Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë thirrje që ndryshimi i Ligjit për Zyrtatët Publikë të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“GLPS i bën thirrje të gjitha palëve kompetente që të dërgojnë projektligjin e miratuar në Gjykatën Kushtetuese. Ky është një hap i domosdoshëm për të siguruar që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”
GLPS ka thënë se plotësim/ndryshimet e projektligjit për zyrtarët publikë e thellojnë edhe më shumë problemin me ushtruesit e detyrës dhe disa pika të tjera
“Në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend në qershor, afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka qenë 2 vite. Në procedura parlamentare është shtuar një amandament i cili është integruar në ligjin e miratuar dje, ku afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka ndryshuar nga 2 vite sa ishte propozuar fillimisht në 1 vit por me mundësi zgjatje pa ndonjë kufizim kohor nën kushtin ligjor nëse procedurat e rekrutimit janë shpallur por që për arsye objektive pozita nuk është plotësuar. Ky rregullim lejon hapësirë që pozitat me Ushtrues Detyre të mbahen në kohë të gjata siç është bërë praktikë kohëve të fundit. Kjo praktikë negative tash e ligjësuar edhe me ligj i jep mundësi dhe nxit politikën ditore për të mbajtur në pozita të lira ushtrues detyre me “nëpunës civil të përshtatshëm” duke minuar komplet mekanizmin e rregullt ligjor për plotësimin e këtyre pozitave në pajtim me rregullat dhe procedurat që garantojnë meritokracinë. Disa nga çështjet kryesore të ngritura nga GLPS në qershor të këtij viti janë ende valide edhe për projektligjin e miratuar dje në Kuvend.”
KOMUNIKATA E PLOTË:
MIRATIMI I PROJEKTLIGJIT PËR ZYRTARËT PUBLIK THELLON TUTJE PROBLEMIN ME USHTRUESIT E DETYRËS
Dje, më 30 tetor 2024, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L–197 për Zyrtarët Publik. Në qershor, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kishte reaguar publikisht mbi procedurën e draftimit dhe përmbajtjen e këtij ligji.
Në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend në qershor, afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka qenë 2 vite. Në procedura parlamentare është shtuar një amandament i cili është integruar në ligjin e miratuar dje, ku afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka ndryshuar nga 2 vite sa ishte propozuar fillimisht në 1 vit por me mundësi zgjatje pa ndonjë kufizim kohor nën kushtin ligjor nëse procedurat e rekrutimit janë shpallur por që për arsye objektive pozita nuk është plotësuar. Ky rregullim lejon hapësirë që pozitat me Ushtrues Detyre të mbahen në kohë të gjata siç është bërë praktikë kohëve të fundit. Kjo praktikë negative tash e ligjësuar edhe me ligj i jep mundësi dhe nxit politikën ditore për të mbajtur në pozita të lira ushtrues detyre me “nëpunës civil të përshtatshëm” duke minuar komplet mekanizmin e rregullt ligjor për plotësimin e këtyre pozitave në pajtim me rregullat dhe procedurat që garantojnë meritokracinë.
Disa nga çështjet kryesore të ngritura nga GLPS në qershor të këtij viti janë ende valide edhe për projektligjin e miratuar dje në Kuvend.
Për rikutjim, GLPS ka konstatuar se ky projektligj nuk ka ndjekur Urdhërin e përcaktuar në pikën 12 të Aktgjykimit Nr. ref.: AGJ 2262/23 të Gjykatës Kushtetuese të lëshuar në shtator të vitit të kaluar. I njejti përjashton nga fusha e veprimit disa institucione tipike të cilat duhet të jenë pjesë e fushëveprimit të këtij ligji. Shqetësuese mbetet edhe heqja e pragut minimal që së paku 2 kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për Nivelin e Lartë Drejtues, gjë që rezulton me cenim të konkurrencës, si shtylla kryesore e meritokracisë.
Poashtu, GLPS ka ngritur shqetësime edhe në lidhje me listën e pritjes, ku përmes këtij projektligji institucionit përkatës i mundësohet që t’i pranojë nëpunësit civil tepricë në mënyrë diskrecionale dhe pa asnjë detyrim ligjor, gjë që mund të rezultoj me largim masiv të shërbimit civil si pasojë e mosveprimit të institucionit dhe kalimit të afatit 9 mujor të përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 67 të po këtij projektligji. Ngjashëm, ky projektligj kufizon mandatin e shërbyesve civil të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese për nëpunësit aktual, gjë që është në kundërshtim të plotë me Aktgjykimin e lartëpërmendur. Si përfundim, GLPS konsideron që ky projektligji vazhdon jo të jetë në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD, dhe degradon thellësisht funksionimin e shërbimit civil në Kosovë, në formën siç është paraqitur.
GLPS i bën thirrje të gjitha palëve kompetente që të dërgojnë projektligjin e miratuar në Gjykatën Kushtetuese. Ky është një hap i domosdoshëm për të siguruar që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.