Minatorët në minierën e Trepçës në Stan Tërg ndërprenë punën para disa ditësh.
Njëjtë sikurse në të kaluarën, shkak u bënë problemet e vjetra, vonesat në paga.
Në një kohë krize për ndërmarrjen “Trepça”, dikush duket se po përfiton kundërligjshëm mijëra euro.
Auditori i Përgjithshëm ka gjetur një mal shkeljesh, në ndërmarrjen, të cilën qeveria thotë se po synon të rimëkëmbë.
Njëra prej gjetjeve të shumta të Auditorit, tregon se si “Trepça” e pagoi një punonjës 7 mijë e 600 euro më shumë se paga që do të duhej të merrte.
Punonjësi, sipas auditorit kishte pagë bruto në vlerë 1 mijë e 140 euro, kurse u pagua nga ndërmarrja plot 8 mijë e 797 euro në muaj.
E gjithë kjo sipas raportit voluminoz ndodhi, për shkak të mungesës së kontrolleve të brendshme.
“Bordi Mbikëqyrës duhet të siguroj që kompensimet e punëtorëve janë realizuar ashtu siç kërkohet në ligjin e punës dhe të ndërmerr hapa korrigjues për pagesën e realizuar përtej kontratës”, theksohet në rekomandimin e Auditorit të Përgjithshëm për këtë çështje.
Një problematikë tjetër të cilën e ka gjetur Auditori, është edhe emërimi në disa pozita i personave që nuk kanë kualifikimet e kërkuara.
Në një rast, Auditori ka identifikuar se një punonjës ishte emëruar Epror i lartë i skuadrave, pa u trajnuar dhe pa poseduar çertifikatë përkatëse. Gjithashtu, pozita të cilën e ushtronte nuk ishte pozitë e punës që kishte të bënte me minierën, e për më tepër pozita në fjalë nuk ishte e paraparë as në organogram.
Për këtë angazhim, “Trepça” e kompensoi zyrtarin me 300 euro shtesë në muaj.
“Ne kemi kërkuar dëshmi lidhur me vlerën e shtesës së kompensimit, mirëpo ndërmarrja nuk ka arritur të na siguroj bazën ligjore. Për më tepër, me këtë vlerë 300 euro ishin kompensuar edhe anëtarët e tjerë të Çetës së Shpëtimit”, theksohet në gjetjen e auditorit.
Në mesin e shkeljeve të evidentuara nga auditori, janë edhe mos regjistrim i plotë i pasurive dhe mungesë e dëshmive, mungesë e një politike për trajtimin e pasurive dhe zhvlerësimit, mos prezamtim i saktë i pasqyrës së rrjedhjes së parave, si dhe dhjetëra problematika të tjera.