Nga 15 tetori, zero borxhe nga këmbimi i rrymës Kosovë-Shqipëri

Fotografi ilustruese

Momentalisht nuk ka këmbim të energjisë elektrike KEK-KESH, si rrjedhojë e faktit se të dy vendet në këto ditë të fundit të tetorit, janë duke i përmbushur nevojat e tyre me energji elektrike nga prodhimi vendor. Ndërkohë, që nga 15 tetori, As Kosova, as Shqipëria nuk kanë borxh të energjisë elektrike ndaj njëra tjetrës.

Buletini Ekonomik

Që nga 15 tetori (i këtij viti), sasia e këmbimit të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri është saktësisht në pikën zero. As Kosova, as Shqipëria nuk kanë borxh të energjisë elektrike ndaj njëra tjetrës dhe momentalisht nuk ka as këmbim ndërmjet dy shteteve shqiptare, për shkak se asnjëri vend, hë për hë, nuk kanë nevojë për energji shtesë, gjegjësisht më shumë rrymë se sa Kosova dhe Shqipëria, pasi energjinë e sigurojnë nga kapacitetet vetanake për nevojat e tyre.

Reklama e sponzorizuar

“Momentalisht nuk ka këmbim të energjisë elektrike KEK-KESH, si rrjedhojë e faktit se të dy vendet në këto ditë të fundit të tetorit, janë duke i përmbushur nevojat e tyre me energji elektrike nga prodhimi vendor. Korporata Energjetike e Shqipërisë, pas 15 tetorit, kur ka rënë në pikën zero borxhi i ndërsjellë, është deklaruar se tani për tani nuk kanë nevojë për energji shtesë. Po kështu, edhe në Kosovë, prodhimi aktual nga termocentralet (dy njësi të Kosova B dhe dy të Kosova A) po i përmbushin nevojat e konsumit kosovar, që për shkak të motit relativisht të ngrohtë që po mbanë nuk është rritur edhe aq ndjeshëm’, i kanë thënë sot Buletinit Ekonomik zyrtarë të Zyrës për Informim të KEK-ut.

Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, ka saktësuar se momentalisht janë në prodhin dy blloqet e termocentraleve Kosova B, secili me nga 260 megavatë-orë dhe dy blloqe të Kosovës A (A4 dhe A5), me kapacitet secili nga 130 megavatë. Në këtë mënyrë, sipas Bucollit, sasia e prodhuar gjithsej në kapacitetet prodhuese të vendit (rreth 780 megavatë-orë, plus dhjetra megavatë nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme) po del të jetë e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës me energji elektrike.

Tani, tepricat eventuale të prodhuara në KEK, në mungesë të këmbimit të rrymës me Shqipërinë, KEK-u i drejton drejt eksportit. Sidomos në orët e natës, ndodhë të ketë më shumë teprica të rrymës në KEK, dhe kjo sasi nëpërmjet ankandeve që kanë karakter afatshkurtër, ofrohet për eksport. Dhe, një sasi, goxha e konsiderueshme po eksportohet edhe në këto ditë, thonë zyrtarët e Korporatës Energjiike të Kosovës, pa saktësuar shifra rreth këtij eksporti. Ndërsa, sa i përket këmbimit të energjisë elektrike në muajt e sivjetshëm ka pasur relativisht më pak këmbim energjetik shqiptaro-shqiptar se në vitet 2022 dhe 2023. Për shkaqe të ndryshme, në radhë të parë për shkak të pasjes së mjaftueshme të energjisë elektrike në shumicën e periudhës janar-qershor, si rrjedhojë e të reshurave të bollshme të shirave dhe akumulimit të mjaftueshëm të ujrave në liqenet e Kaskadës së Drinit, por edhe për shkak të riparimeve të planifikuara të dy njësive të termocentraleve Kosova B, këmbimi i rrymës KEK-KESH është bërë me ndërprerje, madje edhe disa mujore, kështu që edhe sasia e këmbyer e energjisë elektrike në këta muaj është ndjeshëm më e vogël se sa në vitet e sipërpërmendura.

Më saktësisht, deri tash në këtë vit, siç e ka njoftuar Buletinin Ekonomik, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, KEK, kryesisht ka kthyer borxh në KESH, i cili borxh ka qenë goxha i theksueshëm. Sipas të dhënave të zyrtarëve, borxhi i KEK-ut kundrejt Korporatës Energjetike të Shqipërisë më 1 janar 2024 ka qenë 56,474 megavatë-orë. Ndërkohë, po gjatë këtyre muajve, Kosova ka huazuar nga Shqipëria edhe 6, 320 megavatë. Në këtë mënyrë, edhe pse KEK-u në vazhdimësi ka bërë përpjekje ta kthej këtë sasi të rrymës së huazuar, borxhi i përgjithshëm i KEK-ut ndaj KESH-it, në qershor të këtij viti, kishte mbetur diku mbi 40 mijë megavatë. Dhe, e tërë kjo sasi është kthyer nga qershori deri më 15 tetor 2024, kur këmbimi i energjisë elektrike preku zeron.

Siç u tha më lartë, këmbimi rrymës ndërmjet dy shteteve shqiptare sivjet është bërë me hove, dhe kushtimisht ka pasur këmbim në sasi shumë më të pakët se sa në vitet paraprake. Si rrjedhojë e tejmbushjes së liqeneve të hidrocentraleve të Fierzës, të Komanit dhe të Vaut të Dejës dhe pasjes së bollshme dhe rekorde të ujërave, KESH ka operuar deri në muajt e verës me të gjitha hidrocentralet e veta dhe me kapacitet thuaja se gjithnjë të plotë. Kështu, ka prodhuar edhe përtej nevojave të konsumit të Shqipërisë, ndërsa në shumë raste ka eksportuar teprica të theksueshme të rrymës, pra. Nuk ka pasur nevojë për energji shtesë, respektivisht për huazime të rrymës nga Kosova për muaj të tërë as ditën as natën.

Në anën tjetër Kosova, me termocentralet e veta, ka plotësuar nevojat e konsumit edhe në muajt e dimrit të butë dhe pa shumë ditë të acarta, prandaj pos në disa raste, nuk pati shumë nevojë për huazim shtesë nga KESH. Praktikisht, sipas të dhënave, për shkak të këtyre rrethanave klimatike dhe të të reshurave, sivjet, pati një ndërprerje bukur të gjatë të këmbimit të rrymës. Kjo ndërprerje e tërësishme e këmbimit të energjisë elektrike ndërmjet KEK-ut dhe KESH-it, ka zgjatur që nga 4 prilli i sivjetshëm deri më 24 qershor 2024, kur KEK-u kishte rinisë për të deponuar energji elektrike në KESH (në emër të kthimit të borxhit). Po sipas të dhënave të KEK-ut, nga data 24 qershor 2024, dhe deri më datë 2 korrik 2024, nga Kosova në Shqipëri janë deponuar gjithsej 7427 megavatë-orë energji elektrike, ose mesatarisht rreth 570 megavatë në ditë.

Duhet thënë se në këtë periudhë (prill – korrik 2024), përkundër prodhimit kontinuel dhe stabil, Kosova nuk ka dërguar as gjatë ditës e as gjatë orëve të natës, rrymë në sistemin elektroenergjetik shqiptar, për shkakun siç u tha më lartë, se në Shqipëri nuk kanë pasur nevojë për sasi shtesë të rrymës. Ndërsa, për shkak të ndërprerjes së këmbimit KEK-u nuk arriti ta kthej borxhin e mbetur ndaj KESH-it, që siç u tha më lartë, në muajin qershor ishte diçka mbi 40 mijë megavatë-orë.

Dihet se shkëmbimi i energjisë elektrike në mes KEK dhe KESH, bazohet në Marrëveshjen e vitit 2015, në ndryshimet e kësaj Marrëveshje në Aneksin 1 të dates 07.06.2018 – dhe Aneksin 2 të datës 19.05.2023. Sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK dhe KESH kanë një bashkëpunim të mirë, dhe lehtësisht arrihen ujditë për këmbim.

Rëndom, në këtë proces, tepricat e energjisë elektrike të prodhuara në termocentralet e Kosovës ndodhin në orët e natës, kur në Kosovë bie ndjeshëm konsumi i rrymës, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për energji shtesë, por ky këmbim i shërben edhe ruajtjes së rezervave të ujit në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare. Duhet thënë se tepricat e rrymës gjatë natës në Kosovë, varen nga shumë faktorë, por në radhë të parë nga prodhimi kontinuel i termocentraleve ekzistuese, nga moti që ende dikton konsumin e energjisë dhe nga shpenzimi i konsumatorëve të vendit. Në ditët në vazhdim, nëse paraqitet nevoja në konsumin e Shqipërisë për rrymë shtesë ka mundësi të vazhdojë këmbimi i rrymës KEK-KESH dhe në këtë mënyrë, mbase të krijohet edhe ndonjë “rezervë” për ditët e dimrit, kur rëndom në Kosovë rishfaqen problemet rreth furnizimit të energjisë elektrike. Gjithsesi këmbimin e energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri e dikton edhe gatishmëria e termocentraleve të Kosovës dhe prodhimi standard i këtyre kapaciteteteve. /Buletini Ekonomik/