Bali Muharremaj konfirmon bllokimin e financave nga Qeveria, pasojë e Kontratës Kolektive

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se sot zyrtarisht janë njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, se janë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për Komunën e Suharekës, derisa të procedohen vendimet gjyqësore/përmbarimore.

Muharremaj ka thënë se ky bllokim ka ndodhur si pasojë e Kontratës Kolektive. “Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdojë edhe në komunat e tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive”, ka shkruar kryetari i Suharekës, në një postim në Facebook.

“Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng e një marrëveshje të cilën duhet ta zbatojë Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna”.

Reklama e sponzorizuar

Muharremaj ka theksuar se për këtë situatë, duhet të veprojë urgjentisht edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ngase situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë.