Rukiqi: Tenderët njëburimor qeveria i ka markë tregtare, Kurti vazhdon ta injorojë këtë korrupsion

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës Berat Rukiqi ka thënë se qeveria po vazhdon me dhënien e tenderëve njëburimor, sidomos tani kur ditët i ka të numëruar.

Sipas tij tenderët “sekretë” siç i quan LDK, janë ndër markat tregtare të kësaj qeverie.

“Tenderat njëburimor janë ndër markat tregtare të kësaj qeverie, pra pa përjashtim komplet kabineti qeveritar dhe të gjitha organizatat buxhetore të varura nga kjo qeveri, por edhe të gjitha ndërmarrjet publike që qeverisen nga kjo qeveri janë kampion të dhënies së tenderëve njëburimor”, tha Rukiqi në një prononcim për gazetën Express.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Rukiqit këtu përgjegjësia është e komplet udhëheqjes së qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin Kurti, i cili vazhdon të injorojë një problem që është shndërruar në praktikë të qeverisjes.

“Pra një praktikë korruptive e cila realisht nuk ka të ndalur dhe që vazhdon të përdoret edhe për fuqizimin e pushtetit faktik dhe të pushtetit financiar të kësaj qeverie. Këta tenderat janë burim kryesor i korrupsionit”, shtoi Rukiqi.