Temperaturat ekstreme të larta ngrisin çmimin e rrymës në bursat e energjisë

Fotografi ilustruese

Tregtarët e energjisë elektrike në tregje të ndryshme të botës, duke përcjellur vazhdimisht ngritjen e konsumit të rrymës, si rrjedhojë e ditëve me nxehtësi ekstreme dhe jo normale për shumë vende të botës, dhe kërkesat e shumë shteteteve për energji plus, pa vonuar kanë ngritur ndjeshëm çmimin e rrymës, madje në disa bursa energjetike, tashmë çmimet janë dyfishuar dhe shumëfishuar. Sot, në Bursën Hungareze të Energjisë, një megavat gjatë ditës mesatarisht është tregtuar me 230 euro. Në Bursën Shqiptare, çmime stratosferike të rrymës në orët e pikut…

Buletini Ekonomik

Temperaturat ekstreme të larta, që po zgjasin me ditë dhe javë të tëra në shumë rajone të botës dhe të Europës, por edhe të rajonit tonë, kanë ndikuar në ngritjen e vrullshme të çmimit të energjisë elektrike në bursat botërore të energjetikës. Tregtarët e energjisë elektrike në tregje të ndryshme të botës, duke përcjellur vazhdimisht ngritjen e konsumit të rrymës, si rrjedhojë e ditëve me nxehtësi ekstreme dhe jo normale për shumë vende të botës, dhe kërkesat e shumë shteteve për energji plus, pa vonuar kanë ngritur ndjeshëm çmimin e rrymës, madje në disa bursa energjetike, tashmë çmimet janë dyfishuar dhe shumëfishuar.

Sot, bie fjala, në Bursën Hungareze të Energjisë HUPX, një megavat orë gjatë ditës mesatarisht është tregtuar me 230 euro, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme çmimi mesatar i një megavati në këtë bursë ishte 264 euro. Interesant është se në orët e pikut, kur rëndom energjia elektrike ka goxha çmim më të lartë, sot dhe dje, në Bursën Hungareze të energjisë, çmimi i rrymës në këto orë (të pikut, pra) kishte paksa çmim më të ulët me atë mesataren gjatë ditës. Sipas të dhënave të kësaj burse, sot, gjatë orëve të pikut, një megavat-orë është planifikuar të kushtojë 210 euro, ndërsa dje në këto orë kushtonte 218 euro. Këto çmime janë dyfish më shumë se sa çmimet para dy –tre muajsh të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

Ndërsa, çmimi i rrymës në Bursën Shqiptare të Energjisë ALPEX, në orët e pikut, dallon shumë, dhe është dyfish e më shumë se sa në bursën hungareze. Në Bursën Shqiptare, sot në orët e pikut, më saktësisht nga ora 18:00 deri në orën 22:00 është planifikuar që çmimi i megavatit të jetë mbi 500 euro, që siç u tha më sipër, është disa herë më i lartë se në këto orë në Bursën Hungareze.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, çmimi mesatar i një megavati gjatë orëve të ditës në ALPEX, sot ka qenë 210 euro, dhe dje ky çmim ishte 218 euro. Siç dihet, ALPEX është paraparë të operacionalizojë tregun e ditës në avancë për zonën e ofertimit të Kosovës së bashku me bashkimin e tregjeve të energjisë Shqipëri-Kosovë, si i pari projekt në Ballkanin Perëndimor.

“Ne e kemi pasur të qartë rëndësinë dhe kompleksitetin e këtij projekti, por kemi vënë përpara interesat e të dy vendeve kur vendosëm të bëjmë bashkimin e tregjeve brenda disa muajve pas lansimit në Shqipëri”, kanë thënë zyrtarë të kësaj burse.

Ishte paraparë, po kështu, që në muajin prill të këtij viti, ALPEX të prezantojë tregun e ankandit brenda së njëjtës ditë me tre ankande për Shqipërinë, dhe në muajin qershor, së bashku me bashkimin e tregut e ankandit brenda së njëjtës ditë me Kosovën që është përsëri projekti i parë në ËB6.

