BE-ja pranë finalizimit të mjeteve për Ballkanin Perëndimor

Euro

Bashkimi Evropian është shumë afër t’i përmbyllë procedurat e miratimit të agjendave të reformave, të cilat i kanë paraqitur vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.

Përfituese të Planit – që u miratua nga BE-ja në maj – janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.

Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) dha më 11 tetor pëlqimin final për vetëm pesë nga gjashtë vendet, që i kanë paraqitur agjendat e reformave dhe rritjes.

Reklama e sponzorizuar

I vetmi vend i rajonit, i cili nuk mund të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

Komisioni Evropian pritet që më 16 tetor ta miratojë vendimin për zbatim.

Në këtë mënyrë, Komisioni Evropian do të jetë i gatshëm nga ana e tij që t’i kryejë edhe pagesat e para nga paketa në fjalë.

Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.

Ndaj, vendet përfituese duhet t’i ratifikojnë marrëveshjet, pasi që duhet të obligohen për kthimin e parave nga kreditë e favorshme.

Për shkak të procedurave që kërkojnë kohë për miratimin e marrëveshjeve të tilla, është vështirë të parashihet koha se kur do të bëhen pagesat e para dhe për cilin vend të rajonit.

Realisht, ato mund të bëhen në fillim të vitit 2025, por nëse ndonjë vend nxiton dhe e kryen më herët procedurën e ratifikimit të marrëveshjeve, atëherë këto mjete do të mund të paguhen më herët, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ideja e BE-së është që të gjitha vendeve, për të cilat do të aprovohen agjendat e reformave dhe rritjes, t’u ndahet si “pagesë parafinancuese” shuma prej 7% e mjeteve të dedikuara për to.

Me këtë paketë, BE-ja synon të ndihmojë rritjen ekonomike në vendet e rajonit dhe, në këtë mënyrë, ta përshpejtojë procesin e integrimit të tyre evropian.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.

Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro.

Shqipëria do të mund të përfitojë në total 922 milionë euro, ndërsa si mjete “parafinancuese” 64.5 milionë.

Maqedonia e Veriut do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 52.5 milionë.

Serbisë do t’i ndaheshin gjithsej 1.58 miliard euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 111 milionë.

Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë euro, ndërsa si “parafinancim” 26.8 milionë.

Bosnje e Hercegovina, nga totali i planit, do të kishte në dispozicion 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa si “parafinancim” 76 milionë.

Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.

Por, që në prezantimin e parë të këtij plani, më herët këtë vit, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse ndonjëri nuk i kryen reformat pas një-dy vjetësh, atëherë shuma e dedikuar për të do t’u shpërndahet vendeve tjera.

Plani, po ashtu, ka qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk ka në asnjë mënyrë qëllim të krijojë ndonjë alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin në BE të këtyre vendeve më të lehtë.

Bashkimi Evropian do që pagesat e para nga ky plan të kryhen sa më parë dhe të nisë zbatimi i projekteve që do të financoheshin përmes tyre.

Në të njëjtën kohë, në BE rikujtojnë edhe kushtet që duhet të përmbushen gjatë gjithë procesit të realizimit të projekteve.

Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kontrollin financiar dhe auditimin e duhur sipas standardeve evropiane, ndërsa në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, kusht specifik është edhe angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre.

Në rast të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, BE-ja do të mund të kërkojë kthimin e tyre, ndërsa mjetet e pashfrytëzuara nga ndonjë vend, do të mund të shfrytëzoheshin për një vend tjetër të rajonit.

Deri më tash, ky është plani më ambicioz i veçantë i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit, i cili nuk është pjesë e mjeteve të rëndomta nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat u dedikohen vendeve nga procesi i zgjerimit, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor. /REL/