Nga 1 janari rriten pagat për 55 euro

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për vitin 2025 do të mbetet e njëjtë pra 110 euro, por se do të rritet koeficienti për njësi, raporton Express.

Kurti ka thënë se duke filluar nga janari koeficienti do të rritet për 0.5, e nga korriku edhe për 0.5 njësi të tjera.

“Duke pasur parasysh duke pasur nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, sidomos në këto kohë kur I gjithë globi po përballet me kosto të rritjes së jetetës, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për njësi. Pra vlera e koeficientit mbetet e njëjtë. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5. njësi nga janari  0.5 njësi të tjera”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Reklama e sponzorizuar

Kurti ka thënë se ndonjë zyrtar publik që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.6.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka deklaruar kryeministri Kurti.