Dy ministrat e kabinetit të Albin Kurtit janë involvuar personalisht që të krijojnë tërë bazën ligjore për favorizimin e një konsorciumi investitorësh për prodhimin e energjisë alternative.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Hekuran Murati me një letër të përbashkët dërguar me 29 nëntor 2023 kërkuan nga Evetar Zeqiri, kryeshef ekzekutiv në KOSTT një zotim për garancinë e pagesës për miliona euro një konsorciumi të kompanive me emrin ‘Lindja Solar L.L.C.’ e krijuar vetëm pak muaj më parë.
Në fakt kjo letër që mban firmën e Artane Rizvanolli e Hekuran Muratit i lëshoi një garanci pagese prodhuesit të privilegjuar në vlerë prej 6,750,000.00 euro (gjashtë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë euro).
E këtë e kërkuan drejtpërdrejt Artane Rizvanolli dhe Hekuran Murati.
“Pas letrës sonë të zotimit për ‘Ofertuesin me të favorshëm’ me 28 dhjetor 2023 ne lidhje me garancinë e paraparë në kuadër të Marrëveshjes për Blerjen e Energjisë Elektrike (MBE), Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve zotohen të përfshijnë dispozitat e nevojshme për mbështetje financiare ndaj KOSTT në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe Ligjin e Buxhetit Vjetor pasues, i cili i nënshtrohet procesit vjetor të miratimit nga parlamenti. Këto dispozita do të mundësojnë mbështetje financiare për Operatorin e Transmisionit, Sistemit dhe Tregut të Kosovës J.S.C. (KOSTT), duke i mundësuar lëshimin e një garancie të pagesës në formë të një garancie bankare, në përputhje me termat dhe kushtet e përcaktuara në Marrëveshjen për Blerjen e Energjisë Elektrike të nënshkruar me Ofertuesin më të Favorshëm”, thuhet në letrën firmosur nga Artane Rizvanolli dhe Hekuran Murati, që mban datën e 29 nëntorit 2023.
Sipas hulumtimit të Gazetës Infokus KOSTT-it i është kërkuar mbështetja financiare për gati 7 milionë euro për këtë konsorcium. E ky borxh parashihet t’i kthehen KOSTT-it për 12 muaj, pas fillimit të prodhimit të energjisë elektrike, madje me kompensim me energji të prodhuar dhe jo para të gatshme.
Artane Rizvanolli dhe Hekuran Murati, siç thuhet në letër, mirëpresin vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në drejtim të realizimit me sukses të këtij projekti të ndërtimit të kapaciteteve të energjisë nga burimet e ripertritshme, në përputhje me objektivat e Strategjisë së Energjisë (2022-2031) dhe zotimeve ndërkombëtare të marra nga Republika e Kosovës në kuadër të Komunitetit të Energjisë.
Në fakt letra ka pasuar nga një email paraprak dërguar kryeshefit të KOSTT, Evetar Zeqiri me 29 nëntor 2023 ku Anyla Beqa, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë e ministres, Artane Rizvanolli ka sqaruar se nuk ka ndonjë rrezik për mos pagesë nga KOSTT-i duke treguar se konsorciumi duke e quajtur ofertues serioz ka kërkuar garancion apo letër kredie.
“Kërkesa specifike, dhe përcaktuese për pjesëmarrjen në Ankand, nga disa ofertues serioz ka qenë të ofrohet një Letër Kredie apo Garancioni te ofertuesi i suksesshëm (Prodhuesi) në vlerën e të hyrave të pritura të tij nga shitja e energjisë elektrike për periudhën 12 mujore, në vlerë deri në 9 milionë Euro. Arsyeja kryesore nga ofertuesit e mundshëm, përmendet të jetë risku i likuiditetit që ka KOSTT-i dhe që është i ndërlidhur me mundësinë e mos pagesave, duke aluduar në gjendjen financiare të KOSTT. Ministria në përgjigje drejtuar të gjithë ofertuesve të mundshëm, e kemi sqaruar se pagesat e KOSTT/Operatorit te Tregut ndaj Prodhuesve të BRE që janë në skemë mbështetëse, si tipi i parkut solar 100MË, janë kosto që KOSTT i ka te reflektuara në tarifë, si dhe financohen nga linjë e veçante që administrohet përmes Fondit te Burimeve të Ripertritshme, duke theksuar se nuk ka ndonjë rrezik për mos-pagesë”, thuhet në letrën e 29 nëntorit të shefes së kabinetit të Artane Rizvanollit.
