Kosova do të nënshkruajë marrëveshje në fushën e bashkëpunimit ekonomik me vendet anëtare të EFTA-s, përkatësisht Norvegjinë, Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Islandën.
Këtë e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se pas katër raundesh negociatash, të cilat filluan në qershor të vitit 2022, është arritur një marrëveshje për Tregtinë e Lirë, e cila pritet të nënshkruhet në fillim të vitit të ardhshëm.
“Kjo marrëveshje do të hapë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona, duke fuqizuar partneritetin ekonomik dhe tregtar mes Kosovës dhe vendeve anëtare të EFTA-s,” deklaroi Kurti.
Ai gjithashtu vuri në dukje se përfaqësimi i Kosovës në këtë marrëveshje gëzon trajtim të barabartë.
“Jemi vendi i vetëm në rajon që, përveç tregtisë së mallrave, ka negociuar edhe për tregtinë e shërbimeve me EFTA-n,” theksoi kryeministri./Telegrafi/