Drejtori i BERZH-it, Maslichenko: “Kosova duhet të ketë prioritet projektet e mëdha” 

Në një intervistë për Buletini Ekonomik, Sergiy Maslichenko, drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë (BERZH), ka folur në thelb për projektet kapitale infrastrukturore në Kosovë, financimin e këtyre projekteve si dhe përqendrimin investiv të BERZH-it.

Agon Sinanaj

Drejtori i BERZH-it, Sergiy Maslichenko, ka nënvizuar nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës, e po ashtu përmes shifrave ka vënë në pah aftësinë e vendeve të rajonit për të absorbuar qindra miliona euro më shumë projekte nga BERZH-i sesa Qeveria e Kosovës.

Në këtë intervistë, Maslichenko po ashtu ka elaboruar sfidat me vazhdimin e projekteve infrastrukturore pas ndryshimeve qeveritare, duke përmendur financimin dhjetëra milionësh të investimeve në ndërtimin e rrugës Kijevë-Zahaq, projekt ky që u anulua pas ndërrimit të Qeverisë në pranverë të vitit 2021.

Drejtori i BERZH-it sjellë një perspektivë të tij edhe për kapacitetet energjetike të Kosovës, investimet në energjinë e ripërtëritshme, Investimet e Huaja Direkte si dhe fokusin që ekzekutivi kosovar duhet ta ketë në të ardhmen në sektorin e ekonomisë në mënyrë që vendi të vendoset në trajektore të shpejtë drejt zhvillimit.

Reklama e sponzorizuar

Intervista e plotë e Buletinit Ekonomik me z. Maslichenko, drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë (BERZH):

Buletini Ekonomik: Z. Maslichenko, le të fillojmë këtë intervistë me mendimet tuaja mbi arsyet pse është e dukshme që Kosova ka më pak projekte ekonomike të financuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim krahasuar me rajonin. Si do t’ia shpjegonit këtë audiencës sonë duke ditur që BERZH-i ka një përfshirje të gjatë në Kosovë?

Maslichenko: BERZH është investitori më i madh institucional në Kosovë me projekte si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Deri tani, ne kemi nënshkruar 110 projekte për një financim prej gati 700 milionë eurosh, që nga hapja e zyrës sonë këtu në vitin 2012. Rreth 70% e këtij financimi ka shkuar për sektorin privat. Por, dua të theksoj nevojën e madhe të Kosovës për të zhvilluar infrastrukturën e saj si: rrugët, hekurudhat, ngrohjen qendrore, kapacitetet e reja të ujit/rezevuaret dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, si dhe prodhimin e energjisë, ku ne si BERZH mund të ndihmojmë vendin në përgatitjen, financimin dhe zbatimin e këtyre projekteve.

Ne jemi investitori më i madh në infrastrukturën publike në Kosovë ndër institucionet ndërkombëtare, por mundemi dhe jemi të gatshëm të bëjmë shumë më tepër. Nëse flasim me shifra, mund të krahasoj Kosovën me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Vitin e kaluar financuam projekte me vlerë 80 milionë euro, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë apo në Maqedoninë e Veriut financuam tre herë më shumë. Në Maqedoninë e Veriut, për shembull, siguruam financim prej 260 milionë eurosh, kryesisht në infrastrukturën publike dhe sektorin e energjisë. Edhe në Malin e Zi, që është vend më i vogël, financuam një shumë të ngjashme prej 80 milionë eurosh dhe presim edhe më shumë këtë vit me qeverinë e re, kryesisht në infrastrukturën publike. Në Kosovë ne ofrojmë financim të përafërt ose më të madh për sektorin privat, por duhet të gjejmë mënyra për të përshpejtuar dhe rritur investimet në infrastrukturë së bashku me qeverinë e Kosovës.

Buletini Ekonomik: Investimet e BERZH-it në Kosovë janë më të përqendruara në sektorin privat, mbi 50 për qind kanë qenë në sektorin privat. A është kjo për shkak se sektori privat është më efikas në termat e ideve dhe projekteve për të absorbuar fondet e BERZH-it?

