Afati dhe premtimi i autoriteteve më të larta të Kosovës, për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë brenda 365 ditësh, tashmë ka kaluar dhe ende kanë mbetur shumë e shumë punë për t’u finalizuar rreth rekonstruktimit të kësaj rruge shumë të rëndësishme. Siç dihet, fundi i gushtit ishte afati për finalizimin e punimeve për zgjerimin e kësaj magjistraleje, i përcaktuar edhe në dosjen e tenderit, ndërsa punimet në këtë rrugë kanë filluar më 3 korrik të vitit të kaluar.
Mehmet GJATA
Kaluan më shumë se 365 ditë sa ishte afati dhe premtimi i autoriteteve më të larta të Kosovës, për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, dhe ende kanë mbetur shumë e shumë punë për ta finalizuar rekonstruktimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme. Siç dihet, fundi i gushtit ishte afati për finalizimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, i përcaktuar edhe në dosjen e tenderit, ndërsa punimet në këtë rrugë kanë filluar më 3 korrik të vitit të kaluar, e finalizimi i tyre ishte paraparë të bëhet më 31 gusht të këtij viti, në pesë lotet e ndara me tender dhe nga 5 punëkryesit veç e veç, fitues të tenderit me kosto rreth 37 milionë euro.
Ta përkujtojmë se kryeministri Kurti, në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve për zgjerimin e pjesës së mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë (nga Bërnica në Lluzhan, rreth 16 kilometra), në verën e vitit 2023, dhe në të cilën kanë nisur punimet e para për zgjerimin e saj qysh para tetë vjetësh, më saktësisht që në vitin 2016, kishte deklaruar se rruga Prishtinë-Podujevë do të përfundojë për 365 ditë pune.
“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare”, deklaroi Kurti në verën e vitit të kaluar.
Ndërsa, edhe disa zyrtarë të tjerë u shprehën optimistë se këto punë do të finalizohen më 2024, duke theksuar se janë bërë të gjtha përgatitjet për t’u përmbushur ky afat, janë siguruar mjetet e nevojshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe janë bërë edhe shpronësimet për gjatë gjithë trasesë së magjistrales që do të zgjerohet.
Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me këtë rast ishte shprehur disi më i rezervuar, madje edhe skeptik se punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë do të përfundonin pas një viti, ani pse ashtu parashihej me kontratë. Ai kishte thënë se nga përvoja në të kaluarën, nuk pret që rruga të kryhet pas 365 ditësh.
“Nga përvoja e kaluar nuk pres që kryhet, por ne e kemi bërë mobilizimin maksimal për me arritë këtë datë, pra që të përfundojë për 1 vit. Jemi duke luftuar për me arritë këtë datë. Por nuk i shti duart në zjarr që kryhet, sepse ne e kryejmë shpronësimin, e bëjmë mbikëqyrjen e krejt, por faktorët e paparashikushëm mund ta ndërrojnë atë 365-ditëshin”, kishte deklaruar Aliu në një intervistë për medie.
Dhe tani, po del të jetësohen parashikimet e ministrit skeptik rreth kësaj magjistraleje, që tashmë për nga zvarritjet me vite të rekonstruktimit të saj, ka bërë historinë. Sepse, tani, kur po kalon edhe gushti, duke parë punët e kryera deri tash, ato të mbetura për t’u finalizuar akoma si dhe angazhimin aktual të punëkryesve në disa nga lotet që po vonohen më shumë, duket se duhet edhe shumë ditë dhe shumë punë për t’i kryer punët e mbetura. Dhe, tani edhe parashikuesit më optimistë e kanë të ditur se do të tejkalohet shumë edhe ky afat. Kanë mbetur shumë punë rreth ndërtimit të mureve mbrojtëse, sidomos ndërmjet fshatrave Vranidoll dhe Lupç i Poshtëm. Por edhe në shumë pjesë, ende nuk është bërë zgjerimi i planifikuar, madje në pika dhe nyje të rëndësishme të magjistrales, ende ka edhe sasi të dheut për t’u larguar.
