Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka mbyllur një operator ilegal që merrej me trajtimin e nënprodukteve shtazore.
Sipas njoftimit të AUV-së, një qytetar ka raportuar se ka gjetur një biznes i cili ishte duke operuar ilegalisht pa licencë, i njëjti është marrë me përpunimin e nënprodukteve të kafshëve të therura ku biznesi nuk ka poseduar kushtet teknike sanitare për të ushtruar këtë veprimtari.
“Përveç mungesës se dokumentacionit, hapësirat nuk posedonin kushtet teknike sanitare, minimale për të ushtruar veprimtarinë. Ekipi inspektues menjëherë ka urdhëruar largimin, tërheqjen e mbetjeve të nënprodukteve shtazore, për të penguar çfarëdo rreziku qe mund të shkaktohet nga ndotja. Po ashtu ka bërë mbylljen e subjektit. Lokacioni do të mbahet i mbikëqyrur nga organet shtetërore dhe njëkohësisht ndaj operatorit do të iniciohet procedura për gjykatë”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Ndryshe, AUV ka bërë të ditur se çdo operatorë i cili nuk përmbush kriteret ligjore për të ushtruar llojin dhe natyrën e veprimtarisë ekonomike do të përballet me masat vijuese të ndjekjes përmes organeve të drejtësisë. /teve1.info/