Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se depozitat e Ekonomive Familjare në valutën euro për herë të parë tejkalojnë shifrën 4 miliardë euro, sipas raportit të publikuar nga BQK për muajin gusht.
Murati thotë se ky ritëm i rritjes po përshpejtohet gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, transmeton Telegrafi.
“Siç mund të shihet edhe nga grafikoni më poshtë, ritmi i rritjes përshpejtohet në mënyrë të theksuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Për 4 vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro, që krahasuar me 4 vitet paraprake gjatë qeverisjeve të kaluara është për 3-fish më e lartë”, thotë ministri.
Ministri shkruan se “ky është tregues se rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse e nuk po bëhet vetëm për biznese, por për të gjithë qytetarët”.
“E kjo është gjë e mirë sepse duke pasur më shumë para, ekonomitë familjare blejnë më shumë, gjë që shton qarkullimin e bizneseve, e përfundimisht edhe nevojën për rritje të punësimit.
Ngjashëm edhe buxheti i shtetit, përderisa në të kaluarën shërbente për pasurimin e disave, tani orientohet për shtesat e lehonave, shtesat e fëmijëve, mbështetje për studentë e pensionistë, barna esenciale, mbështetje për bujqit, por edhe siguri e mbrojtje”, ka pohuar ministri.
Tutje, ai thotë se Qeveria është për të gjithë.