Ish-kryeshefi i akuzuar i KEK-ut: Ka gjueti shtrigash ndaj meje

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, që është i akuzuar nga Prokuroria Speciale, ka thënë se ndaj tij ka “gjueti shtrigash”.

Krasniqi ishte arrestuar vitin e shkuar nën dyshimet për keqpërdorim detyre. Ai kishte qëndruar në paraburgim për pesë muaj.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Krasniqi të enjten ka mohuar akuzat e ka thënë se “askush deri tash s’ka mbërritur t’i japë argumente pse është arrestuar”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Krasniqit, në rastin ndaj tij ka ndërlidhje të shumë interesave, politike e kompanish.

Për import të rrymës nga një kompani sllovene që s’kishte licencë nga Zyra e Rregullatorit për brenda territorit të Kosovës, Krasniqi ka thënë se kjo lejohet me nenin 32 të Ligjit për energjinë.

Sipas tij, dënimi që ZRRE-ja ia ka bërë KEK-ut (3 milionë euro) me këtë rast nuk ka qenë i drejtë.

Ai ka thënë se po që se kompania sllovene s’do të fitonte marrëveshjen, atëherë KEK-u do të merrte energji për rreth gjysmë milioni euro më shumë në muaj.

Krasniqi ka deklaruar se ka dorëzuar parashtresë te prokurori për çështjen e kompanisë sllovene. Ka thënë se për këtë rast edhe KEK-u e ka paditur ZRRE-në.

Krasniqi është shprehur se pret që të rrëzohet pretendimi i Prokurorisë “nëse nisemi nga parimi që gjykata do të jetë objektive”.

Ka thënë se nuk ka shumë besim në gjykatat, duke u bazuar në trajtimin për periudhën sa ka qenë në paraburgim.