Projektligji i ri: ‘Prag’ për bankat që investojnë jashtë vendit, kërkohet që rreziku i investimit të mbulohet 100%

Nëse Projektiligji i ri për bankat që operojnë në Kosovë kalon në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës pa ndryshime esenciale në shtator, atëherë bankat komerciale nuk do të mund të investojnë më jashtë vendit më shumë sesa kapitali i tyre – një praktikë kjo e deritanishme që rrezikonte depozitat e kosovarëve.

Buletini Ekonomik

Projektligji i ri për bankat i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, parasheh një ndryshim rrënjësor sa i përket depozitave që bankat komerciale i investojnë në letra me vlerë dhe instrumente financiare jashtë vendit.

Reklama e sponzorizuar

Atyre u është vendosur një prag përmes të cilit kërkohet që të mbulohet 100 për qind rreziku i investimit të depozitave në instrumente financiare jashtë Kosovës.

“Shuma e përgjithshme e investimeve për llogari të bankës në instrumente financiare si letra me vlerë, fonde investive, depozita që fitojnë interes ose të ngjashme, e që rregullohen nga një juridiksion tjetër prej atij të Republikës së Kosovës, nuk mund të jetë më e lartë se njëqind përqind (100%) e kapitalit të klasës së parë”, saktësohet në nenin 24 të Projektligjit të ri për bankat.

Deri më tani, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka pasur një mbikëqyrje të zbehtë në raport me këto investime.

Si pasojë, investimet e depozitave jashtë vendit e kanë tejkaluar kapitalin e klasit të parë i cili është garanci se në rast të humbjes së investimit, depozitat e qytetarëve nuk do të rrezikohen.

Investimet – 400 milionë më shumë sesa kapitali

Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2023, investimet e bankave komerciale jashtë vendit arrijnë vlerën e 1.26 miliard eurove, derisa kapitali i bankave komerciale ishte 863.0 milionë euro.

Me projektligjin e ri, bankat mund të investojnë jashtë vendit vetëm aq sa e kanë kapitalin e klasit të parë i cili mbulon 100 për qind rrezikun nëse investimet humbasin.

Nëse hyn në fuqi ky projektligj, atëherë bankave u duhet t’i kthejnë në Kosovë së paku 400 milionë euro, të cilat aktualisht nuk kanë mbulueshmëri në raport me kapitalin e klasit të parë që është 863 milionë euro.

Kapitali i klasit të parë është kapitali i aksionarit, plus fitimet. Çdo investim që bëjnë bankat jashtë vendit, më shumë sesa kapitali i klasit të parë, do të binte në kundërshtim me këtë dispozitë.

Buletini Ekonomik nga burime të sigurta mëson se përfaqësuesit e bankave komerciale në Kosovë nuk e kanë pranuar me lehtësi këtë ndryshim dhe se po lobojnë që kjo dispozitë të ndryshojë deri në leximin e dytë në Kuvend.

Në Shoqatën e Bankave, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit se si i kanë parë këto ndryshime të politikave që prekin sistemin bankar.

Aktualisht, Projektligji është në fazën e amandamentimit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe pritet të dalë për votim në seancë gjatë muajit shtator, kur edhe nis sesioni vjeshtor i punës së Kuvendit të Kosovës. /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE:

BQK gjobitë tri banka në vlerë 1.6 milionë euro, lëshuan kredi në kundërshtim me rregulloret në fuqi