Sot lansohet ‘Dritarja për Investime të Diasporës’

Sot do të bëhet lansimi i “Dritares për Investime të Diasporës” organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore në partneritet me projektin e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID) për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa.

Në pjesën e parë të ngjarjes, pjesëmarrësve do tu adresohet Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Drejtori Menaxhues i FKGK-së, Besnik Berisha.

Ndryshe, ditë më parë Kryeministri i vendit, Albin Kurti, lëshimin e kredive investuese për diasporën, e ka quajtur si pako të mirëseardhjes.

Reklama e sponzorizuar

“Pakoja jonë e mirëseardhjes këtë vit për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë do të përfshijë edhe një dritare garancie kredie, të cilën do ta hapim javën e ardhshme, për të garantuar kredi investuese të diasporës sonë që duan të kthehen dhe të investojnë në vendlindjen e tyre, në Republikën tonë”, ka shkruar ai në ‘X’.

Tutje ai ka thënë se ky vendim vjen pasi Qeveria beson se “potenciali i rritjes së Kosovës dhe fuqia investuese e diasporës sonë duhet të shkojnë paralelisht”.