Njohës të ekonomisë nuk presin rritje të lartë ekonomike gjatë viteve në vijim. Thonë se Kosova ka ngecur në projektet e qëndrueshme ekonomike. Njohësit e fushës thonë se në rast se nuk investohet në infrastrukturë, energji e projekte të tjera, do të ketë regres ekonomik.
Kosova po vlerësohet se nuk ka një strategji të duhur për rritjen ekonomike gjatë viteve të ardhshme.
Vit pas viti thuhet se përqindja e rritjes ekonomike ka qenë e ulët.
Për këtë, njohës të ekonomisë deklarojnë se nuk po punohet në asnjë projekt të qëndrueshëm strategjik i cili do t’i sillte vendit më shumë të ardhura.
“Në bazë të planifikimit të zhvillimit ekonomik, në bazë të investimeve kapitale, mendoj se do kemi një stagnim të zhvillimit ekonomik, duhe marrë për bazë edhe sanskioneve të vendosura nga BE-ja të cilat po shtohen çdo ditë”, tha për RTK, Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.
“Prodhimi vendor fuqizohet duke pasë investime të huaja, duke transferuar “knoë hoë” të diturit, teknologjinë dhe kapitalin njerëzor te investimet vendore dhe duke investuar më shumë”, deklaroi Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika.
Njësoj është shprehur edhe njohësi i fushës Ismet Mulaj, i cili ka përmendur disa nga projektet e rëndësishme në të cilat ekzekutivi duhet ta kthejë fokusin.
Nga Ministria e Ekonomisë nuk kanë pranuar të deklarohen në rast se janë duke punuar në ndonjë projekt strategjik.
Nga Ministria e Industrisë i patën thënë më parë RTK-së se janë duke ndërmarrë disa masa në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë. Po ashtu, nga kjo ministri kanë theksuar se po krijojnë lehtësira ekonomike për investitorët. Rritja ekonomike gjatë këtij viti në Kosovë është parashikuar të shkojë deri në 3.9%.