Për shkak se prokurorja e rastit, Ardiana Veseli, e ka pranuar me vonesë lëndën është shtyrë seanca e paraparë të mbahej këtë të enjtes ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, i akuzuar për korrupsion.
Kryetari i trupit gjykues, Sabit Sadikaj bëri të ditur se këtë lëndë prokurorja Veseli e ka pranuar shumë vonë, konkretisht sot në mëngjes dhe se të njëjtën i duhet më shumë kohë për ta përgatitur.
“Këtë lëndë sapo e pranova dhe kërkoj që kjo seancë të shtyhet”, tha prokurorja Veseli.
Lidhur me këtë kërkesë nuk pati vërejtje as nga ana e mbrojtës dhe e njëjta me vendim të gjyqtarit u shty për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me Paykos L.L.C ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.
Tutje, akti akuzues thotë se i akuzuari Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu Paykosin në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.
Sipas akuzës, të dëmshme janë vlersuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.
Me lidhjen e këtyre ankeseve-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.
Me këto veprime, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.
Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij dhe dy ish-drejtuesve tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion. /BetimipërDrejtësi/