Maslichenko: Një nga prioritetet e BERZH-it në Kosovë është të nxisë zhvillimin dhe rritjen e sektorit privat. Gjatë kohës sime këtu, kam pasur kënaqësinë të takoj shumë kompani, të udhëhequra nga sipërmarrës që i admiroj dhe respektoj. Këto janë më së shumti kompani të vogla dhe të mesme. Ne i financojmë ato kryesisht përmes bankave komerciale, me linja të ndryshme kreditore për të mbështetur konkurrueshmërinë e NVM-ve, teknologjitë e gjelbra, dixhitalizimin etj.

Sektori privat, për nga natyra e tij, është më efikas dhe më i shpejtë në absorbimin e financimit sesa sektori publik, sepse është i interesuar të punojë me ne për të përfituar nga ekspertiza jonë dhe për të finalizuar projektet. Financimi i sektorit publik mund të rritet gjithashtu duke i dhënë përparësi projekteve të caktuara dhe duke krijuar ekipe të dedikuara për këto projekte. Në këtë drejtim, në fillim të këtij viti, ne nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU) me qeverinë e Kosovës për projekte prioritare me një vlerë totale prej 400 milionë euro financim nga BERZH deri në vitin 2027. Disa nga këto projekte përfshijnë, për shembull, programet e investimeve të Telekomit të Kosovës, KEK, sistemit hidro Ibër-Lepenc dhe ne besojmë se financimi dhe ekspertiza jonë do të jenë shumë të vlefshme. Nuk ka pasur shumë progres këtë vit, por ndoshta mund t’iu rikthehemi në të ardhmen e afërt.

Buletini Ekonomik: Çfarë duhet të bëjnë autoritetet e Kosovës për të rritur investimet nga BERZH-i? Pas pyetjes së parë: cili do të ishte këshilla juaj për autoritetet e Kosovës për të rritur prezencën e BERZH-it me më shumë projekte në Kosovë?

Maslichenko: Në thelb, do të theksoja rëndësinë e planifikimit strategjik për projektet infrastrukturore dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e tyre. Për të zhvilluar bizneset lokale dhe për të tërhequr investime të huaja, infrastruktura është thelbësore, sepse ju nevojiten rrugë dhe hekurudha për të transportuar mallrat, si dhe furnizim i pandërprerë me energji dhe shërbime të tjera. Së dyti, investimet në infrastrukturë do të krijojnë incentiva ekonomike, kërkesë për biznese, vende pune në sektorë të ndryshëm si shërbimet dhe ndërtimi, dhe do të nxisin rritjen ekonomike. Së treti, investimet në sektorin e energjisë dhe veçanërisht në energjinë e gjelbër janë po aq të rëndësishme, sepse energjia e pastër është një element thelbësor për funksionimin e bizneseve moderne dhe të qëndrueshme. Nuk është sekret që më shumë investime, do të nxisin më shumë ekonominë tuaj. Për të arritur të gjitha këto, qeveria duhet të prioritizojë projektet e mëdha infrastrukturore dhe të mbështesë përfituesit përkatës (ministritë, komunat, ndërmarrjet publike etj) për të përgatitur dhe zbatuar këto projekte. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të forcohen kapacitetet institucionale të këtyre përfituesve të projekteve në mënyrë që ata t’i menaxhojnë ato me efikasitet (të cilat zakonisht janë komplekse për shkak të standardeve të larta) dhe të përgatisin më shumë projekte të tilla në të ardhmen. Kjo është një nga pikat kryesore të MoU-së që ne kemi nënshkruar me qeverinë e Kosovës – t’u japim përparësi projekteve kyçe infrastrukturore dhe të ndihmojmë në forcimin e institucioneve të saj, me bindjen që mund të kemi një bashkëpunim shumë të suksesshëm. Megjithatë, duhet të shfrytëzojmë sa më mirë kohën e përcaktuar në MoU (deri në vitin 2027) për ta vendosur zhvillimin e Kosovës në një trajektore të shpejtë. Në këtë drejtim, shpresojmë të ndërmarrim hapa urgjente.

Projektet Infrastrukturore

Buletini Ekonomik: Tani do të doja të kaloj te një projekt aktual. Vendimmarrësit në Kosovë për një kohë të gjatë kanë ndalur llogaritjen e kredisë nga BERZH për ndërtimin e rrugës Kijevë-Zahaq. Çfarë po ndodh me kredinë prej më shumë se 70 milionë eurosh nga BERZH, ndërsa tani qeveria e Kosovës është e interesuar për të përfunduar ndërtimin e rrugës? Cili është statusi i kredisë?

Maslichenko: Kredia u anulua nga qeveria. Ishte një kredi prej 70 milionë eurosh nga BERZH, plus 70 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve. Pra, gjithsej 140 milionë euro për një projekt të përbashkët BERZH/BEI për të ndërtuar një autostradë moderne për në Pejë, të ngjashme me atë të Tiranës dhe Shkupit. Qeveria vendosi që zgjerimi i rrugës ekzistuese është një opsion më i mirë dhe më i lirë. Edhe pse ne punuam intensivisht për këtë projekt për pesë vjet – në studimin e fizibilitetit, dizajnin paraprak, përgatitjen e tenderit – dhe e nënshkruam atë me qeverinë e mëparshme, qeveria e re kishte një qasje tjetër dhe anuloi projektin. Ky është ndoshta një shembull i mirë për nevojën e vazhdimësisë së strategjisë dhe prioriteteve qeveritare, pasi projektet infrastrukturore zakonisht marrin 3-5 vjet për t’u përgatitur dhe zbatuar, zakonisht më gjatë se një cikël politik.

Buletini Ekonomik: Ka një numër projektesh që lidhen me hekurudhat, por lidhja e hekurudhave të Kosovës mbetet e dobët dhe rehabilitimi i tyre po zgjat shumë. Cili është mendimi juaj mbi nevojën për të investuar në rehabilitimin e hekurudhave?

Maslichenko: Lidhja rajonale është një prioritet për BERZH-in në Ballkanin Perëndimor si pjesë e integrimit rajonal në BE. Rehabilitimi i hekurudhave do të përmirësonte lidhjen e Kosovës me vendet e rajonit dhe më gjerë, duke i mundësuar vendit akses në tregjet europiane. Lidhja aktuale, me dy autostrada drejt Tiranës dhe Shkupit, nuk është e mjaftueshme për të lehtësuar integrimin e Kosovës në tregjet më të mëdha rajonale. Le të themi, nëse doni të sillni mallra nga Kosova në Gjermani, nuk mund të mbështeteni vetëm tek rrugët pasi kjo do të ishte më pak efikase dhe më pak e qëndrueshme në aspektin mjedisor. Hekurudhat e elektrifikuara ofrojnë një alternativë më të lirë, më të pastër dhe më të qëndrueshme. Duke rritur ekonominë e saj, Kosova duhet të synojë ndërtimin e kapaciteteve eksportuese. Për këtë, infrastrukturat si hekurudhat janë elemente kyçe.

Ne kemi punuar shumë në nivel rajonal për të rehabilituar dhe ndërtuar hekurudha të reja në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi duke financuar korridorin hekurudhor 10, që shkon nga Hani i Elezit në kufirin me Maqedoninë e Veriut deri në Leshak në kufirin me Serbinë. Ky korridor është financuar bashkërisht me BEI dhe BE, dhe është duke u zbatuar nga Infrakos. Faza e tretë e këtij projekti është në veriun e Kosovës, e cila do të përfundojë në një moment të dytë, për shkak të situatës politike, por linja nga Mitrovica në Hanin e Elezit është më shumë se 50% e përfunduar.

Projekte të tilla janë komplekse dhe kërkojnë vite për t’u zbatuar përmes përpjekjeve të përbashkëta nga organet qeveritare dhe përfituesit, në këtë rast Ministria e Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Infrakos. Ndryshimet e qeverisë ose të prioriteteve qeveritare vonojnë zbatimin. Gjithashtu është e rëndësishme të ketë një menaxhim profesional dhe të qëndrueshëm në ndërmarrjet publike. Ndonjëherë, ka edhe probleme me kontraktorët, sepse nuk ka aq shumë projekte ose mjaftueshëm të mëdha për ta bërë Kosovën tërheqëse për kontraktorë të mirë që të hapin zyra këtu dhe të prioritizojnë këto projekte. Pra, sapo të keni më shumë projekte që vlejnë qindra miliona, do të keni shumë kontraktorë të mirë; nëse nuk keni projekte investimi, nuk mund të prisni kontraktorë të mirë.

Për sa i përket projekteve të ardhshme hekurudhore, BERZH ka shprehur interesin për të financuar seksionin Perëndim-Lindje – nga Peja në Merdare, që potencialisht mund të lidhet me aeroportin e Prishtinës. Së bashku me BE-në, kemi përgatitur një studim fizibiliteti për këtë projekt dhe mund të financojmë dhe të fillojmë zbatimin relativisht shpejt.

Buletini Ekonomik: Ka një numër projektesh nga BERZH që kanë dështuar në procesin e zbatimit. Çfarë tregon kjo?

Maslichenko: Nuk ka projekte të BERZH-it që kanë dështuar në Kosovë. Kemi pasur projekte që janë anuluar në mënyrë të njëanshme, siç e përmenda më lart. Ato mund të ishin zbatuar, por pastaj prioritetet për fat të keq ndryshojnë dhe kjo nuk është në dorën tonë.

Përveç autostradës Prishtinë-Pejë, ne kemi punuar për disa vite së bashku me BE-në për studimin e fizibilitetit për një tjetër autostradë të rëndësishme, Prishtinë-Podujevë-Merdare. Projekti u vlerësua rreth 200 milionë euro, duke përfshirë një grant prej 80 milionë euro të aprovuar nga BE. Ne gjithashtu kemi punuar në përgatitjen e studimit të fizibilitetit dhe dizenjimin paraprak për Unazën e Prishtinës, një bypass rreth pjesës perëndimore të qytetit. Fatkeqësisht, këto projekte nuk vazhduan pasi qeveria ndryshoi prioritetet ose vendosi t’i zbatojë vetë ato.

Sektori i Energjisë

Buletini Ekonomik: Kosova po vonon përmbushjen e objektivave të tranzicionit të energjisë. Është e vërtetë që ndër zyrtarët ka vizione premtuese për të pasur kapacitete të reja të energjisë së ripërtërishme, por nuk ka projekte të përfunduara (përveç projektit të energjisë së erës në Shalë, në Bajgorë, dhe atij shumë më modest në Kitkë, në Kamenicë). Si e shpjegoni këtë stagnim? Duke u bazuar në punën aktuale, a është një objektiv realist kalimi nga 5% në 30% deri në vitin 2031?

Maslichenko: Strategjia e Energjisë është përgjithësisht një dokument i mirë me objektiva dhe plane të mira, por po aq i rëndësishëm është edhe zhvillimi i politikave dhe kornizës rregullatore përkatëse për t’i përmbushur këto objektiva. Duke parë zbatimin e strategjisë deri tani, kam ndjenja të dyjëzuara dhe mendoj se mund të bëhet shumë më tepër. Objektivi për energjinë e rinovueshme tani duket shumë ambicioz, jo vetëm në përqindje, por edhe në terma të numrave absolutë. Një kapacitet i ri prej 1300 MW me energji diellore dhe të erës brenda më pak se 7 vitesh është një detyrë e vështirë, dhe për të pasur sukses – na duhet një ritëm më i shpejtë në zbatimin e strategjisë dhe një qasje më proaktive nga ana e qeverisë. Deri tani, nëse e shikoni në retrospektivë, vetëm dy parqe eolike, Kitka dhe Bajgora (së bashku 140 MW), janë të vetmet asete të mëdha energjitike të ndërtuara në Kosovë që nga vitet 1980’, kur u ndërtua termocentrali Kosova B. Një hap i rëndësishëm përpara për zbatimin e strategjisë ishte ankandi i fundit për një impiant diellor fotovoltaik prej 100 MW, por përgatitja e tij zgjati disa vjet dhe ky projekt nuk është i mjaftueshëm për të arritur objektivin prej 1300 MW.

Në këndvështrimin tim, mënyra e vetme për të arritur objektivin për energjinë e rinovueshme është të përshpejtohet përfshirja e sektorit privat, gjithashtu përmes të ashtuquajturave PPA korporative (marrëveshje për blerje të energjisë) midis prodhuesve dhe konsumatorëve të energjisë. Në BERZH, ne kemi takuar shumë zhvillues të huaj dhe lokalë që janë të interesuar të zhvillojnë projekte të tilla. Qeveria duhet t’i japë prioritet këtij sektori dhe të përmirësojë mjedisin rregullator për projekte të tilla. Nuk po flas ekskluzivisht për projektet e mëdha; ka shumë projekte të vogla si 10 MW ose 5 MW, që kompanitë mund t’i ndërtojnë për nevojat e tyre për konsum energjie. Së bashku mund të bëjmë shumë më tepër në Kosovë në fushën e energjisë së rinovueshme.

Si BERZH, ne zakonisht ndihmojmë qeveritë të organizojnë ankandet, sepse kompanitë e mëdha ndërkombëtare që marrin pjesë në ankande duhet të kenë besim se ankandet do të jenë të mirëmenaxhuara dhe transparente. Ata na njohin dhe na besojnë si institucion, prandaj nëse BERZH është pjesë e procesit, ankandi fiton besueshmëri dhe tërheq kompani me reputacion. Mjafton të mendoni që në Shqipëri kemi zhvilluar katër raunde ankandesh për një total prej 800 MW në katër vitet e fundit. Parku fotovoltaik i Karavastasë prej 140 MW tashmë është ndërtuar dhe është në gjendje pune. Kosova ka nisur gjithashtu këtë proces dhe duhet të vazhdojë të përdorë mbështetjen nga BERZH dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Buletini Ekonomik: Cili është qëndrimi i BERZH-it për tranzicionin nga qymyri në energji të pastër në Kosovë?

Maslichenko: Pikë së pari, një tranzicion i tillë është thelbësor për të siguruar qëndrueshmërinë e ekonomisë. Si BERZH, ne kemi një strategji për çdo vend ku punojmë, në përputhje me prioritetet e qeverisë. Për Kosovën, ne gjithashtu kemi një strategji pesëvjeçare (2022-2027). Prioritete kryesore janë tre: e para është integrimi rajonal, projektet infrastrukturore që përfshijnë hekurudhat dhe rrugët, për të cilat fola; e dyta është mbështetja e sektorit privat, rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë dhe gjithëpërfshirja; dhe prioriteti i tretë është tranzicioni drejt energjisë së gjelbër, energjia e rinovueshme dhe efiçienca energjitike.

Tranzicioni i gjelbër në çdo vend bazohet në dy shtylla kryesore: energjinë e rinovueshme dhe efiçienca energjitike. Termocentralet ekzistuese janë shumë të vjetra, joefikase, të dëmshme për mjedisin dhe për shëndetin e njerëzve, përveçse të pasigurta për bizneset.

Kosova ka pasur fatin të ketë dimra të butë kohët e fundit, por dy vite më parë nuk ishte kështu dhe Kosova vuajti nga ndërprerjet e energjisë dhe importet e shtrenjta të energjisë. Jo vetëm qytetarët dhe qeveria, por edhe bizneset vuajtën nga ndërprerjet e energjisë. Investimet e reja në ekonomi nuk do të vijnë nëse ky problem nuk zgjidhet. Një situatë e tillë mund të ndodhë në çdo kohë, dimrin e ardhshëm ose më vonë, gjë që tregon se status quo-ja është thjesht e paqëndrueshme. Gjithashtu, për sa i përket çmimit, gjenerimi i energjisë nga qymyri nuk është më i lirë, sepse çmimi aktual i KEK-ut nuk përfshin kostot e tjera, për shembull, për të mbuluar dëmet e mëdha mjedisore dhe shëndetësore për shoqërinë, pa përmendur ndotjen e planetit nga dioksidi i karbonit.

Nga ana tjetër, ky çmim i ulët artificial kufizon zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend. Cili është qëllimi i investimit në energjinë e rinovueshme nëse ka një energji nga qymyri tashmë të subvencionuar dhe çmimet mbahen artificialisht të ulëta? Qymyri është gjithashtu shumë kufizues, pasi parandalon bashkëpunimet me organizatat ndërkombëtare, sepse asnjë prej tyre nuk mund të financojë ose mbështesë ndonjë projekt të lidhur me energjinë nga qymyri. Efiçienca energjitike është një tjetër shtyllë për tranzicionin e gjelbër të Kosovës larg nga qymyri, sepse përmes efiçiencës energjitike ju reduktoni nevojën për prodhimin e ri të energjisë dhe ngrohjes. Kjo mund të tingëllojë befasuese, por konsumatori më i madh i energjisë në Kosovë janë ndërtesat (rreth 40%), me transportin në vend të dytë dhe vetëm i treti është biznesi. Kjo është arsyeja pse, nëse doni të kurseni energji, duhet t’u jepni përparësi investimeve në efiçiencën energjitike në ndërtesa dhe në transport të qëndrueshëm (diversifikimi drejt hekurudhave dhe transportit publik).

Për ndërtesat kemi dy projekte për rehabilitimin dhe përmirësimin e efiçiencës energjitike në 150 ndërtesa – shkolla, kopshte, spitale – në Prizren dhe Prishtinë. Ne po ndërtojmë duke u bazuar në këtë eksperiencë dhe aktualisht po përgatisim me qeverinë një projekt më të madh për rehabilitimin e 400 ndërtesave në të gjithë vendin. Ne kemi filluar përgatitjen e studimit të fizibilitetit me Fondin e Efiçiencës së Energjisë të Kosovës dhe planifikojmë ta nënshkruajmë këtë projekt së bashku këtë vit. Më pas, duhet të fokusohemi në efiçiencën e energjisë në ndërtesat rezidenciale me shumë apartamente.

Buletini Ekonomik: Zoti Maslichenko, le të flasim dhe për mënyrën se si e parashikoni bashkëpunimin e ardhshëm midis BERZH-it dhe Kosovës. Në cilin fushë do të dëshironit të përqendronit investimet tuaja në Kosovë?

Maslichenko: Siç e përmenda, në strategjinë tonë për Kosovën kemi tre sektorë prioritarë – ndërlidhjen/infrastrukturën, tranzicioni i energjisë së gjelbër dhe mbështetjen e sektorit privat. Ne jemi një institucion i udhëhequr nga kërkesa – ato çfarë qeveria apo biznesi dëshiron të bëjë këtu në këta sektorë, ne mund t’i mbështesim me financim dhe ekspertizë për t’i përgatitur dhe, më e rëndësishmja, për t’i zbatuar ato projekte. Kemi një ekip të shkëlqyer në zyrën e Prishtinës prej 20 profesionistësh, gjithashtu të mbështetur nga shumë të tjerë në selinë tonë në Londër. Dhe, nuk jemi të kufizuar nga madhësia e financimit, aktualisht investojmë 80 milionë euro në vit, por besoj se mund të arrijmë 200-300 milionë euro në Kosovë, veçanërisht në infrastrukturën publike.

Një fushë specifike ku mund të bëjmë më shumë, si me qeverinë (dhe ndërmarrjet publike), ashtu edhe me sektorin privat, është energjia e rinovueshme. BERZH është me diferencë aktori më i madh dhe më aktiv në këtë fushë në Ballkanin Perëndimor. Kemi qenë shumë aktivë në Kosovë me këshilla mbi politikat dhe financimin e projekteve, por dy projektet e fundit (fermat eolike Kitka dhe Bajgora) u nënshkruan në vitin 2019. Në BERZH, jemi të gatshëm të mbështesim përpjekjet e qeverisë për të zhvilluar ankande të suksesshme dhe për të tërhequr investitorë të njohur në sektor, ashtu siç bëjmë në vendet fqinje.

