Varfëria, një ndër çështjet më shqetësuese të kosovarëve

Edhe në edicionin e 26-të Përmbledhjes së Pulsit Publik, një program i UNDP-së, i bërë publik ditë më parë, varfëria (me 16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), u regjistruan si tre çështjet – shqetësimet kryesore të kosovarëve, duke nxjerrë kështu në pah në këtë anketë të opinionit të Pulsit Publik përceptimin për këtë problem që tashmë e disa vjet, respektivisht që nga paslufta, e ka “gur në qafë” Republika jonë.

Mehmet GJATA

Të dhëna relevante, statistika zyrtare dhe jozyrtare, sondazhe dhe hulumtime të ndryshme, flasin, konstatojnë dhe vlerësojnë pak a shumë njësoj se Kosova është shtet i varfër dhe me tendenca të thellimit të varfërisë dhe se varfëria vazhdon të mbetet një ndër çështjet më të ndjeshme dhe më shqetësuese në republikën tonë. Edhe në edicionin e 26-të Përmbledhjes së Pulsit Publik, një program i UNDP-së, i bërë publik këto ditë, varfëria (me 16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), u regjistruan si tre çështjet – shqetësimet kryesore të kosovarëve, duke nxjerrë kështu në pah në këtë anketë të opinionit të Pulsit Publik përceptimin për këtë problem që tashmë e disa vjet, respektivisht që nga paslufta, e ka “gur në qafë” Republika jonë. Dhe mos t’i shkojë ndokujt ndërmend, madje as të aludojë se vlerësimet e Përmbledhjes së Pulsit Publik, që publikohen dy herë në vit, mund të jenë të njëanshme, të pasakta, apo eventualisht mund të huqin përqindjet e përceptimeve të qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

Të dhënat e Pulsit Publik kanë qenë dhe janë qind për qind të sakta, të realizuara nga njerëz përgjegjës dhe profesionistë, dhe si të tilla, qe më shumë se njëzet vjet kanë ndihmuar që institucioneve dhe zyrtarëve të Kosovës t’u ofrohen të dhëna të paanshme dhe të besueshme për treguesit kryesor në lidhje me përceptimin e qytetarëve për çështjet socio-ekonomike, politike, të sigurisë dhe ato mjedisore.

Edhe shumë të dhëna të tjera japin dëshmi të besueshme se Kosova është realisht e varfër. Është më e varfëra në rajon. Vetëm Shqipëria është shumë pranë, madje thuaja ngjitas, për nga varfëria.

Më konkretisht, edhe në periudhën gjashtëmujore të këtij viti (2024-tës), shkalla e varfërisë në Kosovë ka mbetur theksueshëm e lartë dhe shqetësuese. Dhe kjo e dhënë vihet re te Bruto Produkti i Brendshëm (BPB), nga të ardhurat për frymë, nga mirëqenia e kosovarëve, nga shtresat numerikisht të shtuara që kërkojnë ndihma sociale, si dhe nga numri i kosovarëve që përditë ikën nga vendi i tyre…

Kosova, siç dihet, edhe në vitin e shkuar, ishte renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi. Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur e fundit në Evropë, më 2023 ishin saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Shqipëria, që FMN-ja së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha ende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Ndërsa, për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtarë për kokë banori. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në vitin 2023 e kishte 5.600 dollarë, po kështu e rendit të fundit Kosovën (mesatarja e BPB-së në BE është rreth 26 mijë euro për kokë banori). Dhe, ç’është më keq, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës. Dhe, njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, nuk e kanë fare të qartë, çka pastaj, a do të zbuten në vitet pas 2028-tës përmasat tronditëse të varfërisë, a do të ketë më pak të varfër numerikisht, kategori të ndryshme varfanjakësh që presin vazhdimisht dorën e ndihmës së shtetit.

Dhe, në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse.

Dihet, fuqia blerëse është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), Kosova vijon t’i ketë 30-33 për qind të mesatares së Bashkimit Europian, që është ndër më e ulëta në rajon, në Ballkanin perëndimor, pra. Nivelin më të lartë në rajon vitin e kaluar e pati Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje, e vendos Kosovën ndër të fundit, me diferencë të ndjeshme nga rajoni. Ky tregues vitin që shkoi ishte për Shqipërinë sa 40% e mesatares europiane, kurse në Bosnjë-Hercegovinë raporti është 42%. Rekordin e mban Mali i Zi me 64%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 51%.

Sipas Eurostat, konsumi aktual individual përbëhet nga mallra dhe shërbime të konsumuara aktualisht nga familjet, pavarësisht nëse ato janë blerë dhe paguar nga familjet drejtpërdrejt, ose nga qeveria apo nga organizatat jofitimprurëse.

Edhe të dhëna dhe statistika të tjera alarmante flasin për numra të pafund të njerëzve, të kosovarëve pra, që kërkojnë ndihmë dhe përkujdesje nga shteti i vet edhe për mbijetesë. Sipas të dhënave statistikore, të bëra publike në disa raste edhe nga Buletini Ekonomik, në fund të 2023-tës, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë. Në të gjitha komunat e Kosovës statistikat e varfërisë janë alarmuese.

Sipas statistikave nga ASK, nga skema e pensioneve bazike të moshës më 2023 ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues. Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër). Sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët, afro 200 mijë veta, bashkarisht pensionistët me pension të pleqërisë që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht).

Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me 100 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare.

Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Edhe në korrik të 2023-tës, përfaqësues të UNDP-së kanë treguar për medien se të gjeturat kryesore nga një anketë, ku janë përfshirë 1,500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind. Rezultatet nga anketa e vjetshme kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 – nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë.

S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madh ka pasur ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos të produkteve esenciale ushqimore. Dhe, këto fakte dhe shifra që pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen sociale aktuale në Kosovë (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 24 vjet), do të duhej të jenë mjaftueshëm alarmuese për zyrtarët e Republikës, që edhe në këto rrethana të mungesës evidente të potencës financiare të shtetit, të jenë shumë më të ndjeshëm, që nënkupton, shumë më të vëmendshëm, për t’u përkujdesur për shtresat e varfëra të vendit. Ndërsa, për të qenë më të ndjeshëm, dhe më të vëmendshëm ndaj këtyre kategorive të shetasve të vet, Kosova duhet të nisë krijimin dhe zbatimin e politikave ekonomike të efektshme, të tilla që gjenerojnë vende të reja pune, prodhime për treg të brendshëm dhe të jashtëm dhe investime dobiprurëse për këtë vend. Me rritje reale ekonomike, gjithsesi do të kishte mundësi reale për të zbatuar edhe politika më të efektshme sociale.

Ndryshe, varfëria krahas papunësisë dhe çmimeve për furnizimet esenciale, të regjistruara nga edicioni i sivjetshëm (i 26-të me radhë) i Përmbledhjes së Pulsit Publik, do të mbeten ndër çështjet kryesore të shqetësimeve të kosovarëve edhe në vitet në vazhdim, edhe ne anketat e tjera të Përmbledhjes së Pulsit Publik, edhe në të dhënat statistikore, në anketat dhe hulumtimet e pritshme që do të bëhen në vitet në vazhdim ku do të trajtohet çështja e varfërisë që nuk po i shqitet Kosovës. /Buletini Ekonomik/