Njëri nga inxhinierët, specialist për ndërtimin e rrugëve, i angazhuar në realizimin e këtij projekti, dhe që do të mbetet anonim, i ka thënë Buletinit Ekonomik se punët rreth zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë, janë zhvilluar me hove. Herë – herë punëkryesit janë angazhuar më seriozisht, por në periudha jo të pakta kanë neglizhuar punët duke punuar me kapacitete minimaliste dhe në këtë mënyrë kanë vonuar përmbushjen e objektivave ndërtimore. Tani, këto ditë, sipas tij, sërish janë gjallëruar punët në shumë segmente dhe kjo po vërehet. Megjithatë, në bazë të vëllimit të punëve të realizuara deri tash, ai vlerëson se tashmë ka gjasë të shtrohet njëra trase me asfalt në tërë rrugën, ndërsa në të dy traset, vështirë se do të realizohet asfaltimi edhe për ca kohë. Ndërsa, urat dhe disa nyje të tjera më të ndërlikuara, do të mbeten patjetër që të punohen më 2025.
Urat nuk ka asnjë mundësi të kryhen sivjet. Ato nuk janë të pakta, dhe asnjëri nga lotet e kontraktuara nuk është pa ndonjë urë, që duhet të rindërtohet. Disa sosh nga ekzistueset duhet të shemben dhe të rindërtohen tërësisht nga e para. Sipas inxhinierit, faji për vonesa bie kryekëput te punëkryesit, të cilët, megjithë faktin se janë paguar tërësisht me rregull dhe sipas kontratave nga Qeveria, kanë neglizhuar në shumë periudha përmbushjen e objektivave të ndërtimit. Disa nga punëkryesit (dihet se zgjerimi i pjesës së rrugës Prishtinë – Podujevë është i ndarë në 5 lote dhe rrjedhimisht në të janë të angazhuar 5 punëkryes të ndryshëm), në raste, nuk janë treguar menaxhues të mirë të parasë së fituar, përkatësisht i kanë shpenzuar me t’i marrë ato nga punëdhënësi dhe pastaj kanë mbetur pa paratë e nevojshme për të vazhduar sipas dinamikave të planifikuara punët e mbetura.
Por, te shumica e punëkryesve, sipas inxhinierit, janë evidentuar pasoja jo të pakta edhe nga e dhëna se ata në garën për të fituar me çdo kusht punën, tenderin pra, kanë konkurruar me çmime të ulëta, në raste edhe nën koston reale, dhe tani, në këtë fazë të punëve, të dëshpëruar, në ditë të shumta, kanë punuar sa për të thënë. Dhe këto janë pasoja reale, që domosdo ndikojnë në përmbushjen e afateve të përcaktuara nga kontrata.
“Nuk është se nuk po punohet, por edhe tani te disa kompani fituese të punëve, problem i veçantë dhe me ndikim në vonesa vazhdojnë të kenë punët shtesë të cilat nuk janë paraparë me projekt, por që ndërkohë janë paraqitur si të domosdoshme për t’i kryer në kuadër të projektit.”
Një inxhinier tjetër, i angazhuar në ndërtimin e kësaj magjistraleje, dhe që nuk do, po kështu, t’i përmendet emri në medie, duke folur për zhvillimet e punimeve, i kishte thënë në korrik Buletinit Ekonomik se deri më tani nuk ka pasur asnjë vonesë nga ministria përkatëse për të bërë pagesat për punët e zhvilluara.
“Me të dërguar faturat kontraktuesit e punimeve kanë marrë pagesat”, thotë ai.
Por, sipas tij, tani po shihet se disa kompani fituese të tendereve për njërin nga 5 llotet, nuk janë dëshmuar se kanë potencën e nevojshme profesioniste dhe në mekanizëm, për t’i realizuar punët në pajtim me pritshmëritë. Ai është edhe më konkret, duke shtuar se nga pesë punëkryes, dy po dëshmohen si të mira, ndërsa tri të tjera lënë shumë për të dëshiruar (pa përmendur emërtimet e punëkryesve).
Disa nga punëkryesit, siç shihet edhe në punishte, kanë probleme serioze me mungesë punëtorësh. Te këta punëkryes ka ditë të tëra që numëron në gishtat e njërës dorë punëtorët e angazhuar. Sidoqofrtë, tashmë është evidente dhe e tejdukshme vonesa rreth finalizimit të zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë, një ndër rrugët nacionale të Kosovës më të ngarkuarat me trafik dhe ndër më problematiket sa i përket numrit të fatkeqësive dhe viktimave nga këto aksidente, si pasojë e stërngarkesës së trafikut. /Buletini Ekonomik/