Problemi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës nga oxhaqet e termocentraleve të Kosovës (edhe nga Kosova B, edhe nga Kosova A) ekziston që moti, herë më i madh e herë më i vogël, dhe pasojat e kësaj ndotjeje janë evidente te shëndeti i popullsisë së fshatrave nën dhe përreth termocentraleve. Pse po zvarritet pafundësisht vendosja e elektrofiltrave të rinj në Kosovën B, projekt i inicuar që nga viti 2019, për çka BE-ja kishte dedikuar diku mbi 76 milionë euro dhe kur do të fillojë së realizuari ky projekt?
Mehmet GJATA
Pas paraqitjeve të pamjeve thuaja nadrealiste mbi qiellin e Obiliqit dhe vendbanimeve përrreth nga retë e pandalshme të pluhurit dhe tymit dhe ankesave të zëshme të shumë e shumë qytetarëve të këtushëm për ndotjen e madhe dhe përtej çdo norme të lejuar nga termocentralet Kosova B, për pak kohë dhe pak momente, sikur u kthye vëmendja kah problemi i kahmotshëm i madh dhe pasojat edhe për shëndetin e njerëzve, edhe për bimësinë dhe tokat përreth termocentraleve të stërvjetruara të Kosovës.
Qytetarë të Obiliqit dhe zyrtarë të kësaj komune, me të drejtë edhe kësaj radhe (për të satën herë), janë ankuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për ndotje enorme të ajrit, për moskujdesin më të vogël të KEK-ut për ta zbutur sado pak problemin e ndotjes, që sipas banorëve të fshatrave të Obiliqit, ndotja e tejdukshme enorme dhe përtej çdo parametri të lejuar ka filluar, sidomos nga 20 gushti, prej kur janë duke u përballur me sasi të shtuar të tymit dhe të pluhurit. Prej kësaj date, sipas banorëve, filtrat, edhe ashtu të vjetër, shkyçen gjatë natës në termocentralin Kosova B, dhe në këtë mënyrë pastaj, ajri mbushet me grimca hiri dhe tymi të dendur, duke arritur kështu në nivel dhe në përmasa të padurureshme.
Shqetësime për tejkalimin e parametrave të lejuar të ndotjes kanë shprehur edhe zyrtarët e komunën e Obiliqit.
“Ne e kemi monitoruar nga 20 gushti deri më tash, nuk ka ndryshime, ndotja është e lartë ndërsa në këto dy ditët e fundit është e njëjta situatë edhe në ‘Kosovën A’. Jemi shumë të shqetësuar si komunë për banorët dhe qytetarët tanë që jetojnë aty”, ka theksuar për medien një zyrtar komunal.
Me këtë rast po e përkujtojmë se problemi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës nga oxhaqet e termocentraleve të Kosovës (edhe nga Kosova B, edhe nga Kosova A) ekziston që moti, herë më i madh e herë më i vogël, dhe pasojat e kësaj ndotjeje janë evidente te shëndeti i popullsisë së fshatrave nën dhe përreth termocentraleve. Dihet tashmë edhe për sëmundjet kronike të shumë banorëve, të fituara pikërisht nga ndotja, por edhe rastet jo të pakta të kancerit ndër banorët e këtyre vendbanimeve. Dhe deri tash asnjëherë nuk është bërë ndonjë zgjidhje fatlume dhe afatgjate. Ka pasur iniciativa, ide dhe projekte për të vendosur elektrofiltra të rinj në termocentralet e stërvjetruara të Kosovës, por, asnjëherë nuk është bërë një zgjidhje përfundimtare.
Edhe projekti i fundit i ndërrimit të elektrofiltrave në termocentralin Kosova B, i inicuar që nga viti 2019, për çka BE-ja kishte zotuar goxha para, tashmë është bërë i dikskurueshëm për shkak të disa prologimeve të nisjes së finalizimit të tij. Më saktësisht, që nga 2020-a, nisja e punëve për realizimin e projektit për ndërrimin e filtrave në termocentralin Kosova B është shtyrë disa herë, edhe pse ka vite që është i rrumbullakësuar edhe financiarisht ky projekt. Gjithmonë, është gjendur ndonjë arsye e shtyrjes së këtij projekti tepër të rëndësishëm edhe për ruajtjen e ambientit nga ndotja e tymtarëve të termocentralit të vjetëruar Kosova B, edhe për zgjatjen e jetës së këtij termocentrali. Së fundmi, si afat i parashikuar, por edhe i premtuar për të nisë puna për ndërrimin e elektrofiltrave, ishte caktuar prilli 2024, por edhe ky afat ishte shtyrë, ndërsa afati i ri i nisjes së këtij projekti së fundi është paraparë të jetë prilli 2025.
Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B: Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022. Pasi punimet ishin planifikuar të fillonin në shkurt të vitit 2022, ato ishin shtyrë për të filluar në vitin 2023. Pastaj, nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në vitin 2023, është shtyrë për vitin 2024.
Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për finalizimin e këtij projekti rivitalizues në Kosovën B, siç i kanë thënë Buletinit Ekonomik, zyrtarë të KEK-ut, ishte siguruar nga BE-ja dhe nga KEK-u. Projekti për ndërrrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” së fundmi është shtyrë me kërkesë të BE-së, me arsyetimin se janë paraqitur ca probleme të paparashikuara me kontraktuesit. Ndërsa, disa zëra në KEK, shtyrjen e fundit nga BE-ja e kanë ndërlidhur me pasojat e masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën, për shkak të zhvillimeve politike të ndodhura në veri të Kosovës. Ndërsa në KEK, i kanë thënë Buletinit Ekonomik, se ata, siç u është kërkuar, që në vitin e kaluar, i kanë kryer të gjitha punët e kërkuara rreth projektit. Janë përmbyllur intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve, që nuk ishin paraparë fillimisht dhe që më pastaj doli të jetë parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B. Por, në KEK respektojnë kërkesën e investitorit të këtij projekti, dhe presin, nëse nuk ndodhë në ndërkohë ndonjë e papritur, ta fillojnë ndërrimin e elektrofiltrave në prill të 2025-tës.
Realizimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave të rinj, është i ndërlikuar dhe kompleks, prandaj edhe kërkon një kohë relativisht të gjatë për ta bërë këtë punë. Vlerësohet nga inxhinierët e këtushëm se për ta bërë vendosjen e elektrofiltrit në njërin bllok të Kosovës B, nevojitet kohë 6 deri në 9 muaj. Për këtë shkak, është paraparë që brenda një viti të bëhet ndërrimi i filtrave në njërin bllok, dhe në vitin tjetër vijues, në bllokun tjetër. E gjithë kjo me qëllim që të mos ndihet në përmasa të mëdha mungesa e energjisë elektrike, për shkakun e ndërprerjes së punës së njërës njësi të Kosovës B, përderisa të zgjatë ndërrimi i filtrave.
Pas shumë analizave të bëra nga ekspertë të KEK-ut, është vlerësuar dhe konstatuar se termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre (rreth 40 vjet në prodhim të pandërprerë), mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem, nëse u bëhen ca riparime të domosdoshme. Sipas ekspertëve, me dy- tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha, “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për së paku 20 vjet, por edhe t’i shtohet kapaciteti për nja 14-16 megavatë-orë. Më saktësisht, po qe se bëhen pa vonesa të mëdha riparimet e planifikuara, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045 e më shumë.
Ka dominuar, gjithsesi, pikëpamja e ekspertëve se për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B, doemos duhet të vendosen elektrofiltrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër dhe relativisht i amortizuar. Ishte planifikuar dhe paraparë nga ekspertët, që në kuadër të projektit të instalimit të elektrofiltrave, po ashtu të bëhet edhe ripërtëritja dhe vendosja e stabilimenteve të reja të transportit të brendshëm të hirit, dhe projekti i ashtuquajtur i DeNOx-it në kalldatë e termocentraleve B1 dhe B2. Bëhet fjalë për ndërhyrje riparuese dhe ripërtëritëse në stabilimentet e procesit të djegies për t’i reduktuar gazrat e liruara nga linjiti.
Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B, ishte siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019. Më saktësisht, kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së, është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Europian nëpërmes fondeve IPA. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes IPA III ndërmjet Kosovës dhe BE-së, në vlerë 64 milion euro, në vjeshtën e vitit 2022, kishte thënë saktësisht se Projekti i ndërrimit të filtrave në termocentralin Kosova B, është shtyrë disa herë dhe se pritet të fillojë zbatimin në vitin 2024.
Zëvendëskryeministri Bislimi kishte nënshkruar marrëveshje me ambasadorin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerë prej 63.96 milion euro. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosova B, është paraparë t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut.
Sidoqoftë, derisa të instalohen elektrofiltrat e planifikuar në të dy njësitë e termocentraleve Kosova B, s’do mend se do të ketë probleme serioze me ndotjen e ambientit dhe për pasojë edhe me rrezikimin e vazhdueshëm të shëndetit të popullatës rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të vendit. /Buletini Ekonomik/