Vuajtjet e banorëve të Obiliqit nga ndotja enorme e mjedisit

Kaherë është e ditur qartë nga opinioni dhe nga institucionet se ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufinjtë e lejueshëm, veçmas në Obiliq dhe në fshatrat përreth termocentraleve, ndërsa termocentralet e Kosovës konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Çka thuhet në një deklaratë të Komunës së Obiliqit për ndotjen enorme të ambientit dhe për pasojat shëndetësore që shkaktohen nga ndotja?

Mehmet GJATA

Sërish këtyre ditëve, banorët e Obiliqit dhe vendbanimeve që shtrihen në afërsi të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, kanë alarmuar publikisht (për të satën herë) për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambientit nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, dhe për pasojat e rënda shëndetësore që po shkaktojnë “fabrikat” e prodhimit të rrymës ndër banorët e këtyre vendbanimeve. Edhe në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit të sivjetshëm ishin banorët e Obiliqit dhe të fshatrave përreth termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, të cilët alarmuan opinionin për nivelin enorm të lartë të ndotjes së ambientit nga tymi dhe grimcat e hirit, nga “vjellja” e termocentraleve të vjetra të Kosovës. Dhe, kaherë është e ditur qartë nga opinioni dhe nga institucionet se ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufinjtë e lejueshëm, ndërsa termocentralet e Kosovës konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.

Reklama e sponzorizuar

Retë masive të ndotësve tashmë të identifikuar nga prodhimi i energjisë elektrike me qymyrin si burim kryesor energjetik, që edhe gjatë gjysmës së dytë të tetorit, me ditë të tëra, sipas shumë banorëve, në përmasa kaq të mëdha, ishin pasojë e drejtëpërdrejtë e mungesës së operimit të elektrofiltrave nga KEK-u, po ashtu shumë të vjetër. Sipas banorëve të Obiliqit, të cilët shqetësimet e tyre i shpërfaqën sërish para medieve, elektrofiltrat ekzistues, edhe pse janë shumë të vjetër dhe janë vetëm pjesërisht të efektshëm në parandalimin e ndotjes nga djegja e qymyrit, kur janë jashtë përdorimit fare, në fshatrat përreth kompleksit elektroenergjetik të vendit, e bëjnë jetën shumë vështirë. Rrezikohet, para së gjithash shëndeti i qindra banorëve në radhë të parë nga pasojat e tymit dhe grimcave të hirit që dalin pa kontroll nga oxhakët e termocentraleve të Kosovës A dhe Kosovës B, keqësohet gjendja e qindra të sëmurëve kronikë si pasojë e ndotjes së pamatë të ajrit, ujit dhe tokës, por edhe paraqiten raste të reja të të sëmurëve numerikisht të shumtë.

Për gjendjen e skajshmërisht të ç’ekuilibruar dhe në përmasa të frikshme të ambientit si pasojë e ndotjes së madhe, Buletini Ekonomik ka raportuar për opinionin disa herë, sikundër edhe për pasojat e përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës, duke alarmuar kështu, se Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit).

Gjatë javës së kaluar, pos qytetarëve, lidhur me nivelet e larta të ndotjes së ajrit, Komuna e Obiliqit ka reaguar ashpër për të satën herë, duke akuzuar konkretisht Korporatën Energjetike të Kosovës për mosveprim për parandalimin ose zbutjen e përmasave të rrezikshme nga pasojat e ndotjes enorme të ajrit, të tokave dhe të ujit në këtë rajon. Në një deklaratë të lëshuar, kjo komunë thekson se ndotja ka dalë jashtë përmasave normale dhe po ndikon direkt në shëndetin e qytetarëve. Sipas pushtetit lokal në Obiliq, ndotja e ajrit dhe mjedisit është kthyer në një nga faktorët kryesorë që po shkakton shkurtim të jetës së banorëve.

“Shumë qytetarë po përballen me probleme shëndetësore, ndërsa një ndër sëmundjet më të përhapura është tumori i mushkërive”, thuhet në deklaratë.

