Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një aktivitet të mbajtur këto ditë, ndau çmimet e partneritetit SHBA-Kosovë për kompanitë që kanë kontribuar në marrëdhëniet e fuqishme të biznesit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në mesin e kompanive të shpërblyera është edhe “Ventius International L.L.C”, emri zyrtar i fabrikës së dyshekëve “Comodita Home”, e cila eksporton dyshekë në SHBA.
Aktualisht, kjo kompani e ka të ndaluar eksportin për SHBA dhe po hetohet nga Departamenti Amerikan i Tregtisë nën dyshimet për shitje të dyshekëve në tregun amerikan me çmime ‘dumping’, praktikë kjo e ndaluar dhe që shkelë rregullat e konkurrencës lojale.
Por kjo duket të mos ketë qenë pengesë për drejtuesit e kësaj organizate (OEAK) që përfaqëson interesat e bizneseve amerikane në Kosovë.
Sipas njoftimit të bërë publik nga Oda Amerikane, “Ventius International” është në mesin kompanive të shpërblyera për partneritet me SHBA.
“Kompanitë e mëposhtme janë shpërblyer me Çmimet e Partneritetit SHBA-Kosovë në gjashtë kategori të ndryshme respektive: LAB-OIL, Poligoni i Shenjëtarisë Katana, Delfin, Meditech, Auto Kaçandolli, Ventius International, Limak Kosovo International Airport, Minna, Walone Fashion Group, Artmotion, Nettxio, Radix Software Inc., RIT Kosova, Sutherland Global Services Kosovo, BP – Home Invest, Stonecastle Vineyards & Winery, Coca-Cola HBC, Birra Peja, Royal Beverage, AGNA Kosova, ELKOS Group, Meridian Corporation, Yesspharma, dhe Kostrade”, thuhet në njoftimin e Odës Amerikane.
Nga Oda Amerikane, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, thonë se çmimet e partneritetit SHBA-Kosovë janë ndarë në bazë të të dhënave të institucioneve të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe sipas tyre, kompania “Ventius International” ka qenë ndër dhjetë kompanitë me eksportin më të madh nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vitin 2023.
Ata nuk e kanë mohur se kanë qenë në dijeni për një procedurë hetimore të nisur në SHBA ndaj kompanisë “Ventius International”.
“Njoftimet për vendimet e Departamentit të Tregtisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë publike dhe jo vetëm për prodhuesit nga Kosova, por edhe për prodhuesit nga shtetet e tjera anembanë botës, e duke qenë të tilla janë të qasshme për publikun e gjerë. Ndaj kompanisë në fjalë ka një vendim dhe masë preliminare, e cila nuk paragjykon vendimin përfundimtar të institucioneve përkatëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Hetimet në SHBA ndaj “Ventius International”
Departamenti Amerikan i Tregtisë është duke zhvilluar procedurë hetimore ndaj kompanisë kosovare “Ventius International L.L.C”, emri zyrtar i fabrikës “Comodita Home”, nën dyshimet për shitje të dyshekëve në tregun amerikan me çmime ‘dumping’, praktikë kjo e ndaluar.
Pra, aktualisht kjo kompani e ka të ndaluar të eksportojë dyshekë në SHBA.
Vendimi për pezullim të eksporteve nga kjo kompani është marrë më 1 mars 2024 nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, pas një periudhe hetimore që ka zgjatur nga data 1 korrik 2022 deri më 30 qershor 2023.
Sipas njoftimit zyrtar të institucioneve amerikane, dyshohet se dyshekët e kompanisë “Comodita” nga Kosova janë shitur me çmime artificiale në tregun amerikan, apo me çmime shumë më të ulëta se çmimi i tregut.
Praktikë ‘dumping’ kemi kur një kompani futet në tregun e një vendi tjetër me çmime artificiale, apo shumë më të lira se sa çmimet reale në një treg përkatës. Kjo zakonisht bëhet për të fituar më shumë treg përmes një konkurrence jo-lojale.
Dhe një praktikë e tillë dyshohet se është zbatuar në tregun amerikan nga kompania kosovare e dyshekëve.
“Dyshekët nga Kosova: Përcaktimi Preliminar Pohues i Shitjeve Më Ulët se Vlera e Drejtë, Shtyrja e Përcaktimit Përfundimtar dhe Zgjerimi i Masave të Përkohshme”, kështu thuhet në titullin e njoftimit zyrtar nga “Federal Register”, një gazetë ditore e qeverisë amerikane.
Në njoftim thuhet se Departamenti Amerikan i Tregtisë “paraprakisht përcakton se dyshekët nga Kosova po shiten, ose ka të ngjarë të shiten në Shtetet e Bashkuara me çmim më të ulët se vlera e tregut”.
“Në përputhje me nenin 733(d)(2) të Aktit, Departamenti Amerikan i Tregtisë do të kërkojë nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA që të pezullojë likuidimin e hyrjeve të mallrave për këtë subjekt, siç përshkruhet në Shtojcën I, të futura ose të tërhequra nga magazina, për konsum pas datës së publikimit të këtij njoftimi në Regjistrin Federal”, thuhet në njoftim.
Më 28 janar 2024, kompania kosovare kishte kërkuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë që masat e përkohshme për ndalim të importit të zgjateshin jo më gjatë se gjashtë muaj. Kjo kërkesë është miratuar. Gjatë kësaj periudhe pritet të merret edhe vendimi final mbi dyshimet e ngritura.
Në njoftim ceken po ashtu afatet kur pritet të merret një vendim përfundimtar, siç thuhet aty, “për të parë nëse importet e dyshekëve të Kosovës dëmtojnë materialisht ose përbëjnë kërcënim për industrinë amerikane”.
Fabrika e dyshekëve “Comodita Home” është prodhuesi më i madh i dyshekëve në Kosovë. Fabrika është nën pronësinë e “Devolli Corporation”.
“Comodita Home” nuk është përgjigjur për Buletinin Ekonomik lidhur me këto dyshime nga autoritetet amerikane deri në publikimin e shkrimit. Edhe kontakti me zyrtarët e kësaj fabrike, ka qenë i pamundur.
“Ventius International” prapa “Comodita Home”
Në anën tjetër, lidhja mes kompanisë “Ventius International L.L.C” dhe fabrikës “Comodita Home”, dëshmohet përmes të dhënave në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Aksionar në “Ventius International L.L.C” është kompania “Ventius Investment Internation Holding”. Në të dhënat e kësaj të fundit, figurojnë informata zyrtare të fabrikës “Comodita Home”.
Buletini ka kontaktuar në numrin zyrtar të “Ventius International L.L.C” të lënë në ARBK. Personi që është përgjigjur në këtë thirrje, ka thënë se më herët ka punuar në fabrikën “Comodita Home”, por që aktualisht nuk është më pjesë e kësaj kompanie. Ai e ka konfirmuar lidhjen mes të dyjave, kur është pyetur se a është kompania “Ventius International L.L.C” prapa fabrikës “Comodita Home”.
“Po është e njëjta”, ka thënë shkurt.
Buletini Ekonomik ka provuar të marrë një deklaratë zyrtare edhe nga drejtori ekzekutiv në “Ventius International”, Eroll Shabi, por kontakti me të ka qenë i pamundur. /Buletini Ekonomik/