Procedura hetimore e nisur nga autoritetet amerikane ndaj kompanisë kosovare “Ventius International L.L.C”, emri zyrtar i fabrikës “Comodita Home”, tashmë ka marrë epilog.
Me 22 korrik 2024, Departamenti Amerikan i Tregtisë përmes një vendimi ka konstatuar se “dyshekët e Kosovës” u shiten në tregun amerikan me çmime “dumping”, praktikë kjo e ndaluar dhe që dëmton konkurrencën.
Praktikë ‘dumping’ kemi kur një kompani futet në tregun e një vendi tjetër me çmime artificiale, apo shumë më të lira se sa çmimet reale në një treg përkatës. Kjo zakonisht bëhet për të fituar më shumë treg përmes një konkurrence jolojale.
“Departamenti Amerikan i Tregtisë përcakton se importet e dyshekëve nga Kosova po shiten, ose ka të ngjarë të shiten në Shtetet e Bashkuara me vlerë më të ulët se sa vlera reale e tregut”, thuhet në njoftimin zyrtar nga “Federal Register”, një gazetë ditore e qeverisë amerikane.
Periudha e hetimit ndaj kompanisë kosovare ka zgjatur nga data 1 korrik 2022 deri me 30 qershor 2023. Paraprakisht ishte marr vendimi për pezullim të importeve me datë 1 mars 2024 nga Departamenti Amerikan i Tregtisë.
Sipas njoftimit zyrtar të institucioneve amerikane, dyshekët e kompanisë “Comodita” nga Kosova janë shitur me çmime artificiale në tregun amerikan, apo me çmime shumë më të ulëta se çmimi i tregut.
Më 28 janar 2024, kompania kosovare kishte kërkuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë që masat e përkohshme për ndalim të importit të zgjateshin jo më gjatë se gjashtë muaj. Kjo kërkesë është miratuar.
Në njoftimin e fundit ceket po ashtu afati prej 45 ditësh kur edhe pritet të merret një vendim përfundimtar, siç thuhet aty, “për të parë nëse importet e dyshekëve të Kosovës dëmtojnë materialisht ose përbëjnë kërcënim për industrinë amerikane”.
Fabrika e dyshekëve “Comodita Home” është prodhuesi më i madh i dyshekëve në Kosovë. Fabrika është nën pronësinë e “Devolli Corporation”.
“Comodita Home” nuk është përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik lidhur me procedurën hetimore nga autoritetet amerikane.
Në anën tjetër, lidhja mes kompanisë “Ventius International L.L.C” dhe fabrikës “Comodita Home”, dëshmohet përmes të dhënave në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK). Aksionar në “Ventius International L.L.C” është kompania “Ventius Investment Internation Holding”. Në të dhënat e kësaj të fundit, figurojnë informata zyrtare të fabrikës “Comodita Home”.
Buletini ka kontaktuar në numrin zyrtar të “Ventius International L.L.C” të lënë në ARBK. Personi që është përgjigjur në këtë thirrje, ka thënë se më herët ka punuar në fabrikën “Comodita Home”, por që aktualisht nuk është më pjesë e kësaj kompanie. Ai e ka konfirmuar lidhjen mes të dyjave, kur është pyetur se a është kompania “Ventius International L.L.C” prapa fabrikës “Comodita Home”. /Buletini Ekonomik/
LEXO EDHE: