‘Hilja’ e BQK-së me Bonus-Malus: Si iu pamundësua marrja e bonuseve qytetarëve me historik të mirë të aksidenteve?

Prej vitit 2020, shoferët kosovarë dyshohet se nuk i kanë realizuar të drejtat e tyre për marrjen e bonuseve me rastin e regjistrimit të veturave. Atyre u është pamundësuar kjo e drejtë falë ndryshimit të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për zbatimin e sistemit Bonus-Malus.

Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë bonusin ose malusin. Një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë malus.

Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion. Sipas ekspertëve të sigurimeve, kështu e parasheh edhe praktika ndërkombëtare në të gjitha vendet e botës.

Reklama e sponzorizuar

Por, rregullorja paraprake e hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila është në fuqi që nga viti 2012, pësoi ndryshime në korrik të vitit 2020. Zbatimi i këtij sistemi, tani u zgjerua edhe për rastet kur shoferët vonohen në përtëritjen e kontratës për sigurim të veturës. Nga muaji korrik i vitit 2020, shoferët kosovarë kanë paguar sigurimin e veturës më shtrenjtë sa herë që janë vonuar në pagesën e sigurimit të veturës. Atyre u është njohur sistemi bonus-malus në këto raste, sikur të kishin shkaktuar aksidente.

Ky ndryshim ka pamundësuar marrjen e bonuseve edhe për shoferët me historik të mirë të aksidenteve. Kjo, sepse rregullorja e re parasheh se për ta përfituar bonusin, qytetarët përveç që nuk duhet të kenë aksidente në vitin paraprak, ata duhet ta rinovovojnë kontratën e sigurimit me kompaninë “jo më shumë se 10 ditë para përfundimit të afatit njëvjeçar të policës”. Në të kundërtën nuk mund ta fitojë bonusin e vitit të ardhshëm. Bonusi në asnjë rast nuk mund të përfitohet nëse ka skaduar kontrata e sigurimit.

Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus Malus, zbatimi i këtij sistemi bazohet vetëm “në historikun e dëmeve të të siguruarit (policëmbajtësit)”.

Në asnjërën prej këtyre dokumenteve, nuk përcaktohet të jetë bazë për zbatimin e sistemit bonus malus edhe kriteri për vonesat në kontraktimin e sigurimit.

Ky zgjerim i kompetencave brenda sistemit Bonus-Malus është duke u hetuar nga Avokati i Popullit, nën dyshimet se shoferët kosovarë me këtë rast u kushtëzuan jashtëligjshëm përmes kësaj rregulloreje.

Sipas hulumtimit, deri të këto ndryshime, dyshohet se erdhi pas ndërhyrjeve të grupeve të interesit në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), e cila në bazë të ligjeve në fuqi e mbikëqyrë tregun e sigurimeve. /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE:

Rregullorja e BQK-së që dyshohet se ‘fshiu’ milionat e shoferëve kosovarë