Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka thënë se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A.
Në reagim thuhet se Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt, transmeton Telegrafi.
Ky reagim nga KEK-u vjen pasi deputeti Ferat Shala, sot publikoi disa pamje, duke thënë se ka ndodhur një eksplodim i kazanit në Termocentralin Kosova A, Blloku A4.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta, duke shtuar se “kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”.
Ndryshe, sot deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka thënë se ka ndodhur një eksplodim i kazanit në Termocentralin Kosova A, Blloku A4.
Shala në profilin e tij ka publikuar edhe disa pamje nga ky eksplodim.
“Eksplodim i kazanit “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë”, ka pohuar ai, derisa ka shpërndarë pamjet.