Skënder Bucolli i ka thënë sot Buletinit Ekonomik se kapaciteti i përgjithshëm ditor i njësive gjeneruese të termocentraleve në operim (A3, A5 dhe B2) është është rreth 11 mijë megavatë-orë. Ndërsa, ditë më parë zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti ka thënë se gjatë këtyre ditëve konsumi mesatar ditor në Kosovë ka shkuar në 12.550 megavatë-orë, që nëse krahasohet me ditët e para të këtij muaji (qershorit, pra), i bie që shpenzimi i rrymës në Kosovë ka shënuar rritje diku rreth 10 për qind. Kur do të përmbyllen punët riparuese në bllokun A4 të Kosovës A dhe në B1 të Kosovës B?
Buletini Ekonomik
Situata elektroenergjetike në Kosovë, aktualisht është e brishtë dhe jo edhe aq e qëndrueshme. Konsumi i rritur për ditë e javë të tëra, si rrjedhojë e temperaturave ekstremisht të larta dhe prodhimi i reduktuar në termocentralet e Kosovës, si pasojë e riparimeve në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B dhe të A4-shit të Kosovës A, kanë krijuar një shpërputhje ndërmjet prodhimit vendor të rrymës dhe nevojave të konsumit të rritur të vendit.
Sipas njoftimeve të zëdhënësit të Korporatës Energjetike të vendit, Skënder Bucollit, aktualisht ka ditë që KEK-u i ka në funksion njësitë gjeneruese – blloqet A3 dhe A5 të termocentraleve Kosova A, me kapacitet secila nga 130 megavatë dhe njësinë gjeneruese B2 të termocentraleve Kosova B, që prodhon mesatarisht rreth 260 megavatë-orë. Kjo sasi, që është përafërsisht diku rreth 520 megavatë orë, sipas të dhënave të paraqitura nga zyrtarët për informim të KEDS/KESCO, nuk është e mjaftueshme për ta furnizuar mjaftueshëm konsumin e rritur të Kosovës në të gjitha orët e ditës.
Skënder Bucolli i ka thënë sot Buletinit Ekonomik se kapaciteti i përgjithshëm ditor i njësive gjeneruese të termocentraleve në operim (A3, A5 dhe B2) është është rreth 11 mijë megavatë-orë. Ndërsa, ditë më parë zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti, ka thënë se gjatë këtyre ditëve në konsumin e Kosovës është shpenzuar dikur rreth 10 për qind më shumë energji elektrike, se sa kur në vend kanë mbajtur temperatura më normale.
Zyrtarët e KESCO-së kanë thënë se konsumi mesatar ditor në Kosovë, këtyre ditëve me vapë ekstreme ka tejkaluar në raste 800 megavatëshin, që i bie se për të pasur furnizim të të gjithë konsumatorëve gjatë ditës, mesatarisht duhet siguruar, ose më saktësisht duhet të importuar mbi 250 megavatë-orë. Sipas zëdhënëses së KESCO, tani, në këto temperatura ekstremisht të larta, konsumi mesatar ditor në Kosovë ka shkuar në 12.550 megavatë-orë, që nëse krahasohet me ditët e para të këtij muaji (qershorit, pra), i bie që shpenzimi i rrymës në Kosovë ka shënuar rritje diku rreth 10 për qind.
Pra, sipas të dhënave të paraqitura nga zyrtarët e KEK-ut dhe të KESCO-s, del që konsumit të Kosovës brenda një dite sot për sot i mungojnë mesatarisht diku rreth 1.550 megavatë-orë, dhe një sasi goxha të madhe të rrymës së munguar – KESCO kushtimisht detyrohet ta importojë me çmime në raste të shfrenuara të larta, si pasojë e të nxehtit tropikal që ka kapluar rajonin dhe një pjesë të kontinentit të Europës. Gjithsesi, kjo është sasi që kërkon shumë para dhe për Kosovën me mundësi të kufizuara financiare, paraqet një sfidë në vete, aq më shumë, kur, siç raportohet, në tregjet ndërkombëtare, por edhe në bursën shqiptare të energjisë elektrike, çmimet e rrymës këtyre ditëve kanë lëvizur shumë, nga ora në orë dhe në raste kanë qenë stratosferike.
Dje dhe sot, sikur në tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike vërehet një rënie goxha e madhe e çmimit të rrymës, që ditë më parë një magavat kishte çmim madje edhe 800-900 euro.
Një megavat-orë i energjisë elektrike në Bursën Shqiptare ALPEX, në disa orë të ditës së të hënës ishte paralajmëruar të kenë çmimin madje 800 euro, ndërsa në orët e pasditës, diku rreth orës 20:00, ky çmim ishte paraparë të jetë 486 euro. Ndërsa sot, po në Bursën Shqiptare është paralajmëruar që një megavat, në orën 20:00 ta ketë çmimin 456 euro, ndërsa në mesditë megavati në këtë bursë ka kushtuar 4 fish më pak (104 euro), ndërsa në orën 18:00 parashihet të kushtojë 196 euro.
Ndërkohë në Bursën Hungareze HUPX, sot kanë rënë shumë çmimet e energjisë elektrike dhe një megavat gjatë ditës mesatarisht ka pasur çmimin 123 euro, ndërsa në orët e pikut, në këtë bursë parashihej që megavati të kushtojë 90 euro. Si do që të jetë, lëvizja kaq e ndjeshme e shpenzimit të energjisë elektrike edhe në konsumin e Kosovës, siç dihet, është rrjedhojë kryekëput e temperaturave ekstremisht të larta me ditë e javë të tëra (që nga gjysma e dytë e qershorit dhe deri në këto ditë të korrikut). Temperaturat sahariane në Kosovë, praktikisht kanë krijuar situatë tipike të ç’rregullimit të funksionimit normal dhe të planifikuar të sistemit elektroenergjetik të Kosovës sikur që është kjo e tanishmja, kur, në pikun e verës, por me ditë me temperatura ekstremisht të larta dhe përtej normales së ditëve të ngrohta, në Kosovë është rritur ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike.
Situatë e brishtë elektroenergjetike në vend do të mbajë, sipas të gjitha gjasave deri në gjysmën e dytë të muajit gusht, kur pritet të përfundojë edhe riparimi në bllokun B1 të Kosovës B. Siç ka njoftuar KEK-u, te B1-shi do të përfundojë riparimi saktësisht më 18 gusht 2024. Ndërsa te blloku A4 i Kosovës A, riparimi i planifikuar parashikohet të përmbyllet më 25 korrik. /Buletini Ekonomik/