Si pasojë e rënies nga prodhimi të bllokut B2 të termocentraleve Kosova B me kapacitet 260 megavatësh (blloku B1, me po të njëjtin kapacitet, siç dihet, është në riparim të planifikuar), dje dhe sot, është importuar sasi e madhe e energjisë elektrike për të furnizuar konsumin e Kosovës në rritje me rrymë. Zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti, ka thënë se në periudhën 1 deri më 12 gusht, në Kosovë konsumi mesatar ditor ka qenë 14 mijë megavatë-orë, dhe në këtë periudhë, KESCO ka shpenzuar reth 5,5 milionë euro për import të energjisë së munguar.
Buletini Ekonomik
Situata elektroenergjetike në Kosovë, sot dhe dje, ka qenë e brishtë dhe me karakteristika të krizës evidente. Thjesht, si pasojë e rënies nga prodhimi gjatë ditës së hënë të bllokut B2 të termocentraleve Kosova B, me kapacitet 260 megavatësh (blloku B1, me po të njëjtin kapacitet, siç dihet, është në riparim të planifikuar), dje dhe sot, ka munguar një sasi e madhe e energjisë elektrike (vetëm nga Kosova B dje dhe sot kanë munguar diku rreth 520 megavatë) për të furnizuar konsumin e Kosovës në rritje me rrymë. Ç’është e vërteta, ndër kunsumatorë, nuk është ndier edhe aq shumë kriza e shkaktuar nga mungesa e rrymës, për shkak se KEDS-KESCO kanë importuar një sasi të madhe të energjisë elektrike, ndërkohë që një sasi e ka importuar edhe KEK-u.
Sipas zyrtarëve të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës, dje janë importuar mesatarisht rreth 2 mijë megavatë-orë rrymë për të zbutur mungesën e prodhimit nga termocentralet e vendit dhe për të minimizuar sa më shumë reduktimet.
Më konkretisht, dje, por edhe sot, deri kah mesdita, në prodhim kanë qenë vetëm blloqet A3 dhe A5, të termocentraleve Kosova A, me kapacitet secili nga 130 megavatë-orë, ose gjthesej me 260 megavatë. Një sasi fare e vogël, prej dhjetëra megavatësh është siguruar nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, përkatësisht të parqeve të energjisë në bazë të erës (atij në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës), ndërsa për shkak të rënies së nivelit të ujërave si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe, minihidrocentralet që ka aktualisht vendi, praktikisht nuk kanë prodhuar fare.
Sipas njoftimeve të zëdhënësit të Korporatës Energjetike të vendit, Skënder Bucollit, blloku B2, që dje u largua nga operimi për shkak të rrjedhjeve në kazan, pritet të kthehet brenda ditës së sotme në funksion, me çka do të zbutet goxha shumë situata elektroenergjetike në vend. Do të pakësohet, së paku për kaq megavatë importi i kushtueshëm.
Riparimet e planifikuara në bllokun B1 të Kosovës B, sipas zëdhënësit të KEK-ut ,Skënder Bucollit, në bazë të parashikimeve duhet të përmbyllen më 18 gusht.
Ndërsa, zëdhënsja e KESCO-s, Margarita Rashiti i ka thënë Buletinit Ekonomik se është rritur goxha shumë konsumi i energjisë elektrike si rrjedhojë e temperaturave ekstremisht të larta. Sipas saj, tani konsumi në orët e pikut prek vazhdimisht 800 megavatëshin, ndërsa tendenca e rritjes së konsumit po vazhdon.
Të hënën (13 gusht), krahasuar me të premtën (më 10 gusht), bie fjala, konsumi i rrymës në Kosovë është rritur rreth 3,5 për qind. Zëdhënësja e KESCO-s ka thënë se në periudhën 1 deri 12 gusht, në Kosovë konsumi mesatar ditor ka qenë 14 mijë megavatë-orë, dhe në këtë periudhë, KESCO ka shpenzuar reth 5,5 milionë euro për import të energjisë së munguar. Në këto ditë, si pasojë e kërkesave më të mëdha për energji elektrike, kanë lëvizur edhe çmimet e rrymës në tregjet ndërkombëtare, dhe ato tashmë janë ndjeshëm më të larta se në muajt e pranverës, kur ndihej njëfarë stabiliteti energjetik në vend.
Ndryshe, sot, në bursën hungareze të energjiasë elektrike HUPX, prej nga Kosova me shumicë ka importuar deri më tash rrymë, gjatë ditës – një megavat po tregtohet me 136,39 euro, ndërsa gjatë pikutçmimi i një megavati parashihet të jetë 133 euro. Dje, të hënën pra, edhe gjatë ditës, edhe gjatë pikut një megavat ka kushtuar në këtë bursë 138 euro.
Ndërkohë, në bursën shqiptare të energjisë – ALPEX, sot në orën 6 të mëngjesit, një megavat e ka pasur çmimin 290 euro, ndërsa gjatë ditës, ose më saktësisht deri në orën 16, 120, 130 deri në 150 euro. Kurse në orën 20:00 në mbrëmje, çmimi i megavatit pritet të arrijë në 344 euro. /Buletini Ekonomik/