Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.
Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.
Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.
Scholz tha se marrëveshjet e reja “do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë”.
Çka është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – dhe gradualisht t’i afrojnë ato më pranë BE-së.
Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.
Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.
Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit – përveç Bosnje e Hercegovinës – duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t’i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.
E para është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili është miratuar nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove. /REL/