“Që nga data 20 gusht deri më 15 shtator 2024, filtrat e termocentralit ‘Kosova B’ kanë qenë jashtë funksionit, duke shkaktuar tejkalime enorme të ndotjes. Ajri në Obiliq ka arritur nivele alarmante të ndotjes, ndërsa termocentrali ka krijuar një zhurmë të padurueshme, veçanërisht në orët e mbrëmjes,” thuhet në reagim.

Komuna ka kërkuar në mënyrë të përsëritur nga KEK-u që të ofrojë një raport të detajuar mbi situatën në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje. Po ashtu në këtë njoftim kërkohet se në dy vjetët e fundit nuk është realizuar asnjë projekt për uljen e ndotjes së ajrit, duke shtuar se numri i rasteve të sëmundjeve të lidhura me ndotjen është alarmues. Sipas njoftimit të komunës së Obliqit, të dhënat e vitit 2023 tregojnë se sëmundjet respiratore kanë arritur në 17 mijë e 912 raste, ndërsa ato të qarkullimit të gjakut në 7 mijë e 355 raste në këto vendbanime. Po ashtu, sipas këtij njoftimi, çdo vit në Obiliq regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene.

Të dhënat më të fundit të bëra publike këto ditë nga autoritetet e komunës së Obiliqit për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambientit nga termocentralet aktuale të Kosovës, është vetëm edhe një informacion i ambienetit, ose përkujtues, ndër qindra sish të bërë deri më tash, në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve për pasojat e aktuale, por edhe ato të deritashme të shkaktuara nga ambienti i ndotur përtej çdo parashikimi.

Gjithnjë sipas të dhënave të bëra publike, vetëm gjatë vitit të kaluar emetimet e pluhurit dhe gazrave të rrezikshme nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, kanë qenë mbi katër herë më shumë sesa niveli i lejuar. Janë trishtuese dhe tronditëse rrëfimet e personave të bëra publike, që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive nga pasojat e punës disavjeçare në termocentralet e Obiliqit, por edhe të jetuarit nën tymtarët, ose në afërsi të drejtpërdrejt me ta. Këto fakte të rrëfyera dhe të paraqitura nëpër raporte të ndryshme të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, siç është BB-ja, si dhe të dhënat, të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivelin alarmant të ndotjes dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës në shëndetin e banorëve të shumë fshatrave të Obiliqit.

Dhe, në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë një ndër vendet me ambient të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri decenie me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve të energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit), por edhe mosveprimit as nga KEK-u, as nga institucionet e tjera të shtetit për të parandaluar, ose për të minimizuar sa më shumë pasojat e çekuilibrimit të tejdukshëm të ambientit nga ndotja. Ndërsa, ambientalistët e shqetësuar nuk ka ditë që nuk e ngritin zërin, duke i faktuar, sikundër edhe Banka Botërore, pasojat e ndotjes disa herë më të larta se sa normat e lejueshme.

Një raport i mëhershëm i bërë nga Instituti “Musine Kokalari”, flet për qindra vdekje, që ndodhin brenda një viti nga sëmundjet që shkaktohen si pasojë e ndotjes nga termocentralet Kosova A dhe B, dhe këto sëmundje si pasojë e ndotjes prekin, sidomos njerëzit nga zona e ndikimit të termocentraleve.

“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.

Sipas disa statistikave të publikuara nga një medie ndërkombëtare, termocentralet në këtë pjesë të kontinentit gjatë vitit të kaluar kanë emetuar 5 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1.8 herë më shumë pluhur sesa nivelet e lejuara. Prandaj, shumë ekspertë dhe ambientalistë si dhe një numër nga Shoqëria civile dhe shoqatave të tyre, shprehin sot e gjithë ditën shqetësimin e tyre të madh për përmasat e ndotjes dhe të degradimit të gjendjes mjedisore në vend. Ata e theksojnë troç dhe thuaja se njëzëri se krimet mjedisore janë të përhapura në Kosovë.

Në bazë të të dhënave të siguruara përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin), del që norma e humbjeve vjetore të pyjeve në një mesatare vjetore të jetë 654 hektarë brenda një viti kalendarik, ndërsa nëse përkthehet në mesatare ditore ajo është afro 1.5 hekatrë në ditë, ka saktësuar Faruk Foniqi, ekspert dhe në GIS dhe Remote Sensing në Universitetin e Torontos dhe Kalifornisë, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik.