Përveç ankandeve, ka shumë kompani vendase dhe të huaja që tashmë kanë zhvilluar ose janë duke zhvilluar projektet e tyre diellore dhe të erës në tokë private ose në përdorim. Ne jemi takuar me shumicën e tyre dhe ata po zhvillojnë projekte me një kapacitet total prej 1000 MW. Këto janë projekte të avancuara që ne jemi të gatshëm t’i mbështesim. Megjithatë, ka ende sfida rregullatore që duhet të tejkalohen dhe duhen disa vite për t’i përgatitur këto projekte për financim (për të marrë lejet, marrëveshjet e nevojshme, etj.). Besojmë se kjo është një fushë që qeveria duhet ta prioritizojë. Ne jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë për të përmirësuar rregulloret për këto projekte, për të përshpejtuar përfshirjen e sektorit privat në energjitë e rinovueshme. Kjo nuk është vetëm një ide për Kosovën, por një trend aktual që e shohim kudo në rajon dhe në Europën Perëndimore. Veçanërisht në Kroaci dhe Poloni, projektet c-PPA po përjetojnë një rritje të madhe tani.

Buletini Ekonomik: Sipas mendimit tuaj, cilat janë sfidat më urgjente për zhvillimin ekonomik të Kosovës në dekadën e ardhshme?

Maslichenko: Folëm për tranzicionin e gjelbër dhe infrastrukturën. Këto janë shumë të rëndësishme për një demokraci të re si Kosova që të zhvillohet shpejt dhe të integrohet në hallkat e vlerave evropiane. Kam përmendur gjithashtu nevojën për përmirësimin e kapaciteteve të qeverisë (ministrive, ndërmarrjeve publike), planifikimin e mirë strategjik dhe fokusin në projektet prioritare të infrastrukturës, si dhe nevojën urgjente për të reformuar ndërmarrjet publike. Reformimi i ndërmarrjeve publike ose privatizimi i disa prej tyre do të sjellë më shumë investime dhe mundësi biznesi në ekonominë e Kosovës, duke kursyer paralelisht në buxhetin publik fondet që përdoren për subvencionimin e operacioneve të tyre. Në BERZH kemi një ekspertizë të madhe në këtë fushë, tashmë kemi mbështetur qeverinë me ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike dhe jemi të lumtur të vazhdojmë të mbështesim dhe financojmë programet e investimeve të ndërmarrjeve publike.

Këto janë prioritetet për zhvillimin ekonomik të vendit: përparësitë strategjike; përmirësimi i kapaciteteve të ministrive, ndërmarrjeve publike, bashkive; investimi në infrastrukturën e nevojshme (rrugë, hekurudha) dhe tranzicioni i energjisë së gjelbër.

Buletini Ekonomik: Një nga objektivat kryesore të BERZH-it në Kosovë është lidhur me Investimet e Huaja Direkte. Gjatë vitit 2023, investimet e huaja direkte ishin mbi 600 milionë euro. Kryesisht këto investime ishin në pasuri të paluajtshme dhe diaspora e Kosovës duke blerë apartamente në vendin tonë. Çfarë duhet bërë për të marrë më shumë investime nga kompani të mëdha?

Maslichenko: Stabiliteti, parashikueshmëria dhe rregullat e qarta janë treguesit kryesorë për investitorët e huaj. Siç u përmend, shohim një interes të madh në energjinë e rinovueshme. Një qasje strategjike për të pasur ankande me kompani të mëdha dhe të mirënjohura do të sillte padyshim më shumë visibilitet dhe interes për sektorin e energjitik të vendit dhe do të përshpejtonte rritjen e tij. Një ose dy ankande mund të jenë një fillim i mirë për të vendosur Kosovën në hartë. Por kjo duhet të shkojë paralelisht me krijimin e legjislacionit dhe kornizës rregullatore për projekte të tjera, jo përmes ankandit, të cilat zakonisht janë forca kryesore shtytëse për sektorin. Kjo është një fushë ende e re që kërkon më shumë përpjekje dhe mbështetje nga qeveria për të tërhequr investime. Por ne si BERZH jemi këtu për të mbështetur Kosovën në çdo hap të këtij rrugëtimi. /Buletini Ekonomik/