Të mbërthyer nga varfëria

Anipse Qeveria e Kosovës kishte premtuar ‘nxjerrje të shoqërisë nga varfëria’ katër vite më parë, shifrat aktuale tregojnë zhytje në varfëri dhe shtim të vështirësive në jetesë për kategotri të ndryshme të shoqërisë.

Mehmet Gjata

Rexhep Mula, 55-vjeçar nga Gërdoci i Podujevës, përditë vjen në Tregun e Gjelbër të Prishtinës, me shpresën se do të angazhohet nga ndonjë blerës për t’ia transportuar mallin e blerë në treg deri të vetura, ose te shtëpia. Ai është kryefamiljar, i papunë dhe familja e tij shtatë anëtarëshe (bashkëshortja e sëmurë, tri vajza, nëna dhe një xhaxha) nuk ka asnjë të punësuar dhe të gjithë jetojnë nga ndihmat minimaliste sociale dhe nga puna që bënë Rexhepi.

Reklama e sponzorizuar

Ndihet me fat, kur arrin të fitojë 5-6 euro në ditë nga transporti me karrocën e dorës, për të dërguar pastaj në mbrëmje, qoftë ndonjë euro, qoftë ushqimet e domosdoshme.

“Janë të panumërta, ditët kur kthehna në Gërdoc, në shtëpi, duarthatë, pa fitue asnji euro, për shkak se nuk gjenë punë”, thotë ai për Buletinin Ekonomik.

Rexhep Mula, dhe familja e tij, nuk arrijnë me ndihmën sociale të përmbushin as për së afërmi nevojat as për ushqimet elementare. Ndihmat sociale, por as parat e fituara me punën në treg, nuk i mjaftojnë vetëm për t’i siguruar barnat e nevojshme për të shoqen që lëngon nga ‘sëmundja e keqe.

Ai thotë se po të mos ishin njerëzit vullnetmirë dhe humanistë, të cilët e ndihmojnë kohë pas kohe, nuk e di si do t’ia dilte.

“Më ndihmojnë njerëzit e mirë, edhe me para, edhe me ushqime. Sidomos në muajin e ramazanit”, thotë ai duke i falënderuara ata.

Tregu i gjelbër në Prishtinë
Tregu i Gjelbër në Prishtinë

Rritja e varfërisë ekstreme në Kosovë 

Rexhep Mula sipas të gjitha kritereve dhe standardeve që masin varfërinë, del të jetë ekstremisht i varfër, i cili ka ditë të tëra që i mbyllë me 1,85 euro në ditë. Më saktësisht, njerëzit që kanë vetëm këtë shumë parash brenda një dite, edhe sipas kritereve globale, vlerësohen të jenë të zhytyr në varfëri ekstreme. Të tillët në Kosovë nuk janë pak.

Sipas një ankete hulumtuese të UNDP-së, të realizuar më 2023, diku rreth 16 për qind të ekonomive familjare në Kosovë jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë.

Të gjeturat kryesore nga anketa e UNDP-së, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë treguar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind.

Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme.

Edhe në edicionin e 26-të Përmbledhjës së Pulsit Publik, një program i UNDP-së, i bërë publik vitin e kaluar, varfëria ( me 16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), u regjistruan si tre çështjet – shqetësimet kryesore të kosovarëve.

Por, edhe të dhëna të tjera relevante, statistika zyrtare dhe jozyrtare, sondazhe dhe hulumtime të ndryshme flasin, konstatojnë dhe vlerësojnë, pak a shumë njësojë se Kosova është shtet realisht i varfër dhe me tendenca të thellimit të varfërisë dhe se varfëria vazhdon të mbetet një ndër çështjet më të ndjeshme dhe më shqetësuese. Kosova është më e varfëra në rajon.

E në anën tjetër, Qeveria e Kosovës para se të niste mandatin në vitin 2021 kishte premtuar “nxjerrjen e shoqërisë nga varfëria”.

Numër i madh i kosovarëve të përfshirë në skemat sociale 

Sipas të dhënave statistikore, në fund të 2023-tës, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë. Tani, në fund të shtatorit, kjo shifër ka rënë nën 20 mijë.

Por, në të gjitha komunat e Kosovës statistikat e varfërisë janë alarmuese. Sipas statistikave nga ASK, nga skema e pensioneve bazike të moshës më 2023 ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues.

Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familiarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër).

F.I., do me çdo kusht të mbetet anonim (emri i tij është i njohur për Buletinin Ekonomik), një 46-vjeçar, me banim në Lagjen e Vranjevcit, në Prishtinë, baba i 6 fëmijëve (5 prej të cilëve vijojnë shkollën), është tani e 15 vjet përfitues i ndihmave nga skema sociale e shtetit.

Ai thotë se tani është rritur ndihma sociale, dhe familja e tij tani gëzon 200 euro nga kjo ndihmë, ndërsa disa vite më parë merrte 70 deri në 80 euro.

F.I. merr edhe shtesat për tre fëmijë që tashmë janë të rritura në 30 euro për një fëmijë. Me punën shtesë që banë vazhdimisht (punë me mëditje ditore), ai, ndonjëherë edhe bashkëshortja dhe me ndihmat sociale tashmë të ngritura, ai thotë se ia del disi, përkundër çmimeve shumë të larta, sidomos të produkteve ushqimore. Ka shtëpi të vetën dhe kjo është një lehtësi për te për familjen pasi që kursehet nga qiraja, por shpenzimet e familjes së tij i shtojnë papërballueshëm fëmijë në shkollë.

Varfëria tek pensionistët

Sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët, afro 200 mijë veta, bashkarisht pensionistët me pension të pleqërisë që në Kosovë ka vite është i kornizuarr në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht.

Qeveria e Kosovës këtë javë ka vendosur qe t’i rrisë të gjitha pensionet për 20 për qind.

Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.

E në anën tjetër, raporti i UNDP-së dhe gjitha tjera tregojnë për rritje të kostove të jetesës çka bie mbi kurrizin e atyre me pensione të ulëta siç janë pensionistët.

Me 120 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare.

Shënim:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e BULETINIT EKONOMIK dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.