Policia e Kosovës ka hyrë për kontroll në nëntë zyre postare të Serbisë në veri të Kosovës.
Kështu ka konfirmuar për Dukagjinin, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, i cili ka theksuar se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Sipas tij, tashmë dy prej zyrave postare janë mbyllur.
“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, ka thënë tutje Elshani në përgjigje për Dukagjinin.
Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, nga fondet e caktuara nga qeveria serbe për ta, duke përfshirë pagat, shtesat e fëmijëve dhe pensionet.