BQK e BERZH nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

BQK - Buletini Ekonomik

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit lidhur me mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse “WE Finance Code”, gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington D.C.

“Ky memorandum paraqet përkushtimin dhe zotimin e BQK-së për të mbështetur dhe kontribuar në nismat dhe zhvillimet e nevojshme në sektorin financiar, të cilat mundësojnë rritjen e qasjes në financa për gratë në biznese të vogla dhe të mesme, në funksion të rritjes së përfshirjes financiare, mbrojtjes së konsumatorit dhe edukimit financiar në linjë me Planin Strategjik të BQK-së”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Më tutje thuhet se guvernatori Ismaili gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje me zëvendëspresidentin e BERZh-it, Mark Bowman, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm dhe se do të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare në Kosovë duke siguruar qasje të barabartë në resurset financiare, veçanërisht për gratë ndërmarrëse.

Reklama e sponzorizuar

“Memorandumi i mirëkuptimit me BERZh-in paraqet një rast të veçantë duke ofruar mundësi për të punuar në funksion të gjithëpërfshirjes financiare dhe qasjes në financa në mënyrë të barabartë për të gjithë, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin financiar dhe prosperitetin ekonomik në Kosovë”, potencoi guvernatori Ismaili, thuhet në njoftim.

Po ashtu, njoftohet se nisma e tillë “WE Finance Code” u lansua vitin e kaluar nga Banka Botërore në takimet vjetore në Marakesh (Maroko), ku edhe BQK ishte pjesëmarrëse e kësaj nisme, dhe nënshkrimi i saj pikërisht në takimet vjetore, duke iu bashkuar rreth 30 bankave qendrore dhe institucioneve rregullatore deri tani, paraqet një simbolikë të veçantë të përkushtimit sistematik të bazuar në planin strategjik të BQK-së.

“Në fund, palët u pajtuan që të punojnë së bashku për aktivitete konkrete që mundësojnë zbatimin e kësaj marrëveshje, përfshirë edhe organizime të përbashkëta që kontribuojnë në arritjen e qëllimit, në bashkëpunim me sektorin financiar dhe grupet e interesit”, njofton BQK.