Autoritet e Bursës Shqiptare kanë shkoqitur edhe arsyet pse KESH dhe KEK-u blejnë energji elektrike jashtë saj, kur dihet se ALPEX, është bursë e Shqipërisë dhe Kosovës .

“Bursa ALPEX është një bursë e ditës në avancë, në të cilën qarkullojnë flukse energjie vetëm për ditën e ardhshme’ kanë thënë zyrtarët.

Ndërsa, dihet se me qëllim menaxhimin e flukseve të energjisë së prodhuar, në veçanti në kushtet e prodhimit gjatë prurjeve të mëdha, garantimi i niveleve të sigurisë së rezervës hidrike kërkon që prodhimi i energjisë të qarkullojë në periudha më të gjata se të ditës në avancë.

“Jo çdo sasi e energjisë e shpallur për t’u tregtuar, arrihet të tregtohet në bursë, efekt ky që sjell nevojën e qarkullimit të produktit të energjisë me shitje, kur rezervimi i tij është i pamundur, përndryshe garantimi i sigurisë së digave do të sillte menaxhim të prurjeve me shkarkime pa prodhim”, kanë sqaruar autoritetet.

Ditët me temperatura ekstremisht të larta dhe përtej normales në Kosovë gjatë 15-20 ditëve të fundit, kanë rritur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike edhe në vendin tonë. Qytetarët, kushtimisht kanë qenë të detyruar të angazhojnë të gjjitha mjetet në dispozicion për freskimin e shtëpive të tyre. Kanë aktivizuar stabilimente të ftohjes së ambienteve, të klimatizimit, të freskimit të domosdoshëm të shtëpive dhe banesave, dhe si rrjedhojë, natyrisht, është shtuar ndjeshëm shpenzimi i energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të KEDS/KESCO, gjatë këtyre ditëve në konsumin e Kosovës është shpenzuar dikur mbi 10 për qind më shumë energji elektrike, se sa kur në vend kanë mbajtur temperatura më normale.

Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO i kishte thënë Buletinit Ekonomik se tani, në këto temperatura ekstremisht të larta, konsumi mesatar ditor në Kosovë ka shkuar në 12.550 megavatë-orë, që nëse krahasohet me ditët e para të qershorit, i bie që shpenzimi i rrymës në Kosovë ka shënuar rritje diku mbi 10 për qind.

Megjithë këtë rritje të konsumit të energjisë elektrike, sistemi elektroenergjetik i vendit ka funksionuar relativisht mirë. Ka pasur furnizim stabil dhe pa ndërprerje, dhe në ndonjë orë të pikut, kur është shtuar shpenzimi i rrymës dhe prodhimi vendor nuk ka mjaftuar të përmbushë nevojat e konsumit të rritur, Kosova edhe ka blerë energji elektrike nga tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, zyrtarë të KEK-ut kanë njoftuar se përkundër temperaturave të larta, është arritur të mbahet prodhimi i zakonshëm në këta muaj. Edhe këtyre ditëve në prodhim gjenden dy blloqe të termocentraleve Kosova A (A3 dhe A5 me gjithsej 260 megavatë-orë) dhe dy njësitë e termocentraleve Kosova B, (B1 dhe B2) me gjithsej rreth 520 megavatë-orë, ose secila njësi me 260 megavatë. Kur t’i shtohen kësaj sasie të rrymës së prodhuar nga termocentralet e KEK-ut (rreth 780 megavatë) edhe disa dhjetëra megavatë nga kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme (sasia e prodhuar në stabilimentet e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës si dhe në disa minihidrocentralet ekzistuese në vend), del që Kosova duhet të ketë diku rreth 800 deri në 850 megavatë energji elektrike të veten. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, kjo sasi, edhe përkundër rritjes së shpenzimit të rrymës, është e mjaftueshme për ta mbajtur stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe furnizimin pa ndonjë problem të theksuar. /Buletini Ekonomik/