Një kilogram i fasules së re, dje, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, saktësisht, tregtohej me 9 euro. Ky çmim, që thyen të gjitha rekordet e deritashme të çmimit të një produkti bujqësor në tregjet e Kosovës, është përafërsisht sa çmimi i një kilogrami të mishit të gjedhit.
Buletini Ekonomik
Këtyre ditëve, më saktësisht që në ditët e para kur në tregjet e Kosovës u paraqit fasulja e sivjetshme, kjo e reja, pra, ky produkt bujqësor i popullarizuar në kuzhinat e kosovarëve theu të gjitha rekordet e çmimeve në tregjet tona. Një kilogram i fasules së re, dje, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, saktësisht, tregtohej me 9 euro. Ky çmim, që thyen të gjitha rekordet e deritashme të çmimit të një produkti bujqësor në tregjet e Kosovës, është përafërsisht sa çmimi i një kilogrami të mishit të gjedhit.
“Kjo nuk ka ndodhë kurrë. Të kushtojë një kilogram fasule sa një kilogram i mishit, nuk e besoj, që ka diku tjetër në botë”, thotë një prishtinas, i cili thuaja i stepur, tregonte për çmimin me të cilin tregtohej fasulja dje në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit.
Ndërkaq, një pronar i një shitoreje të specializuar vetëm për tregtimin e produkteve bujqësore (kryesisht, pemëve dhe perimeve), i njohur për furnizimin e vazhdueshëm me fasule cilësore të dyqanit të tij, i ka thënë Buletinit Ekonomik se as që e mbanë sivjet fasulen e re. Tek prodhuesi e ka çmimin 8 euro për kilogram, dhe atë me shumicë.
“Sa ta shes unë mbi këtë çmim, e di se klientët e mi, edhe ata të përhershmit, që vështirë më ndërrojnë me ndonjë tjetër shitore, do t’i bëjë me nerva, madje edhe do ta humb besimin e fituar ndër vite për korrektesi dhe lojalitet ndaj konsumatorëve”, thotë pronari prishtinas, i cili vazhdon të tregtojë fasule, prodhim i vjetshëm nga arat e Korçës, me çmimin 6 euro për një kilogram.
“Fasule të re, nuk ka as për së afërmi për t’i plotësuar kërkesat e qytetarëve dhe të gastronomisë”, thotë një tregtar tjetër në tregun prishtinas, i cili e quan veten me fat, që ka arritur t’i sigurojë disa dhjetëra kilogramë nga kopshtarë të Llapit, me çmim 6 euro kilogrami. Një prodhues nga Llapi thotë se “fasulen e re e kërkojnë edhe qytetarët, edhe gastronomia e vendit, sidomos gjelltoret, në të cilat ushqehen me shumicë punëtorët me mëditje dhe në të cilat dominon si ushqim kryesor fasulja”.
“Pronarët e gjelltoreve kërkojnë edhe me 200-300 kilogram për një herë të fasules së sivjetshme, por vështirë se mund ta gjesh sivjet gjithë këtë sasi te ndonjë kopshtar, apo fermerë”, ka thënë një prodhues i këtij produkti, që e kultivon fasulen për nevoja të familjes dhe tepricat i shet.
Shitësit, fajin për këtë çmim, pra e shohin te mungesa e fasules nga kopshtet dhe arat e fermerëve kosovarë dhe kërkesat në rritje të tregut për këtë produkt në radhë të parë. Ndërsa, mungesën e tij e shpjegojnë me reduktimin e ndjeshëm të sipërfaqeve të mbjella me fasule, braktisjen e punimit të tokës nga shumë njerëz, që më përpara kultivimin e perimeve e kishin krah të mbajtjes së familjes, te thatësia enorme e sivjetshme, mu në periudhën e rritjes së bimës etj.
Edhe në vendet e rajonit, sivjet mungon ky produkt për shkaqe thuaja të njëjta me të Kosovës. Dhe, për këtë arsye, edhe nëse gjen diku për ta importuar, që tani ka çmime të reja të ngritura. Fasulja, ç’është e vërteta, ishte produkti bujqësor që edhe në vitin e kaluar, pikërisht në këtë kohë (në shtator dhe në tetor), që kishte thyer rekordin e çmimit në tregjet tona. Në disa shtande të tregjeve të gjelbra prishtinase dhe në shumë tregje të tjera të qyteteve të vendit, në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit 2023, fasulja kishte arritur çmimin 8 euro për një kilogram, që ishte çmim mbi të gjitha çmimet e deritatëhershme të këtij produkti në Kosovë. Sivjet, megjithatë është thyer edhe rekordi i çmimit të vjetshëm. /Buletini Ekonomik/