Hulumtimi i Buletinit: BQK i përgjigjet AKRK-së, “zotohet” për “liberalizim gradual” të tregut të sigurimeve

BQK - Buletini Ekonomik

Pas hulumtimit të Buletinit Ekonomik për një skemë kartel në tregun e sigurimeve në Kosovë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKRK) muajin e kaluar në kuadër të hetimeve të nisura për këtë sektor, i kishte drejtuar një letër Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku i kërkonte shpjegime se pse nuk po fillon liberalizimi i tregut.

Autoriteti i Konkurrencës muajin e kualuar nisi hetime për tregun e sigurimeve në Kosovë, pas publikimit të hulumtimit disamujor të Buletinit Ekonomik, që zbardhë një skemë kartel në këtë industri.

Në letrën e AKRK-së drejtuar BQK-së përmendet një mendim profesional i këtij institicioni i vitit 2019, ku ishte konstatuar se shitja e sigurimit TPL nga kompanitë e sigurimeve në Kosovë është duke e shkelur konkurrencën, siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Një muaj më vonë, BQK, si rregullator i tregut të sigurimeve, është përgjigjur në letrën e AKRK-së, një kopje të të cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Ky insitucion, në letrën e datës 30 gusht 2024, ka pranuar se tregu i sigurimeve është në kushtet e shkeljes së konkurrencës dhe është zotuar se pritet të merren masa shumë shpejt.

Në letrën e BQK-së thuhet se BQK-ja planifikon që deri në fund të vitit 2025, të përgatisë ndryshime rregullative për strukturën e primit, duke mundësuar që më pas të fillojë zbatimi i një modeli të liberalizimit të pjesshëm të primit të Sigurimit nga Autopërgjegjësia.

“Kjo, siç thamë më lartë, si fazë e parë dhe qasje graduale e kujdesshme drejt liberalizimit të plotë”, thuhet në letrën e BQK-së.

Sipas gjetjeve të hulumtimit të Buletinit Ekonomik, tregu i sigurimeve në Kosovë funksionon brenda një skeme të mirëmenduar ku ndahet gjithçka me marrëveshje paraprake mes pronarëve të kompanive dhe ku autoritetet shtetërore qëndrojnë si spektatorë.

Kjo është procedura e tretë hetimore që AKRK pritet ta zhvillojë për këtë industri që nga viti 2009. Në dy rastet e para ishin konstatuar shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës me rastin e shitjes së sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL). Por tash, hetimet pritet të zgjerohen edhe për dyshimet për një skemë kartel në komplet industrinë.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, një skemë kartel është kur subjektet në një treg përkatës merren vesh për ndarjen e tregut duke i fiksuar çmimet për qytetarët.

Në AKRK i kanë thënë Buletinit se rasti tashmë është protokolluar dhe pritet të vazhdohet me procedurat hetimore.

Tregun e sigurimeve në Kosovë e përbëjnë 10 kompani, por kur i regjistrojnë veturat qytetarët e Kosovës, nuk kanë mundësi të zgjedhjes së çmimit më të lirë. Të dhjetat e ofrojnë një çmim të vetëm. Krejt kjo – falë dy marrëveshjeve të ndaluara mes kompanive të sigurimeve, njëra e vitit 2009 dhe një tjetër e vitit 2016. Të dyja këto marrëveshje, që janë pjesë e dosjeve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), flasin për fiksim të çmimit në shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL).

Nga hulumtimi disamujor për këtë sektor, del se pronarët e kompanive të sigurimeve nuk kanë marrëveshje vetëm për fiksim të çmimit në sigurimin e veturave. Dokumentet e siguruara dëshmojnë se komplet tregu i sigurimeve në Kosovë funksionon brenda një skeme të mirëmenduar, ku ndahet gjithçka me ujdi paraprake.

E njohur si marrëveshja me fiksimin e pjesëmarrjes së tregut, ky sektor funksionon në atë mënyrë që pronarët e kompanive të sigurimit janë pajtuar për caktimin e përqindjeve (%) që ata do të kenë në fund të vitit financiar, si në sigurimet e detyrueshme (TPL) ashtu edhe në ato vullnetare. Dhjetë kompani sa janë në treg, veprojnë sipas një parimi tre shkallësh të ndarjes së tregut. Sipas marrëveshjes, kompanitë e mëdha të sigurimeve, që kanë primatin në shitjen e sigurimeve, do të mbajnë nivelin prej 12% të tregut, kompani të tjera do të mbajnë 10% të tregut, ndërkaq ato më të vogla, do të mbajnë 8% të tregut të sigurimeve. Kjo marrëveshje nuk nënkupton vetëm ndarjen e “kulaçit” ndërmjet kompanive të sigurimeve, por edhe rritjen e vëllimit të primeve të cilat ndahen nga kjo marrëveshje, e kjo i referohet shprehimisht sigurimeve vullnetare, si dhe TPL-ve kur ofertohen në tender publik. Kjo funksionon përmes menaxhimit të shitjeve përbrenda një sistemi elektronik që kontrollohet vazhdimisht.

Gjatë periudhës së hulumtimit, Buletini Ekonomik ka intervistuar qytetarë të cilëve nga agjentët e kompanive të sigurimeve, në raste të caktuara, u është thënë se “sistemi ka rënë” dhe se nuk mund t’u lëshohet policë sigurimi, duke i udhëzuar të njëjtit që të drejtohen të një kompani tjetër për blerjen e sigurimit. Në fakt, kjo “rënie e sistemit” nënkupton pikërisht barazimin e numrave sipas marrëveshjes, ashtu që njëra kompani të mos shkojë larg të tjerave në përqindje, por të respektohen shkallët e tyre të caktuara paraprakisht me marrëveshje. Këtë e kanë pohuar në kushte anonimiteti edhe agjentë të sigurimeve që punojnë për kompani të ndryshme të sigurimeve.

Marrëveshja në fjalë me ndarjen e pjesëmarrjes në treg ka garantuar të ardhura të “sigurta” për kompanitë e sigurimit gjithë këto vite. Edhe në rastet e tenderëve publikë, Buletini Ekonomik ka gjetur se nuk zhvillohet asnjë “luftë” që vlera e një kompanie të sigurimeve të mbizotërojë për një lloj sigurimi të caktuar, ngase paraprakisht veçse ka dakordim se cili tender, nga cila kompani e sigurimeve do të fitohet. /Buletini Ekonomik/

Lexo edhe:

Skema kartel e sigurimeve: Si ndahet tregu mes kompanive?

Hulumtimi i Buletinit për skemën kartel në sigurime, AKRK nis hetimet