Këto dy kërkesa kanë mobilizuar kryeshefin ekzekutiv të Operatorit të Sistemit Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike dhe tërë bordin e KOSTT-it.
Me 28 maj të këtij viti kryeshefi ekzekutiv bashkë me stafin e tij kanë kërkuar nga bordi i drejtorëve të KOSTT-it “autorizimin e nënshkrimit të marrëveshjes për blerjen e energjisë me garancionin e pagesës, nga KOSTT në cilësinë e blerësit të garantuar me prodhuesin e privilegjuar (ankandi Solar 100MW)”
Këtu në dy faqe tekst jep shpjegime për procesin e ankandit dhe përzgjedhjes së investitorëve në këtë fushë.
Në fund rekomandon ”…bazuar në elaborimet e lartcekura, analizën faktike dhe juridike të të gjithë dokumentacionit dhe rrethanave faktike ndërlidhur me Marrëveshjen për Blerjen e Energjisë Elektrike nga prodhuesi i Privilegjuar i Ankandit Solar 100 MW, i Rekomandohet Bordit të Drejtorëve të shqyrtoj dhe të miratojë Marrëveshjen për Blerjen e Energjisë me përfshirjen e klauzolës për garancinë e pagesës, dhe të autorizoi Kryeshefin Ekzekutiv të nënshkruaj marrëveshjen në fjalë”.
Këtij dokumenti i është bashkangjitur edhe një Analizë e aspekteve të operimit të tregut, rregullativave, financiare dhe ligjore lidhur me garancionin e pagesës në Marrëveshjen për blerje të energjisë elektrike me prodhuesin e privilegjuar dhe autorizimet për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
Dhe me datën 30 maj bordi i drejtorëve të Kostt-it mori vendim dhe autorizoi Kryeshefin Ekzekutiv që “të nënshkruaj “Marrëveshjen për Blerje të Energjisë Elektrike prodhuar nga centrali fotovoltaik (FV) 100MW ndërtuar në tokë publike”, në cilësinë e Blerësit të Garantuar me Prodhuesin e Privilegjuar “Lindja Solar L.L.C, me garancinë e pagesës si pjesë e dosjes së tenderit në ankand, mbi bazën e Letër Zotimit ndaj Ofertuesit më të favorshëm për Garancinë e Pagesës nga KOSTT me Nr. Prot. 7097 te dt. 28.12.2023 dhe Nr. Prot. 2778 te dt. 29.12.2023 dhe Letër Zotimit KOSTT-it për Garancinë e Pagesës me Nr. Prot. 4534 te dt.23.05.2024 dhe Nr.Prot.1258 te dt.23.05.2024, te lëshuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”.
Kush është konsorciumi “Lindja Solar L.L.C”?
Konsorciumi “Lindja Solar L.L.C” përbëhet nga 4 kompani dhe vlen të theksohet se u regjistrua si i tillë vetëm dy muaj më parë.
Pra konkretisht me datën 10 maj 2024 me qendër në Rahovec.
‘Jaha Solar SH.P.K’ me drejtor ekzekutiv, Fadil Hoxhën, kompania ‘Holdigaz SA’, ‘Orllati (VD) SA dhe ‘ZPV GmbH & Co.KG’ përbëjnë këtë konsorcium që u themelua së voni.
Kapitali që këto 4 kompani së bashku kanë deklaruar është 100 mijë euro, shkruan Gazeta Infokus.
Aktiviteti i tyre kryesor është “Instalimi i makinerive dhe pajisjeve industriale”, ndërsa prodhimin e energjisë e kanë aktivitet sekondar e më pas edhe transmetimin, shpërndarjen e tregtinë e energjisë elektrike.
Numri i punëtorëve të deklaruar është nëntë. /Infokus/