Nga 28 gushti, B2-shi në remont 35 ditësh, rikthehen mungesat e energjisë elektrike

Termocentrali 'Kosova B'

Pas 28 gushtit, për 35 ditë radhazi (sa do të zgjatë remonti i planifikuar i bllokut B2 të Kosovës B), vendi do të përballet me situatë më të brishtë elektroenergjetike për shkak se do të ketë saktësisht minus 260 megavatë-orë më pak rrymë të prodhuar nga kapacitetet e veta ekzistuese.

Buletini Ekonomik

Më 28 gusht 2024, të mërkurën vijuese, sipas paralajmërimeve të zyrtarëve të KEK-ut, do të fillojë remonti 35 ditor në bllokun B2 të termocentraleve Kosova B. Dhe kjo do të thotë, se pas 28 gushtit, për 35 ditë radhazi – Kosova do të përballet me situatë më të brishtë elektroenergjetike për shkak se do të ketë saktësisht minus 260 megavatë-orë më pak rrymë të prodhuar nga kapacitetet e veta ekzistuese. Më konkretisht, mungesat e energjisë elektrike nga dita e mërkurë në vendin tonë, veç prodhimit të përgjysmuar nga termocentralet Kosova B, do të varen edhe nga faktorë të tjerë, dhe në radhë të parë nga temperaturat e larta, të cilat domosdo shkaktojnë konsum më të madh të rrymës, nga kursimi që do të jetë i domosdoshëm si një masë e përkohshme në situata të tilla dhe nga mundësitë e këmbimit, në këtë rast, të huazimit të rrymës nga Shqipëria.

Reklama e sponzorizuar

“Remonti i njësisë B2 të Kosovës B, do të zgjatë saktësisht 35 ditë, ose po aq sa kanë zgjatur punët remontuese në njësinë B1. Ndërsa, ky remont, poashtu si në bllokun tjetër, do të jetë goxha i detajuar, i shumanshëm dhe do të ndërhyhet për t’i riparuar shumë stabilemente me qëllim të freskimit të këtyre termocentraleve dhe rritjes së gatishmërisë teknike për të operuar sa më mirë gjatë sezonit të dimrit”, i kanë thënë Buletinit Ekonomik zyrtarë të Zyrës për informim të KEK-ut.

Pas të mërkurës pra, i bie që furnizimi i konsumit të Kosovës do të varet nga prodhimi i rrymës në dy blloqet e Kosovës A (A3 dhe A5) me kapacitet nga 130 megavatë secili bllok, ose 260, gjithsej të dy bashkë dhe nga blloku B1 i Kosovës B, që ka kapacitet 260 megavatë/orë. Kështu, Kosova do të ketë diku 520 megavatë orë nga termocentralet vetanake dhe dhjetëra megavatë nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme. Dhe, kjo sasi në rrethanat me temperatura dominuese prej 32 gradësh Celcius, kushtimisht nuk do të mjaftojë për të përmbushur nevojat e konsumit të energjisë elektrike në rritje.

Siç kanë njoftuar nga KESCO, gjatë gushtit, kur thuaja në të gjitha ditët kanë mbajtuar temperatura ekstremisht të larta, konsumi i vendit ka shkuar në kohën e pikut edhe në 800 megavatë. Dhe nëse edhe në këto 35 ditët vijuese do të vazhdojë të konsumohet më shumë se sa prodhohet në kapacitetet e vendit, domosdo që për t’i kompenzuar mungesat e rrymës, ose duhet të importohet energjia elektrike e munguar, ose duhet të huazohet nga KESH-i në orët e mungesave të theksuara. Kjo, pak a shumë parashikohet të jetë gjendja elektroenergjetike nga e mërkura (28 gushti 2024) për 35 ditë, sa do të zgjasin punët riparuese në bllokun B2 të Kosovës B. /Buletini Ekonomik/