale dhe tokë bujqësore në Komunën e Prizrenit dhe Dragashit ndërkaq në rajonin e Mitrovicës janë në shitje 6 asete, përfshirë lokale dhe depo më sipërfaqe atraktive për zhvillim biznesi, si dhe asete në Komunën e Vushtrrisë. Të gjitha këto asete të ndërmarrjeve shoqërore paraqesin mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.

Blerësit mund të konkurrojnë për njërin nga këto asete apo mund të konkurrojnë për më shumë asete. Gjithë procesi i dorëzimit të ofertave dhe i hapjes dhe zbulimit të çmimeve është i siguruar dhe garantuar dhe zhvillohet me transparencë të lartë, në prani të mediave dhe gjithë blerësve konkurrentë dhe transmetohet drejtpërdrejt.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.67 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 31.07.2024, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo në tel: +383 (0) 38 500 400, ext. 1090 apo ext.2059.