Këto të dhëna duhet të alarmojnë para së gjithash shtetin, zyrtarët dhe autoritetet publike, të cilët duhet të kenë një pozicionim strategjik përballë rreziqeve që sjellin ndotja e mjedisit dhe degradimi i tokave dhe pyjeve të Kosovës. Duhet veprime konkrete dhe më pak retorikë shterpë në mbrojtje të mjedisit, ajrit, ujërave dhe tokës e pyjeve të Kosovës. Prandaj që tani duket e diskutueshme vëmendja goxha e zbehtë e Qeverisë aktuale e përqendruar në Strategjinë energjetike 2022-2031, ku bie në sy se vlerat mjedisore sikur janë lënë anash. Në Strategjinë energjetike thuaja se përciptazi flitet për ndotjen e ajrit dhe synimet për ta evituar apo zbutur këtë problem, sado që konstatohet se “ndotja e ajrit është ende problem serioz në Kosovë, pjesërisht si rezultat i mospërputhjes së termocentraleve me linjit me kufijtë e përcaktuar në PKRE”.

Sipas raportit të zbatimit – të Komunitetit të Energjisë të vitit 2021, që e citon Strategjia, “vlerat aktuale të emetimeve në Kosovë, krahasuar me kufijtë, ishin 197% në rastin e SOx , 223% për NOx dhe 177% për pluhurin”.

“Edhe disa dispozita të Direktivës së Emetimeve Industriale (2010/75/BE) janë të zbatueshme nga 1 janari 2017, për impiantet e reja tek palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë. Impiantet ekzistuese pritet gjithashtu të zbatojnë dispozitat e Kapitullit III dhe Aneksit V, veçanërisht në rastin e rinovimit. Kosova ka përgatitur, por ende nuk ka miratuar, bazën ligjore për t’iu përmbajtur këtyre dispozitave”, thuhet tutje në Strategji.

Poashtu, konstatohet se “ngrohja e amvisërive me dru zjarri dhe qymyr në stufat e vjetra në Kosovë gjithashtu kontribuon në problemet e ndotjes së ajrit. Stacionet e monitorimit në vitin 2020 zbuluan një numër të madh rastesh kur PM10 tejkalonte kufirin maksimal të lejuar dhe në disa zona përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 ishte gjithashtu më i lartë se standardi, kryesisht gjatë sezonit vjeshtë-dimër, si pasojë e djegies së karburanteve për qëllime ngrohjeje”. Mirëpo nuk ofrohet ndonjë zgjidhje e mundshme dhe e qëndrueshme për problemin e ndotjes, nuk paraqitet as ndonjë vizion serioz, pos që thuhet se “duhet të përmirësohen procedurat dhe kapacitetet administrative të nevojshme për të siguruar zbatimin efektiv të rregulloreve kundër aktiviteteve të paligjshme dhe degradimit të mjedisit. Por, zyrtarët, as nga KEK-u dhe as nga pushteti nuk është se janë “lodhur’ shumë as kundrejt alarmeve publike të bëra këtyre ditëve nga banorët e Obiliqit dhe vendbanimeve që shtrihen në afërsi të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B. Nuk u preokupuan as KEK-u as shteti edhe në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit të sivjetshëm, për shqetësimet e banorëve të Obiliqit dhe të fshatrave përreth termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, për nivelin enorm të lartë të ndotjes së ambientit nga tymi dhe grimcat e hirit, nga “vjellja” e termocentraleve të vjetra të Kosovës.

Tani, në prag të fushatës elektorale dhe në këta muaj para 9 shkurtit, gjithsesi se do të ketë premtime për ta bërë të pastër dhe të jetueshme edhe komunën e Obiliqit, por dilemat për ndonjë veprim më konkret, gjithsesi mbesin, sikundër që mbetet për t’u parë edhe realizimi i premtimeve të pritshme për mbrojtje të mjedisit. /Buletini Ekonomik/