Në Parkun e Biznesit në Drenas, bizneset hapën bunare për furnizim me ujë

Kuvendi i Kosovës me ligjin për Zonat Ekonomike ka paraparë themelimin e 10 zonave ekonomike me qëllim të ngritjes dhe inkurajimit të investimeve në Kosovë duke ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste. Mirëpo, prej këtyre 10 zonave, vetëm katër prej tyre sot janë funksionale.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA, auditorët e shtetit kanë evidentuar mangësi të mëdha edhe tek zonat funksionale. Në përgjithësi ka probleme bazike infrastrukturore, siç është furnizimi me ujë për bizneset e deri tek mungesa e kanalizimit.

Në një rast, në Parkun e Biznesit në Drenas, auditorët kanë gjetur se shumica e bizneseve kishin hapur bunare për furnizim me ujë, në mungesë të infrastrukturës.

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë vizitës tonë në këtë Zonë Ekonomike, kemi vërejtur se shumë bizneseve ju mungonin kushtet elementare siç është furnizimi me ujë, ku për pasoje bizneset kishin hapur bunarët me te cilët zhvilloni aktivitetet e tyre”, thuhet në raportin e Auditorit.

Deri më tani infrastruktura fizike ka përfunduar në pesë zona ekonomike: në Drenas, Mitrovicë – qytet, Shtime, Shirokë (Suhareke), Lumadh (Vushtrri). Ndërsa në fazën e investimit janë edhe tre zona tjera ekonomike: në Viti, Lipjan dhe Rahovec. Po ashtu kanë mbetur për të ardhmen Agrozona në Suharekë dhe Zona Ekonomike në Frashër (Mitrovicë). MINT në momentin e themelimit të këtyre zonave dhe ndërtimit të tyre ka për obligim që në ato zona ti plotësojë nevojat bazike siç janë: furnizimi me energji elektrike, ujë, trajtim të ujerave të zeza etj.

Gjatë vizitave tek Parku i Biznesit në Drenas, Parku Industrial në Suharekë, dhe Parku Teknologjik në Shtime, Auditorët janë befasuar nga gjendja e rëndë infrastrukturore. “Bizneset në Zona Ekonomike janë të pakënaqur me furnizimin me ujë, ku rreth gjysma e bizneseve janë shprehur si të pakënaqur me këtë shërbim. Nga 29 përgjigje që shprehin pakënaqësi me furnizimin me ujin, 10 (mbi një e treta) prej tyre janë nga bizneset ne Parkun e Biznesit në Drenas”, thuhet në raportin e Auditorit.