Minatorëve ende nuk u kanë dalë pagat e qershorit dhe korrikut. Për ekzekutimin e pagave, menaxhmenti nuk ka ende ndonjë datë, pavarësisht se ish-kryeshefi i Trepçës dha si afat fillimin e kësaj jave. Drejtori i Minierës së Stan Tërgut thotë se po punojnë që kjo të bëhet sa më shpejt.
Disa orë para se të shkarkohej nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti u shpreh optimist se pagat e minatorëve do të dalin në fillim të kësaj jave. Këtë deklaratë ai e bëri pas një takimi me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin.
“Ne kemi takime të rregullta në baza ditore. Sot jemi takuar me ministren Rizvanolli dhe kryesuesin e bordit për sqarime shtesë dhe po besoj se në fillim të javës së ardhshme do dalin pagat dhe minatorët do t’i kthehen punës”, deklaroi Kurti.
Por, ekzekutimi i pagave nuk është bërë akoma e as nuk dihet kur do të bëhet.
Drejtori i Minierës së Stan Tërgut, Shyqri Sadiku, i ka thënë Gazetës Express se ende nuk kanë një datë për pagat.
Mirëpo, thotë se po punojnë që kjo të bëhet sa më shpejt.
“Jo, ende nuk kemi datë se kur bëhet ekzekutimi i pagave. Por, janë duke punuar që sa më shpejt të bëhet ekzekutimi i pagave”, ka deklaruar Sadiku.
E minatorët duket se janë të vendosur që të mos i kthehen punës pa i marrë pagat.
“Çdo ditë kemi diskutime. Jemi duke diskutuar që të kthehen në punë, por kjo varet nga punëtorët”, ka deklaruar Sadiku për Express.
Për situatën e krijuar në Trepçë, Qeveria e Kosovës doli me një reagim javën e kaluar, por pa ofruar ndonjë zgjidhje për pagat.
Në reagim konfirmohet gjendja e rëndë në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje, ku theksohet se po operon me humbje “si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme.” “
Sipas ekzekutivit, mënyra e vetme për t’u stabilizuar situata financiare e ndërmarrjes dhe kompensimi i rregullt i punonjësve është që të rritet prodhimi dhe të hyrat dhe të ulen shpenzimet.
“Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes. Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet tutje në reagim.
Aty theksohet se përkrahje financiare do të varet nga plani dhe zotimi konkret për uljen e shpenzimeve dhe rifillimin e prodhimit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre. Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”, thuhet në reagim.
Minatorët i janë kundëpërgjigjur Qeverisë disa orë më vonë, duke i kërkuar që llogaridhënien ta kërkojë nga Bordi dhe menaxhmenti që ka emëruar vetë.
“Mjaft më është koha që të reflektoni ju si qeveri sepse ne si minatorë ju kemi paralajmëruar shumë kohë më parë, pakënaqesinë tonë jemi munduar t’ua shfaqim edhe me ngujimin në minierë e me greva, por si duket as kjo nuk paska mjaftuar. Kuptojeni nuk jemi duke kërkuar diqka jo legjitime, po e kërkojmë shpagimin e mundit tonë, pra pagën që buron nga Ligji i Punës.
Mos i dënoni minatorët, kërkoni llogaridhënie nga ata që keqmenaxhuan”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.
Në reagim thuhet se minatorët e kanë dëshmuar me punë dhe përkushtim obligimin që kanë pasur, për prodhimin sa më të lartë edhe pse pa kushtet elementare për punë, dhe rrezikun.
“Ata të cilët duhet të japin llogari në vijë të parë është menxhmenti dhe bordi të cilët gjithmonë i ka emëruar Qeveria, pra aty është vendi ku duhet kërkuar përgjegjësia dhe llogaridhënia”, theksohet në reagimin e minatorëve. Përmenden edhe gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Në raportin e ZKA’së heksohet se ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj.
“Ndërmarrja, tek detyrimet e tjera afatshkurtra kishte prezantuar tatimi në paga i pagueshëm 2,157,218 euro, kontributi i pagueshëm 3,256,317 euro, interesi dhe ndëshkimi i pagueshëm në tatim dhe kontribute në vlerë 1,501,469 euro. Vlen të theksohet që ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj, rrjedhimisht nuk janë paguar edhe interesi dhe ndëshkimet në tatim dhe kontribute. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit, kjo kishte ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë financiare të ndërmarrjes”, theksohet në raportin e Auditorit.
Në raport përmendet edhe se si ndërmarrja është përballur gjatë vitit të kaluar me procedura përmbarimore në vlerë mbi 6.5 milionë euro. “Ndërmarrja gjatë vitit ishte përballur me procedura përmbarimore ku vlera e lëndëve në pritje për t’u ekzekutuar në fund të vitit 2023 ishte 6,599,696 euro. Po ashtu ndërmarrja në PFV kishte njohur humbje të vitit në shumë prej 5,370,713 euro.
“Paaftësia e ndërmarrjes për të shlyer obligimet e saj ndikon që ndërmarrja të ketë kosto shtesë gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe ndikon në rritjen e rrezikut për solvenitetin afatgjatë të ndërmarrjes”, thuhet në raportin e auditorit. “Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. Kjo ndërmarrje bashkë me të tjerat është paraparë që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre”.
Ndryshe, Bashkim Kurti u shkarkua nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv pas Gjykata Themelore në Mitrovicë anuloi vendimin për përzgjedhjen e tij në këtë pozitë.
“Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Trepça Sh.A. njofton opinionin e gjerë publik se ka qenë i përkushtuar në përzgjedhjen e kandidatit më të përgatitur dhe profesional për të udhëhequr ndërmarrjen Trepça Sh.A., natyrisht duke respektuar kushtet dhe kriteret e përshkruara në shpalljen publike. Megjithatë, Bordi Mbikqyrës është i prirur të respektojë vendimet e gjyqësorit dhe si rrjedhojë në takimin e mbajtur me datë 02.08.2024, bazuar në Vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë C.nr.661/24 ka anuluar Vendimin e datës 11.01.2024 për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv. Me këtë rast, ka liruar nga detyra Kryeshefin Ekzekutiv, z. Bashkim Kurti”, u tha në njoftimin e bordit.
Në vend të tij, në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv është emëruar Faton Ahmeti, që deri tash ishte duke ushtruar pozitën e zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv.