Që nga marsi e këndej, KEK-u ka prodhuar energji elektrike, thuaja gjithnjë sipas planit dhe parashikimeve ditore e mujore, duke i përmbushur në të shumtën e ditëve verore nevojat e konsumit të vendit me energji elektrike. Pokështu, pa ndonjë çrregullim të ndjeshëm në procesin e prodhimit, i ka zhvilluar punët në remontet e planifikuara, duke arritur në të shumtën të prodhojë nga 5 blloqet e termocentraleve (3 të A-së dhe 2 të B-së) diku rreth 750 megavatë-orë mesatarisht energji elektrike.
Buletini Ekonomik
Përkundër verës me temperature enorme të larta dhe vështirësive e problemeve të planifikuara, por edhe të befasishme që janë përditëshmëri në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, KEK-u e ka menaxhuar goxha mirë dhe suksesshëm periudhën që nga kriza e madhe energjetike. Më konkretisht që nga marsi e këndej, KEK-u ka prodhuar energji elektrike, thuaja gjithnjë sipas planit dhe parashikimeve ditore e mujore, duke i përmbushur në të shumtën e ditëve verore nevojat e konsumit të vendit me energji elektrike.
Pokështu, pa ndonjë çrregullim të ndjeshëm në procesin e prodhimit, i ka zhvilluar punët në remontet e planifikuara, duke arritur në të shumtën të prodhojë nga 5 blloqet e termocentraleve (3 të A-së dhe 2 të B-së) diku rreth 750 megavatë-orë mesatarisht energji elektrike. Kjo sasi përgjithësisht i ka përmbushur nevojat verore të konsumit, ndërsa tepricat e prodhimit të energjisë elektrike, që të ne ndodhin në shumë raste, sidomos gjatë natës, janë eksportuar dhe një sasi e konsiderueshme është deponuar si huadhënie në Sistemin Elektroenergjetik të Shqipërisë (KESH).
Skënder Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka njoftuar Buletinin Ekonomik, se KEK-u deri në fund të korrikut ka eksportuar diku rreth 74 milionë euro energji elektrike. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë, pra deri në fund të korrikut në Sistemin Elektroenergjetik të Shqipërisë (KESH) ka deponuar si huadhënie rreth 100,178 megavatë orë energji elektrike. Aktualisht, KEK-u është duke operuar me 2 njësi të Kosovës A dhe me njërin bllok të Kosova B, më saktësisht me Bllokun B 2, në të cilin gjatë muajit të kaluar ka përfunduar remonti i planifikuar, ndërsa në bllokun B1, që nga 7 gushti kanë filluar punët remontuese, të cilat, sipas parashikimeve do të zgjasin diku rreth 25 ditë.
Ndërsa, po kështu, siç është paralajmëruar, Blloku A 5 i termocentraleve Kosova A, tashmë gjendet praktikisht në remont të planifikuar. Remonti në A5 ka filluar më 20.07.2022 dhe ishte paraparë të përfundojë që në fillin të gushtit.
Mirëpo, informacionet e fituara nga inspektimi i kufizuar i turbinës, në një farë mënyre bëjnë të ditur se gjatë këtij remonti kjo njësi gjeneruese nuk siguron operim të mëtutjeshëm, prandaj kushtimisht parashihet që në bllokun A 5 të bëhet një remont kapital, që siç parashihet, do të zgjas nga 01.09.2022 deri me 30.11.2022. Në këtë bllok do të bëhet remonti kapital në turbinë, gjenerator dhe kaldajë, ndërsa punët remontuese do t’i besohen ndonjë punëkryesi të dëshmuar të jashtëm.
Skënder Bucolli ka njoftuar se, për realizimin edhe të këtij remonti janë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme dhe të domosdoshme që ky remont të realizohet në kohë dhe me sukses. Punët remontuese më të thjeshta, siç është remonti, revizioni, bëhen rëndom nga ekipet e KEK-ut, ndërsa te remonti kapital, siç është rasti me bllokun A5, angazhohen ekipe të kompanive të jashtme të njohura për rivitalizime të mira dhe të verifikuara nga punët të ngjashme të mëhershme në termocentralet tona. Pra, në punët rreth remontit kapital të A5-shit do të angazhohen ekipe punonjësish të kompanive të jashtme.
Gjendja operuese e njësive prodhuese të KEK-ut është aktualisht stabile, megjithatë duhet pas parasysh faktin se këto njësi operuese, sidomos blloqet e Kosova A tashmë janë të stërvjetruara dhe si të tilla te to nuk mund të parashikohet ndonjë performancë fare e sigurtë, pasi që defektet teknike të paparashikuara në stabilimentet e vjetëruara janë lehtësisht të mundshme dhe të paparashikueshme. Sidoqoftë KEK-u, siç ka thënë Skënder Bucolli, konform planit është duke i duke bërë të gjitha përgatitjet (remontet e planifikuara) për të ngritur sigurinë në njësitë prodhuese për operim gjatë sezonit dimëror.
Ndërsa sa i përket furnizimit me energji elektrike kjo përgjegjësi sipas ligjit i takon furnizuesit publik (KEDS dhe KESCO). Me këtë ritëm të prodhimit të energjisë elektrike deri në këtë muaj, sipas Bucollit, KEK ka huazuar një sasi të rrymës edhe për nevojat e konsumit të Shqipërisë, duke u bazuar në marrëveshjen me KESH-in për shkëmbim te energjisë, me synim te përkrahjes se ndërsjellë dhe në mënyrë qe te krijojmë mundësi për energji shtesë gjatë periudhës dimërore.
KEK është duke ofruar sistemit elektroenergjetik shqiptar të gjitha tepricat e energjisë se prodhuar gjatë orëve të natës (pas plotësimit te nevojave të konsumit vendor).
Nga energjia elektrike e ofruar, KESH është duke marr rrymën e cila i nevojitet dhe për te cilën ka kapacitete transmetuese.
Të rikujtojmë se, kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dh tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë).
Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.
Në anën tjetër, Kosova A, që nga paslufta ka operuar me tre blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti i A1 është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa, A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavat, ndërsa në rrjet 190. Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji. Kapaciteti i prodhimit këtyre ditëve i blloqeve të Kosovës A është: A3 dhe A 4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- e vjetëruar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.
Ndërsa, konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë rreth 600-700 megavatë, ndërsa gjatë sezonit të dimrit, konsumi i Kosovës ka shkuar edhe në 1280-1300 megavat-orë. Si do të sigurojë Kosova sivjet, në muajt në vazhdim energjinë elektrike që do t’i mungojë mbetet të shihet. Por, së paku deri tash, nuk është bërë publik nga ana e institucioneve vendimmarrëse të vendit ndonjë veprim më konkret, i ndërmarrë eventualisht, për t’u përgatitur për muajt e pritshëm të ftohtë, që sa çel e mbyllë sytë janë këtu, për të siguruar në ndonjë farë mënyre sado pak, sasi të rrymës që tani është fare e qartë se do të mungojë në periudhën e dimrit./Buletini Ekonomik/