Abrashi kritik për mungesën e projekteve strategjike: Kosova ka nevojë për gazsjellës

Gazmend Abrashi, President i “Exclusive Group”, ka kritikuar ashpër mungesën e projekteve të qëndrueshme ekonomike në Kosovë në një intervistë për emisionin “Përballje” në Telegrafi.

Ai theksoi se Parlamenti i Kosovës është “fatkeqësi” dhe që vendi ka nevojë për projekte që do të zhvillojnë ekonominë për 50 vitet e ardhshme.

“Kemi probleme serioze ekonomike. Parlamenti i Kosovës është fatkeqësi që kohëve të fundit ka vetëm formë por kurrsesi përmbajtje. Kosova ka nevojë për projekte të qëndrueshme ekonomike, projekte që kanë me shty shtetin përpara për 50 vjet. Nuk po shohim përtej një asfaltit që duhet me shtrua një rrugë e me ja lyp dikujt do vota”, tha Abrashi.

Reklama e sponzorizuar

Në lidhje me infrastrukturën dhe energjinë, Abrashi sugjeron ndërtimin e një rrjeti hekurudhor dhe lidhjen e Kosovës me gazin TAP nga Azerbajxhani.

Ai theksoi se Kosova është i vetmi vend në Evropën Juglindore që nuk ka gazsjellës, nuk ka gaz natyral.

“Ne kemi mundësinë të lidhemi në Fier me gazin që është sjellë nga Azerbajxhani”, tha ai.

Abrashi gjithashtu kritikon partneritetet publike-private, duke thënë se: “Partneriteti Publiko-Privat nuk funksionon.”

“Partneriteti Publiko-Privat nuk funksionon. Logjika e politikës sot është kjo: sa më pak projekte ndërton, aq më pak ka element dikush të merret me ty” , tha ai.

Abrashi përfundon duke theksuar nevojën për një qasje më të integruar dhe vizionare në zhvillimin e projekteve që do të kontribuojnë në mirëqenien afatgjatë të Kosovës./Telegrafi/