Si do të kalkulohen pagat me ndryshimet e reja ligjore?

Paga
Fotografi ilustruese

Nga muaji shtator, secili i punësuar në Kosovë duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë, pasi siç ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës më 23 gusht ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Nga muaji shtator, secili i punësuar në Kosovë duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë, pasi siç ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës më 23 gusht ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Ligji që përcakton pagën minimale neto prej 250 eurosh parasheh edhe ndryshime në shkallët tatimore.

Reklama e sponzorizuar

Deri tash, pagat tatoheshin sipas shkallëve tatimore nga 0 deri në 10 për qind për punën primare, ndërsa ato sekondare me mbi 10 për qind. Pos kontributit pensional, pesë për qind nga i punësuari dhe pesë nga punëdhënësi, secili punëtor kontribuon me tatim mbi pagë në shtet.

Kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Me ndryshime tatim deri në këtë vlerë s’do të ketë dhe pagat rrjedhimisht do të rriten.

Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë se versionin e ri do ta publikojë në sistemin elektronik para ose deri më 1 shtator.

“Ky Ligj hyri në fuqi në ditën e publikimit, që do të thotë hyri në fuqi dhe filloj të zbatohet nga data 23 gusht 2024. Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-142, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade.

“Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Pra, me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro (nga 80 sa ishte). Me fjalë tjera, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”, tha ai.

Si kalkulohej paga deri tash.

Shembull:

Paga bruto: 300 euro

Kontributi pensional: 5% punëtori (15 euro) dhe 5% punëdhënësi (15 euro)

Paga që tatohet: 300-15 (kontributi i punëtorit) = 285 euro

Shkallët tatimore deri tash në Kosovë:

Paga prej 0 – 80 euro (0 për qind tatim) = 0 euro

Paga prej 80 – 250 euro (4 për qind tatim) = 6.8 euro

Paga prej 250 – 450 euro (8 për qind tatim) = 2.8 euro (285-250=35; 8 për qind e 35 euro=2.8 euro)

Gjithsej tatimi për pagë bruto 300 euro: 0 + 6.8 + 2.8 = 9.6 euro

Paga neto: 300-15 (kontributi pensional) – 9.6 euro (tatim) = 275.4 euro

Ndërkaq me ligjin e ri, shkalla tatimore ndryshon dhe ajo e dyta, prej 4 për qind hiqet. Pra, çdo punëtor do të paguajë 6.8 euro më pak tatim për pagë. Në rastin me 300 euro pagë bruto, paga neto do të ishte 282.2 euro.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas hyrjes në fuqi të ligjit ku mes tjerash, ulet tatimi në pagë.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, për katër vite rriti pagat për 6.8 euro.

“Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve.” – ka thënë tutje ai.

Hoti ka përmendur se rreth një miliard euro të planifikuara për invesitme kapitale nuk janë shpenzuar.

Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa ka komentuar ndryshimin e Ligjit për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Sipas tij, të gjithë personat me të hyra të tatueshme prej 500 euro, tani do t’i kenë në llogaritë e tyre 6.80 euro shtesë.

“Qeveria e paska bë një ndryshim simbolik të politikës fiskale, përmes ndryshimit të shkallëve të tatimit në të ardhura personale. Pra, në 4 vite qeverisje, kjo është reforma fiskale e kësaj qeverie dhe masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës, 6.80 euro shtesë!”,  ka shkruar ai në Facebook.

Ky Ligj në fund të qershorit u vlerësua nga Gjykata Kushtetuese se nuk e shkel Kushtetutën.

Paga minimale në vend do të bëhet 264 euro bruto, nga 130-170 sa ishte qe 11 vjet.  Sipas Qeverisë, nga ndryshimi i shkallës tatimore përfitojnë rreth 380 mijë punëtorë. /monitor/