Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje shtesë lidhur me arrestimin e një mësimdhënëse në Pejë, që dyshohet se ka mashtruar bujqit për subvencione, përcjell Gazeta Express.
Sipas policisë, ajo dyshohet se gjatë periudhës kohore 2022/2024 në cilësinë e menaxheres së një OJQ-e, ka mashtruar persona të ndryshëm ka përfituar para në mënyrë të kundërligjshme.
Lidhur me këtë rast policia ka mbledhur edhe dëshmi gjatë kontrollit në shtëpinë e saj dhe objekteve tjera përcjellëse.
E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Fsh.Loxhë, Pejë 2022/2024. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike me urdhër nga Gjykata Themelore, kanë kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarës femër kosovare, nën dyshimin e bazuar se e dyshuara ka kryer veprën penale ‘mashtrim’. E dyshuara gjatë periudhës kohore 2022/2024 në cilësinë e menaxheres së një OJQ-e, dyshohet se duke mashtruar persona të ndryshëm ka përfituar para në mënyrë të kundërligjshme. Policia ka kryer kontrolle ne objektet e të dyshuarës dhe ka konfiskuar dëshmi që lidhen me rastin. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arrestimin e saj e ka konfirmuar dje për Express, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Ai konfirmoi se e njëjta është ndaluar për 48 orë dhe se ndaj saj tashmë veçse është ngritur aktakuzë.
“Është arrestuar një person për veprën penale mashtrimi. Me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 ore. Ndaj së njëjtës Prokuroria Themelore në Pejë javë më parë ka ngritur aktakuzë për veprën penale Mashtrimi”, ka thënë ai.