Tashmë botërisht është e ditur se disa prej ministrave të kësaj qeverie nga e cila realisht u prit goxha shumë se do të bëjë ndryshimin brenda këtyre tre-katër vjetëve, nuk treguan, praktikisht, asgjë, dhe dëshmuan se janë shumë larg përmbushjes së misionit ministror, po e përmbyllin qetësisht mandatin qeveritar, fare të “paprekshëm”, edhe pse kryeministri Kurti, disa herë ka deklaruar se “asnjë nuk është i paprekshëm”.
Mehmet GJATA
Sado që disa herë Albin Kurti, gjatë këtyre 3-4 vjetëve, të qeverisjes së tij, ishte deklaruar edhe publikisht se “ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe se “asnjë nuk është i paprekshëm”, tani në fund të mandatit katër vjeçar (kanë mbetur vetën edhe pak muaj deri në fund të këtij mandati), të gjithë ministrat e Qeverisë së tij, po e përfundojnë mandatin pa rezultatet e pritura. Me huqje, me dështime të shumta, me mospërmbushje planesh dhe premtimesh dhe, siç kanë raportuar dhe vazhdojnë të raportojnë jo pak herë mediet, edhe me keqpërdorime dhe korrupsion evident, disa nga ministrat e Kurtit, sikundër edhe shumica absolute e zëvendëskryeministrave, deri tani, kur kanë mbetur edhe disa muaj deri në përmbylljen e mandatit qeveritar, vazhdojnë të qeverisin qetësisht dhe të “paprekshëm”.
Pra, tashmë botërisht është e ditur se disa prej ministrave të kësaj qeverie nga e cila realisht u prit goxha shumë se do të bëjë ndryshimin, brenda këtyre tre-katër vjetëve, nuk treguan, praktikisht, asgjë, dhe dëshmuan se janë shumë larg përmbushjes së misionit ministror dhe pritjeve të kryeministrit Kurti. Nuk tregun sukses në punën e tyre dhe kjo përkthehet se nuk mbajtën fjalën (lexo premtimet, me të cilat erdhën në pushtet), nuk u treguan që nga fillimi qeveritarë të denjë as të shkathtë pë ta arsyetuar pozitën e veçantë dhe të rëndësishme që iu besua atyre. Pati disa ministra, që nuk shpërfaqen as ndonjë ide, për ta veçuar, as aftësitë e domosdoshme për të përmbushur, së paku, premtimet.
Nuk mbajti premtimet as vetë Albin Kurti, i cili, në disa raste, pos më 31 gusht 2022, në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjës Vetëvendosje, kur paraqitej goxha decidiv në deklarimin se “asnjë nuk është i paprekshëm”, Kurti, pra po e përfundon një mandat, me politika të brendshme, sidomos me zhvillimet ekonomike të Kosovës, shumë të diskutueshme. Nuk u përmbushen në asnjë mënyrë premtimet, por edhe parashikimet e zhvillimit ekonomik të Kosovës, e rritjes reale të investimeve, të zbutjës së varfërisë, të përfundimit brenda afateve të shumë projekteve madhore të infrastrukturës, të përfundimit të parashikuar të disa rrugëve nacionale… Këto janë, pa diskutim vetëm disa nga huqjet e ministrave të Kurtit, i cili disa herë vetëm i paralamëroi ata duke përmendur jo pak herë freskimin e kabinetit qeveritar Kurti 2. Dhe nuk e bëri kryeministri freskimin brenda katër vjetësh me asnjë ministër të rinj, më operativ, më energjik, më të efektshëm dhe me më shumë rendimet të punës ministrore.
Me fjalë të tjera, Qeveria Kurti 2 nuk e bëri reformatizimin e pritshëm nga publiku të kabinetit qeveritar. Vazhdoi ‘ta shtyjë’ me të gjithë minsitrat dhe me shumicën absolute të zëvëndësministrave, që u emëruan që në fillim të kësaj qeverie (24 shkurt 2021), (hiq ministrin e Shëndetësisë(tani sërish të rikthyer në postin e ministrit, aty ku ishte pra), që e la postin ministror për shkak të kandidimit për kryetar të Komunës së Prishtinës, dhe deorëheqjes së ministrit tjetër që e pasoi të parin), pavarësisht se shumë prej tyre brenda këtyre tre-katër vjetëve e më shumë, nuk treguan, praktikisht, asgjë, dhe dëshmuan se janë shumë larg përmbushjes së misionit ministror dhë zëvendësministror dhe pritjeve të opinionit dhe, gjithsesi, edhe të kryeministrit Kurti.
Që në janar të 2022-tës, flitej, madje edhe nga zyrtarë të ndryshëm, se kishte nisë të bëhet një vlerësim i performancës së akcilit ministër e kësaj Qeverie. Vlerësimet e performancës nënkuptonin pra, “qitjen në peshore” të aftësive profesioniste dhe shkathtësive menaxheriale e ministrore të secilit ministër të Qeverisë Kurti 2, si dhe të të gjithë zëvendësministrave dhe të efekteve të punës së tyre, rezultatet dhe dështimet eventuale të ministrave të qeverisë Kurti 2. Dhe, kjo “matje”, ose ky vlerësim do t’i shërbejë, sipas burimeve të medieve kosovare, kryeministrit Kurti, që në rast të ndërrimit eventual të përbërjes aktuale të Qeverisë, të vendosë për ndërrimin apo mbetjen edhe më tutje në postin e ministrit të secilit anëtar qeverie.
Dhe, megjithë trajtimin mediatik të kësa çështjeje dhe debateve në medie dhe në opinion rreth domosdosë së “freskimit” të qeverisë, nuk ndodhi asgjë. Ndërsa, në publikun e politizuar jo pak kosovar pritej me padurim dhe vëmendje të shihet konkretisht se cili ministër i Qeverisë Kurti 2, që kur VV-ja fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmbushi dhe realizoi detyrimet, parashikimet qeveritare dhe vetjake dhe cili dështoi në realizimin e pritshmërive të tij, vizioneve dhe premtimeve me rastin e marrjes së detyrës në krye të dikasterit përkatës.
Më pastaj në ditën e fundit të gushtit të 2022-tës (më saktësisht më 31 gusht 2022) në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjës Vetëvendosje, kryeministri fjalë për fjalë tha për vartësit e tij, se “asnjë nuk është i paprekshëm”, ndërsa në publik dhe në qarqe zyrtare u vlerësua si paralajmërim i ri për mundësi të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj, kishte thënë kryeministri Albin Kurti, me këtë rast, para Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për vartësit e tij. “Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar”, tha ai. Por, me këtë rast, Kurti foli edhe për “egoizma e karrierizma”, të cilat, deri në atë moment, kur u dëgjuan nga goja e kryeministrit Kurti, mendohej se “tymnaja” rreth përmbushjes së pritshshërive të disa minstrave, mbështetej më shumë në spekulime.
Disa medie raportuan se “tashmë po punohet në një raport në Zyrën e Kryeministrit, ku po vlerësohen ministrat veç e veç”, por asnjëherë nuk është thënë diçka zyrtare rreth mundësisë së reformatimit të Qeverisë edhe pse fjalët e Kurtit para këshillit të LVV-së sikur ishin një paralajmërim se mund të ketë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar. Por, prapë nuk ndodhi asgjë. Pra, ndryshimet nuk ndodhen. Qeveria me disa ministra pa rezultate dhe pa rendimente po e mbyllë mandatin. Asnjë ministër, dhe, praktikisht, asnjë zëvëndësminstër nuk e lëshojë kabinetin qeveritar, përpos dy-tre zëvëndësminsitave, që dhanë dorëheqje, apo u shkakrkuan për shkaqe asnjë herë të sqaruara zyrtarisht deri në fund.
Ndërkohë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në vitin e kaluar, në analizën e publikuar për qeverisjen tri vjeçare ku, ka listuar të arriturat dhe ngecjet e qeverisjes tri vjeçare të kryeministrit Albin Kurti duke konstatuar ngecje në politikën e jashtme, reformat në sundim të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë analizë GLPS, kishte theksuar se “viti i tretë i qeverisjes vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore”. “Në përgjithësi, viti i tretë i qeverisjes, sikurse vitet paraprak, vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore. Nga 16 institucione gjithsejtë, përfshirë 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, vetëm katër prej tyre udhëhiqen nga sekretarë me mandatë të rregullt. Ky fenomen vazhdon të dëmtojë funksionimin e administratës publike në Kosovë. Kemi theksuar nevojën për një riformatim të Qeverisë për shkak të mungesës së performancës në disa dikastere” , thuhej në analizën GLPS-së.”
Po hyjmë në vitin e katërt dhe të fundit, dhe nevoja për riformatim që ka qenë e padiskutueshme, nuk është jetësuar gjatë kësaj kohe…Fenomeni i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies mbetet ende i theksuar”, theskonin zyrtarët e këtij asociacioni.
Megjithatë dhe megjithë dështimet jo të pakta të dikastereve tashmë të adresuara, siç janë realizimi i dështuar i investimeve kapitale në këto vite, sidomos në vitin 2022, ndër më të ultit në vitet e fundit (sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP,investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të 2022-tës ishin 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal 19 për qind), çmimeve të ngritura dhe jashtë kontrollit, ngecjes të paparë të përfundimit të rrugëve tepër të rëndësishme të Kosovës, rindërtimi i të cilave ka nisë me dekada më parë, përkeqësimit evident të gjendjes sociale dhe mirëqenies së kosovarëve shumicë, Kurti i mbajti dhe vazhdon t’i mbajë ministrat e pa efektshëm, pa rezultate të shënuara dhe të tillët që praktikisht nuk përmbushën asnjë premtim dhe zotim kur u ulën në karrigën ministrore.
I mbajti Kurti gjithë këtë kohë të qeverisjes edhe ministrat dështak në misionin e tyre ministror, edhe ata, tashmë të ditur edhe në publik që nuk kanë arritur asnjë rezultat të vetëm, vazhdojnë të qeverisin pa ndjerë peshën e përgjegjësisë fare për huqjet, edhe ata që brenda këtij mandati ditën vetëm të fajësojnë për ngecje në realizimin e synimeve, vizioneve dhe planifikimeve të tyre, qeveritë e kaluara, krizat botërore financiare dhe energjetike, ngritjen enorme të çmimeve etj. Pse nuk e reformatizoi asnjë herë Qeverinë, gjithsesi e di më së miri vetë Kurti. Ndërsa, zëvendësimi i ministrave pa rezultate dhe pa rendimente, është proces i rregulltë dhe i natyrshëm kudo ndër qeveritë e Botës. Rifreskimi i pushtetit është bërë në të gjitha epokat dhe bëhet sot e kësaj dite. Disa e bëjnë edhe disa herë brenda një mandati. Prandaj, duhet ta mendojë dhe ta ketë parasysh këtë fakt kryeministri i Kosovës. /Buletini Ekonomik