Dyshohet për 3.2 milionë euro dëm për KEK-un e shmangie tatimore mbi 500 mijë euro- Detaje nga Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të hënën ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar”.

Ish-Kryeshefit të KEK-ut, dyshohet t’i ketë shkaktuar Korporatës Enegjeretike të Kosovës 3.2 milionë euro dëme, shmangie tatimore prej mbi 500 mijë euro si dhe favorizimin e një kompania sllovene (të palicensuar) duke e lejuar të tregojë energji elektrike në Kosovë në kundërshtim me ligjet.

KEK-u në krye me Krasniqin, ka nënshkruar kontrata kornizë me tregtarë të cilëve nuk u është njohur licenca në Kosovë. Përkundër reagimeve dhe shkresave zyrtare nga ZRRE që të ndalojë aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrje të pa licencuar, KEK-u ka vazhduar të kryejë aktivitete në kundërshtim me obligimet ligjore.

Reklama e sponzorizuar

Sipas aktakuzës, “duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri më datë 19 prill 2023 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar respektivisht Kryeshefit Ekzekutiv në KEK, shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” – HSE nga Sllovenia t’ia mundësoj tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me nenin 32 par. 2 dhe 3 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe nenin 28 par.1 dhe par.2 dhe nenin 30 par. 1 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë“.