Reagon MSH pas hulumtimit të Buletinit Ekonomik, thotë se konsulenti gjerman vendosi të dhënat e Sekretarit në ARBK “pa dijeninë” e tij, pranon se një zyrtar tjetër kreu shërbime për KImego Consulting

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj hulumtimit të Buletinit Ekonomik që u publikua të premten. Hulumtimi që mban titullin “Dyshimet për konflikt interesi në MSH:  Sekretari “person kontaktues” në biznesin e huaj që kreu punë për ministrinë, vartësi i tij kontabilist”, sipas MSH-së është i pavërtetë, pasi siç thonë ata, Sekretari i përgjitshëm i kësaj ministrie nuk ka asnjë funksion në shoqërinë tregtare Klmego Consulting.

“Njoftojmë opinionin publik se pretendimet për konflikt interesi në MSh, janë të pa vërteta, për shkak se Sekretari i Përgjithshëm nuk ka asnjë funksion në shoqërinë tregtare të apsotrofuar në artikullin e lartcekur, si dhe nuk ka asnjë marrëdhënie biznesore me z. Weismann.   Pra ashtu siç kemi theksuar edhe me herët për Gazetën Buletini Ekonomik se: z. Weismann pas kontraktimit si ekspert në MSh, ka vendosur këto të dhëna në ARBK pa u konsultuar me Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë. Për më tepër kjo gjë vërtetohet edhe në vet përgjigjen e z. Weismann në shkrimin e larcekur, ku thuhet se numri i telefonit është vendosur pa njohurinë dhe pëlqimin e Sekretarit të Përgjithshëm”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Hulumtimi i Buletinit Ekonomik:

Dyshimet për konflikt interesi në MSH:  Sekretari “person kontaktues” në biznesin e huaj që kreu punë për ministrinë, vartësi i tij kontabilist

Reklama e sponzorizuar

Ministria e Shëndetësisë ka thënë me këtë rast se të dhënat e bizneseve në Kosovë janë publike dhe nga regjistri i bizneseve i ARBK mund të shihet se Alina Wiesmann është pronare e vetme dhe person përgjegjës i autorizuar nga kompania.

“Po ashtu, për publikun sqarojmë se vendosja e numrave kontaktues gjatë hapjes së një biznesi, nuk verifikohet nga ana e ARBK-së, prandaj edhe mund të ndodh që personat të cilët bëjnë kërkesë për hapje të biznesi, të vendosin pa autorizim dhe pëlqim numrat e kontaktit të personave të gabuar.”

Sipas MSH-së, në momentin që Sekretari i Përgjithshëm është informuar në lidhje me vendosjen e paautorizuar të numrit të telefonit nga z. Weismann, është kërkuar menjëherë të bëhet heqja e numrit nga profili i biznesit.

Kurse për Negjip Shehollin, i cili është Specialisti i Menaxhimit Financiar në Njësinë Koordinuese të Projektit, ministria thotë se ai nuk është pjesëmarrës në vendimmarrje, por vetëm ka ofruar asistencë teknike për deklarimin dhe pagesën e TVSh-së që në sistemin EDI të ATK-së nuk lejohet të bëhet deklarimi pa e cekur zyrtarin i cili deklaron obligimet tatimore, duke pranuar kështu së i njëjti ka punuar për kompaninë në fjalë.

“Kështu që, konsulentit i është dhënë asistencë nga Projekti i Bankës Botërore që ai të kryej obligime ndaj shtetit siç obligohet nga dispozitat ligjore të Republikës së Kosovës.   Gjithashtu, informojmë publikun se eksperti gjerman është kontraktuar sipas procedurave të prokurimit të Bankës Botërore dhe është përzgjedhur në bazë të kritereve të vlerësimit nga Komisioni për vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik dhe jo siç pretendohet në artikullin e gazetës online “Buletini Ekonomik””, përfundon reagimi. /Buletini Ekonomik/