Gjatë ditës së sotme, menaxhmenti i ndërmarrjes publike “Trepça” ka dorëzuar në Gjykatën Komerciale një padi për lirim prone dhe propozim për caktimin e masës së sigurisë ndaj kompanisë “Y.1” SH.P.K.
Përmes një njoftimi bëhet e ditur se “Trepça” dhe kompania në fjalë kanë pasur marrëdhënie kontraktuese për tri vjet dhe në momentin kur kjo kontratë ka skaduar nuk është vazhduar më. Kontrata ishte për qiranë e pronës që gjendet në Parkun Industrial në Mitrovicë, shkruan Telegrafi.
“Trepça Sh.A. dhe kompania në fjalë ishin në marrëdhënie kontraktuese në periudhën tre (3) vjeçare për qiranë e pronës e cila gjendet në adresën Parku Industrial në Mitrovicë nga data 01.4.2021 deri me 31.3.2024 kur dhe ka skaduar kontrata lidhur mes dy palëve dhe më nuk është vazhduar”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se pas skadimit të kontratës, i padituri edhe pas vërejtjeve nuk e ka liruar pronën.
“Pas skadimit të kontratës së lartëcekur e njëjta nuk është vazhduar më, ndërsa i padituri as pas vërejtjeve të bëra nga Ndërmarrja Trepça Sh.A. nuk e ka liruar pronën”, thuhet tutje në njoftim.