Që nga koha e COVID-19 dhe pas fillimit të luftës ruso-ukrainase, secili vit pasues tejkalon ndjeshëm vitin paraprak të huamarrjes së qytetarëve nga bankat komerciale dhe nga institucionet mikrofinanciare në vend, që, praktikisht veprimtarinë kryesore dhe në shumë raste të vetme, kanë dhënien e kredive me super kamata të shtrenjta, që në raste dijnë të tejkalojnë edhe interesat e fajdexhinjve. Kështu, huamarrja kaq masovike nga bankat edhe në periudhën janar-qershor 2024 (87 mijë qytetarë kanë kërkuar kredi në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm), del të jetë indikatori domethënës që tregon realisht për gjendjen e rënduar financiare dhe mirëqenien e rrënuar ndjeshëm të kosovarëve. Dhe, po sipas të dhënave të BQK-së , edhe në vitin 2023 u regjistruan 114 milionë euro më shumë kredi konsumuese se sa më 2022, që ishte rritje krahasuar me vitin paraprak prej diku rreth 23 për qind.
Mehmet GJATA
Në Kosovë është evident shtimi i vrullshëm i kredimarrjes. Këtë fakt e flasin të dhënat zyrtare të BQK-së dhe statistika të ndryshme. Në bazë të të dhënave të BQK-së për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, del që kosovarët numerikisht të shumtë janë futur në huamarrje te bankat komerciale, pavarësisht kushteve hiç të favorshme të kreditimit dhe pavarësisht kamatave, ndër më të lartat absolutisht në rajon dhe më gjërë (nga 6, 12 deri në 6, 5 për qind).
Motivi kryesor që i ka shtyrë kosovarët kaq shumë të marrin kredi, sipas njohësve të zhvillimeve bankare, por edhe sipas pohimeve të shumë kredimarrësve, është mbijetesa (mbajtja e familjes, sigurimi i ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit). Dhe, huamarrja kaq masovike edhe në periudhën janar-qershor 2024, del të jetë indikatori domethënës që tregon realisht për gjendjen e rënduar financiare dhe mirëqenien e rrënuar ndjeshëm të kosovarëve. Sepse, për Kosovën e vogël edhe për nga popullsia (sipas të dhënave paraprake të regjistrimit të sivjetshëm, Kosova ka diku rreth 1,55 milionë banorë), është shumë i madh numri prej 87 mijë qytetarëve që kanë kërkuar kredi në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ose numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat komerciale në Kosovë është rritur mbi 6 mijë deri në qershor të vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Dhe, po sipas të dhënave të BQK-së, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar të Kosovës deri në muajin qershor ka tejkaluar 5, 35 miliardëshin (është fjala për euro). Ose, vetëm në periudhën janar-qershor, sipas të dhënave zyrtare të Shoqatës së Bankave të Kosovës, vlera e kredive të reja ka arritur në 236.5 milionë euro, që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 kjo shumë është 17.6% më e lartë.
Në këtë mënyrë, qëkur ka nis të shtohet varfëria në Kosovë (që nga koha e COVID-19 dhe pas fillimit të luftës ruso-ukrainase), secili vit pasues tejkalon ndjeshëm vitin paraprak të huamarrjes së qytetarëve nga bankat komerciale dhe nga institucionet mikrofinanciare, që, praktikisht veprimtarinë kryesore dhe në shumë raste të vetme, e kanë dhënien e kredive me super kamata të shtrenjta, që në raste dijnë të tejkalojnë edhe interesat e fajdexhinjve. Kështu, edhe në vitin 2023 u regjistruan 114 milionë euro më shumë kredi konsumuese se sa më 2022, që është rritje krahasuar me vitin paraprak prej rreth 23 për qind.
Me fjalë të tjera, edhe në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2023, të publikuara në përmbyllje të vitit të kaluar, del që kosovarët numerikisht të shumtë – mbijetesën (mbajtjen e familjes, sigurimin e ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit) e kanë siguruar nga huamarrja në banka. Sipas vrojtuesve të vëmendshëm, rritjen e kredive të të gjitha llojeve, dhe sidomos të atyre konsumuese në Kosovë, nuk arritën ta parandalojnë as kamatat shumë të larta për kredi, që janë absolutisht ndër më të lartat në rajon dhe në Europë. Kosovarët e lodhur financiarisht gjithnjë e më shumë, nuk pyesin për kamata të larta, as për të nesërmen e tyre se çka do të bëhet me obligimet e reja kreditore. Ata e mendojnë hë për hë vetëm sigurimin e parave të domosdoshme për të siguruar bukën për familjarët dhe fëmijët e tyre. Prandaj, sipas njohësve të rrethanave, është kaq i lartë numri i kredive konsumuese në Kosovë gjatë vitit 2023, por edhe rritja enorme e përqindjes së këtyre kredive (23 për qind) krahasuar me vitin paraprak dhe gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti.
Një informacion i dalë nga BQK-ja, më saktësisht nga një raport i kupolës bankare në Kosovë për muajin korrik 2023, që njoftonte për rritjen e kredive nga mikrofinancat, duke saktësuar se 63 për qind e këtyre kredive janë për ekonomitë familjare, flet tejdukshëm për ecuritë e varfërimit të Kosovës, për mospasjen e shumë kosovarëve – financa të domosdoshme (para minimale) për ta përmbyllur muajin dhe për rënien e fuqisë së tyre blerëse.
“Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63 për qind të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar”, theksohej saktësisht në këtë raport.
Ndërsa, dihet se kush dhe çka vlerësohet kredi familjare. Këtë kreditim, sidomos te institucionet mikrofinanciare, të shquara në Kosovë për kamata të larta enorme, ose që barazohen me interesat e fajdexhinjve illegalë, në shumë raste e kërkojnë shtresa më e varfër e qytetarëve të këtij vendi. E kërkojnë ata, që nuk kanë rrugëdalje tjetër për ta siguruar në të shumtën ushqimin e domosdoshëm brenda një muaji dhe të detyruar nga kriza financiare dhe kërkesat e familjes për t’u ushqyer, detyrohen të paraqiten te institucionet mikrofinanciare. Dhe në bazë të këtyre të dhënave të BQK-së, të tillët janë shtuar shumë dhe numri i tyre është bërë tronditës, shqetësues dhe frikësues. Sepse të përfaqësohen 63 për qind të gjithsej kredive (qoftë edhe në sektorin e mikrofinancave) vetëm kredi ndaj ekonomive familjare, vështirë të mund të gjesh në ndonjë vend paksa më normal kudo në botë, ndërsa në Europë jo se jo, në asnjë mënyrë.
Kjo shifër në përqindje e kredive për ekonomitë familjare është edhe një tregues plus, që tregon fare qartë se Kosova po varfërohet me ritëm të përshpejtuar dhe se trendi i thellimit të vobektësisë së popullsisë shumicë vetëm sa thellohet dhe tashmë ka prekur shumë shtresa të kosovarëve, pos pensionistëve edhe njerëzve të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht.
Përfaqësues të UNDP-së kanë treguar për medien se të gjeturat kryesore nga një anketë e realizuar në korrik të 2023-tës, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind.
Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind e ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë. S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madh ka pasur ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos e produkteve esenciale ushqimore. Prandaj Kosova ka gjithë këta kredimmarrës, të cilët futen në borxh nga zori dhe pa e llogaritur fatin e këtij borxhi, që do thotë mundësinë e kthimit të anuiteteve ose ratave kreditore ndaj bankave kredidhënëse. /Buletini Ekonomik/